Zv/ministrja Çinari prezanton ndryshimet në projektligjin për koncesionet - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/02/2018

Zv/ministrja Çinari prezanton ndryshimet në projektligjin për koncesionet

Zv/ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari, prezantoi sot para Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë e Mjedisin projektligjin “Për një ndryshim në ligjin 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” të ndryshuar”. Në fjalën e saj para deputetëve Çinari tha se sektori shqiptar në energji  vuan nga një konsum më i madh se sa është  aftësia për të prodhuar energji aktualisht.

“Nga viti 1999 Shqipëria është një importues neto i energjisë, dhe Shqipëria mbështetet kryesisht në prodhimin e energjisë në burime ujore. Kjo ka reflektuar natyrisht në kosto shumë të larta, të cilat herë pas here kanë vënë në vështirësi edhe sistemin elektroenergjitik shqiptar dhe financat në buxhetin e shtetit,” – u shpreh zv/ministrja Çinari.

Në vijim znj. Çinari tha se ka shumë interes nga investitorë të huaj dhe shqiptarë për të zhvilluar kapacitete prodhuese të reja, si në burime hidrike ashtu edhe në burime të tjera, por të gjithë ata stepen dhe demotivohen nga procedurat shumë të gjata që shkojnë gati rreth dy vjet të negociatave për koncesionet, ndërkohë që vendet e rajonit kanë procedura të përshpejtuara.

“Kjo është  arsyeja që sot kemi ardhur me një propozim për shkurtimin dhe përshpejtimin e procedurave të dhënies me koncesion të kapaciteteve nën 2 mega dhe mbi 100 mln euro. Njëkohësisht është edhe harmonizimi me ligjin për energji të rinovueshme,” – përfundoi zv/ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.