Interpelanca në Kuvend e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 07/05/2026

Interpelanca në Kuvend e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi

I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë,
E vlerësoj shqetësimin e ngritur nga deputeti, Eno Bozdo, si në fakt një shqetësim real edhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe Qeverinë Shqiptare. Besoj se është një gjë shumë e mirë kur shqetësimet e Qeverisë dhe opozitës konvergojnë në një pikë, pasi kështu kemi dhe mundësinë të kontribuojmë së bashku për përballimin e krizave të ndryshme, pavarësisht nëse janë ato të shkaktuara nga zhvillime të brendshme apo zhvillime të jashtme.
Për fat të keq, në këto 7 vitet e fundit, vendi është përballur me disa kriza të rënda botërore, që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë botërore, por edhe të vendit tonë. Por, sigurisht për fatin e mirë, Qeveria Shqiptare ka arritur ti menaxhojë me sukses këto kriza, duke mos lejuar që barra e tyre të bjerë mbi qytetarët.
Kujtoj Pandeminë e COVID-19, që ishte një test i fortë për kapacitetet shtetërore, por jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike, pasi u zbatua Paketa e Rezistencës Sociale me një fond prej 44 miliardë lekësh, ku u mbështetën pensionistët, familjet në nevojë, fermerët dhe transporti publik. Si rezultat i kësaj mase direkte mbështetjeje ekonomike, kujtoj që ekonomia shqiptare pësoi rritje të menjëhershme në vitin 2022 me 6% në vit.
Më pas erdhi dhe kriza energjetike globale. Çmimet u rritën eksponencialisht. Kujtoj që çmimi mesatar i vitit 2021 ishte 300 euro për megavatorë, ndërkohë që çmimi shkoi edhe deri në 1 mijë euro për megavatorë. Ndërkohë, Qeveria Shqiptare edhe njëherë u vendos para presionit për të mbështetur sektorin energjetik në vend. Kujtoj që ne ishim pothuajse vendi i vetëm në Europë dhe në rajon i cili nuk rriti çmimin e energjisë elektrike në atë kohë, pavarësisht se çmimi ishte mbi 4-5 fish më i lartë sesa çmimi mesatar para krizës së energjisë elektrike.
Po ashtu, kur situata u stabilizua, ne shkuam një hap më tej. Nga shkurti 2025 ulëm çmimin e energjisë me mbi 10%. Çmimi aktual i shitjes së energjisë elektrike është 8.5 lekë për kilovatorë, ku mbi 1 milion familje sot përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo ulje çmimit. Ulja e parë e çmimit në 35 vite të këtij sistemi.
I riktheva në vëmendjen tuaj këto kriza me ndikim edhe në ekonominë tonë për të rikujtuar se tashmë ne kemi një përvojë të mirë dhe rezultative në përballimin e këtyre situatave. Një përvojë që patjetër do ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë, për t’ja dalë mbanë edhe kësaj krize e cila përsëri është e shkaktuar nga situata të jashtme politike.
Për Qeverinë Shqiptare siguria energjetike është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e sigurisë kombëtare. Ndaj dhe masat e marra për përballimin e krizës janë shumëplanëshe.
Patjetër po, është ngritur dhe ringritur Bordi i Transparencës, i cili ka qëllim kontrollin e efekteve të krizës mbi konsumatorin final dhe shmangien e rritjes së çmimit tek qytetarët. Jo më larg se sot, Bordi u mblodh që në mëngjes pas uljes së çmimeve në tregjet botërore duke ulur çmimin me 10 lekë në çmimin fundor.
Po ashtu është në proces miratimi, pas një konsultimi të gjerë me të gjitha grupet e interesit, paketa mbështetëse për transportin publik ndërqytetas dhe qytetas, i cili pritet të miratohet javën e ardhshme në Qeveri, në konsultim të plot dhe duke u ulur në mënyrë të vazhdueshme me të gjitha shoqatat e transportit.
Ndërsa, përsa i përket kontrollit të depozitave për mbajtjen e rezervave të sigurisë, bazuar sigurisht në legjislacionin në fuqi, që ju e referoni me të drejtë dhe në bazë të urdhrit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë është ngritur grupi i punës i cili ka për detyrë të kryejë verifikime në terren për të gjitha kompanitë, për të parë kontrollin e mbajtjes së rezervës së sigurisë hidrokarbure.
Siç ju e referoni me të drejt ligji shqiptar në fuqi, përcakton që rezerva e sigurisë hidrokarbure mbahet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe pakicë dhe raporti i fundit i dhjetorit 2025, parashikon që rezervat e sigurisë janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pra me mesataren e 90 ditëve të furnizimit. Ndërkohë, pavarësisht se ligji kërkon që kontrolli i rezervës së sigurisë të bëhet një herë në vit, patjetër për shkak të situatës së veçantë hidrokarbure është ngritur përsëri grupi i punës 1-2 muaj pas raportit përfundimtar që të bëjë përsëri verifikimet në të gjitha shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe me pakicë.
Ndërsa përsa i përket planit afatgjatë, po, në portalin e konsultimit publik tashmë është publikuar ligji për sigurinë e rezervës hidrokarbure, në përputhje të plotë me direktivën e Bashkimit Europian, por edhe i konsultuar me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, zoti Bozdo, jo Institutin e Energjisë Ndërkombëtare pasi nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje, por ky është një draft tërësisht i konsultuar dhe i dakordësuar me Bashkimin Europian. Patjetër vendos një standard të ri për Shqipërinë, pasi rezerva e sigurisë hidrokarbure nuk mbahet më dhe nuk menaxhohet nga shoqëritë tregtare, por menaxhohet nga agjencitë shtetërore.
Dua të theksoj vetëm një element. Rezerva e sigurisë hidrokarbure është e implementueshme kur ka mungesë produkti në treg. Aktualisht, Qeveria siguron se nuk ka pasur mungesa në furnizim dhe vendi ynë aktualisht nuk është i ekspozuar ndaj rrezikut të ndërprerjes së furnizimit me naftë dhe nënproduktet e saj. Rezerva e sigurisë hidrokarbure përdoret vetëm në qoftë se ka mungesa të produktit final në treg, i cili, po e riktheksoj, deri tani, por edhe me të gjitha informacionet që ne kemi Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj këtij risku.
Përsa i përket akuzës për mungesë transparence, dua të shpreh qartë që kjo është akuzë politike, por në fakt nuk i përgjigjet realitetit të momentit, pasi në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, me Ministrinë e Ekonomisë, por edhe të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, jemi ulur me të gjitha grupet e interesit dhe kemi bërë të gjitha diskutimet përsa i përket kësaj situate që patjetër nuk vjen për shkaqe të brendshme, por ne i jemi përgjigjur në kohën e duhur.
I nderuar deputet,
Përvojat e viteve të fundit kanë treguar qartë se krizat nuk paralajmërojnë, por mënyra se si ne i paraprijmë dhe i menaxhojmë ato bën diferencën.
Qeveria Shqiptare ka dëshmuar se di të reagojë në kohë të vështira.
Faleminderit!
***
Zoti Bozdo, faleminderit.
Tani të bëjmë pak diskutimin çfarë është rezerva e sigurisë një herë se ndoshta kam përshtypjen ka nevojë të sqarohet pasi këtu u konfundua pak. Rezerva e sigurisë është një sasi rezerve hidrokarbure kur ka mungesë produkti në treg që sot në Shqipëri dhe nga të gjitha informacionet, vlerësimet e Qeverisë Shqiptare nuk ka mungesë produkti në treg.
Përsa i përket elementit çfarë përmban dhe kontrollet përkatëse për rezervën e sigurisë, patjetër rezerva e sigurisë kontrollohet nga institucionet shtetërore dhe ajo çfarë unë të referova dhe ta referoj me përgjegjësi të plot është që kontrolli i fundit është i dhjetorit 2025, i cili përmban që të gjitha shoqëritë tregtare me shumicë dhe me pakicë kanë angazhimin e tyre të plotësuar përsa i përket mbajtjes së rezervës së sigurisë së hidrokarbureve. Por në kuptim të krizës përkatëse ku ne jemi, patjetër që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtuar vëmendjen dhe nuk e ka lënë kontrollin tjetër për në fund të vitit, por që para 1 muaji është ngritur grupi përkatës përsëri për të bërë kontrollin e verifikimit të rezervës së sigurisë hidrokarbure.
Megjithatë ju referoni që modeli aktual ka problemet e veta. Dhe po, ne e dimë që modeli aktual nuk është në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian, por përsëri ky model jep garanci absolute për mbajtjen e rezervës së sigurisë hidrokarbure. Me të drejt ju thoni që ka shtete të tjera që këtë model e kanë të kombinuar. Dy janë modelet. Ose e mban shteti, aty ku ne duam të shkojmë ose e mban privati. Ne e kemi sot aktualisht që e mban privati, ka dhe shumë shtete të Bashkimit Europian që e kanë siç e kemi dhe ne që e mban privati, dhe s’ka asnjëlloj problematike përkatëse për atë gjë, por sigurisht në kuadër të përafrimit të të gjithë akteve ligjore të nevojshme me Bashkimin Europian edhe ky ligj hyn ndër ato akte të cilët ne jemi duke e transforzuar. Nuk ka ndonjë çudi dhe nuk ka vend sot në Europë që kostoja e rezervës së sigurisë hidrokarbure mos të mbahet nga konsumatori fundor. Edhe sot në çmimin fundor të karburantit është e përfshirë dhe mbajtja e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve sepse nuk ka kush e mban koston e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve. Edhe sot është e verifikuar dhe e certifikuar nga të gjitha institucionet.
Megjithatë, ju me të drejt thatë pse u mbajta kaq gjatë në fjalimin tim për situata e mëparshme të krizave, për të dëshmuar faktin që pavarësisht të gjitha krizave që kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve të palidhur me faktorët e brendshëm, Qeveria Shqiptare ja ka dalë që të tejkalojë dhe madje të superojë edhe me uljen e çmimit të energjisë elektrike, që ju me të drejt referoni para vitit 2013, por e rikutoj edhe një herë që para vitit 2013 kishte 45% humbje të energjisë elektrike dhe vetëm 70% të nivelit të pagesave. Të vini këtu dhe të referoni sukseset e vitit 2013 më duket pak e çuditshme sepse më duket njësoj si diskutimi për privatizimin e katër hidrocentraleve për të paguar taksat e Kurum-it.
Faleminderit.