Unaza e Re, Balluku: Dy lote vazhdojnë sipas procedurave, shpronësimet sipas ligjit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/02/2019

Unaza e Re, Balluku: Dy lote vazhdojnë sipas procedurave, shpronësimet sipas ligjit

Deklaratë për media e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku

Arsyeja pse po komunikoj sot me ju është nevoja për t’i dhënë fund aludimeve, deklaratave dhe lajmeve të rreme mbi projektin e Unazës së Re. Për ti bërë të qartë kujtdo, një herë e mirë, se projekti është i përmirësueshëm, po jo i bllokueshëm apo aq më pak i anulueshëm. Tirana dhe gjithë Shqipëria që kalon në atë segment kur vjen në kryeqytet, s’mund të merret peng nga askush dhe për asnjë arsye.

Është folur e stërfolur për kosto e për kilometra, por projekti është tejet kompleks dhe me një numër të konsiderueshëm nyjesh e veprash arti në një distance relativisht të shkurtër, po ama në mes të një zone të populluar ku intensiteti i banimit dhe aktivitetit do shkojë duke u rritur. Pra edhe kompleksiteti i projektit ka një arsye të vetën shumë legjitime.

Informoj për të përhapur çdo mjegull mediatike, se loti i dytë dhe i tretë do të vazhdojnë sipas procedurave të kryera.

Po ashtu, procesi i shpronësimeve është në vijë sipas ligjit e në respekt të së drejtës të çdo subjekti që gëzon një titull pronësie. Familje në mes të katër rrugëve, qoftë edhe kur nuk e kanë një titull pronësie ne nuk do të lëmë. Prishjet e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojnë pa asnjë diferencim, sipas ligjit.

Është me rëndësi të nënvizohet se vetëm pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka kaluar 8 plane zhvillimi (PDV) në Këshillin Teknik për parcela buzë unazës. Pse është me rëndësi? Sepse PDV janë instrumenta që u japin banorëve të asaj zone mundësinë e zhvillimit të pronës dhe të marrëveshjeve me zhvilluesit kur janë në një shtëpi apo biznes pa dokumente.

Ndërkohë, kam vendosur organizimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë që të vlerësojmë në çdo aspekt teknik projektin e lotit 1 – duke mos përjashtuar edhe rishikimin e tij nëse ka vend për një rishikim që e përmirëson projektin – gjë që do ta bëjmë në çdo hap me çdo projekt e në çdo kantier, ku dalin probleme apo lindin ide fituese në të mirë të projektit. Fokusi i këtij vlerësimi do të jetë tek nyja strategjike e quajtur e Shqiponjës, ku çdo marzh sado i vogël përmirësimi do të konsiderohet me shumë seriozitet.

Së fundi, i kam kërkuar ARRSH-së që të përgatitet që çdo garë publike e organizuar prej atij institucioni të jetë live, para kamerave dhe publikut. Ndërkohë që dy projektet strategjike të PPP-ve për akset Milot – Balldren dhe Orikum – Llogara, do t’ia përcjell qeverisë dhe pastaj parlamentit, për të siguruara një debat transparent mbi faktet e shifrat, në sytë e publikut dhe evituar për aq sa mundemi, debatet e neveritshme me akuza e me shpifje për çdo punë që baltoset pa u nisur.