» Turizmi, Gjiknuri e Klosi vizitojnë Adventure Point në Jalë
Postuar më: 29/07/2018

Turizmi, Gjiknuri e Klosi vizitojnë Adventure Point në Jalë

Në vijim të punës mbi zhvillimin dhe pilotimin e modeleve të turizmit të qëndrueshëm këtë të fundjavë u bë një vizitë në Pikën e Aventurës (Adventure Point) në Jalë. Pika e ngritur me mbështetjen e pjesshme të GIZ Shqipëri, synon tu ofrojë vizitorëve vendas e të huaj mundësinë e përfshirjes në aktivitete sportive si ngjitje në mal, Jeep Safari, kajak, zhytje, stand-up paddle, mountain biking etj, edhe përtej sezonit investiv të verës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, njëkohësisht deputet i zonës tha se synohet zgjatja e periudhës së sezonit turistik në vend.

“Që turizmi në jugun e Shqipërisë të jetë një paketë e diversifikuar, pra jo vetëm plazh por të ketë sporte të kombinuara dhe me bukuri të tjera të natyrës. Qëllimi është që të zgjatet sezoni turistik, të vijnë njerëz që i pëlqejnë këto sporte, të vijnë të huaj të cilët nuk duan vetëm bregdetin shqiptar, por duan të kenë një paketë më të diversifikuar. Unë kam kënaqësi që e mbështes këtë iniciativë dhe jami bindur që kjo do të shtrihet në shumë pika të tjera të zonës”, theksoi Gjiknuri.

Në vlerësimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, sfida është që tanimë turizmi të shihet si një ekonomi.

“Sot akoma jemi në fazën që turizmi trajtohet si një shërbim. Ne padyshim nëqoftëse nuk e kthejmë turizmin në një ekonomi, ekonomi e cila prodhon të mira, prodhon para, prodhon punësim nuk do jemi aty ku duhet. Siguria në plazhe dhe pastërtia në plazhe këtë vit është shumë herë më mirë se një vit më parë, por ama kemi nevojë që të vazhdojmë dhe të edukojmë qytetarët shqiptarë për aksionet tona të mëdha në kuadër të mbajtjes pastër të plazheve”, nënvizoi Klosi.

Ministrat ndoqën disa aktivitete të tjera të zbatuara nga GIZ Shqipëri, financuar nga qeveria gjermane në kuadër të projektit “Krijimi i mundësive duke mbrojtur trashëgiminë dhe natyrën”, mbështetur tek popullsitë e Vlorës, Himarës e Konispolit për një zhvillim të integruar të bregdetit të jugut.

Ministri Gjiknuri inspektoi edhe punimet që po kryhen për asfaltimin e rrugës së fshatit Pilur duke vlerësuar se zhvillimi i infrastrukturës tanimë do zhvendoset edhe drejt fshatrave.

“Kjo rrugë e cila do të mbarojë për pak ditë do të krijojë një akses më të mirë për të gjithë fshatin dhe për të gjithë ata që janë kuriozë për të parë edhe këtë pjesë të bregdetit shqiptar. Sepse investimet deri tashti kanë shkuar kryesisht në zonat bregdetare, por pak nga pak edhe programi jonë i Rilindjes Rurale do të çojë në një infrastrukturë më të përmirësuar në fshatra. Ky është një shembull konkret që një infrastrukturë kaq shumë e munguar për fshatin e Pilurit po bëhet realitet”, theksoi Gjiknuri.