» Ministrja Balluku lançon projektin për dixhitalizimin e arkivave tekniko-shkencore
Postuar më: 01/03/2019

Ministrja Balluku lançon projektin për dixhitalizimin e arkivave tekniko-shkencore

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka lançuar nismën më të re për dixhitalizimin e gjithë arkivave tekniko – shkencore të institucioneve të varësisë, si një domosdoshmëri për ruajtjen e një pasurie të rëndësishme kombëtare. Kjo nismë për dixhitalizimin e arkivave tekniko – shkencore, që është vlerësuar si shumë e rëndësishme dhe me vlerë specifike për shtetin shqiptar, është bërë publike gjatë një vizite të ministres Balluku në Qendrën e Prodhimit të Naftës dhe Qendrën Mekanike të Naftës në Kuçovë. Dy institucionet e inspektuara kanë në fondin e tyre, arkiva me vlera të mëdha historike, por edhe për kërkimet e mëtejshme në fushën e naftës.

Në Qendrën e Prodhimit të Naftës, drejtori Gjergji Mihali e ka njohur ministren me dokumentacionin që ka arkiva e kësaj qendre, të cilin e ka konsideruar një fond të artë të gjeologjisë.

“Këtu jemi aktualisht në Fondin e Gjeologjisë, që pa frikë mund të quhet fondi më i vjetër i Shqipërisë përsa i përket çështjeve të naftës. Në këtë fond përfshihen të gjithë puset e shpuara që nga shoqëria AIPA në vitin 1928 dhe në vazhdimësi. Përfshihen gjithë projektet e asaj periudhe por edhe të periudhës së mëvonshme deri në vitin 1991 kur është shpuar pusi i fundit. Siç ka biografinë njeriu kanë dhe puset biografinë e tyre”, është shprehur Mihali.

Ndërsa në Qendrën Mekanike të Naftës kryeinxhinieri Petrika Shtrepi ka treguar për mënyrën se si janë ruajtur me fanatizëm të gjithë projektet që mbajnë firmat e mbi 150 inxhinierëve shqiptarë.

“Që nga fillimi i punës si sektor, pastaj si Uzinë, janë të gjitha dhe mbajnë firmat e tërë inxhinierëve, armatës që kanë kaluar këtu, mbi 150 inxhinierë që kanë kaluar në Uzinë. Sot, aktualisht pak jemi, por ruhet me fanatizëm, janë nëpër kalke. Nuk i kemi dixhitalizuar se është një volum shumë i madh i punës që nuk mundet”, ka thënë Shtrepi.

Ministrja Balluku ka vlerësuar punën e bërë në këto dy institucione për të ruajtur këto projekte dhe materiale shumë të vlefshme, por ka theksuar se tashmë duhet që këto arkiva të dixhitalizohen.

“Në këtë uzinë ka një arkiv teknike, që është një pasuri shtetërore. Edhe unë e shikoj që e keni ruajtur me shumë kujdes, por unë dua të nis një projekt i cili do të përfshijë të gjithë Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, pasi ne kemi shumë arkiva në ndërmarrjet e varësisë, në institucionet e varësisë të cilat janë pasuri shtetërore. Siç janë këto projekte që keni ju nga viti ’54 nga inxhinierët më të mirë të fushës, të cilat nuk mund të vazhdojnë të rijnë në kalqet, që sapo thamë sepse duhet të dixhitalizohen, që shteti t’i ketë këto pasur edhe për brezat që do vijnë më pas, edhe për projektet që do zhvillohen më pas”, është shprehur ministrja Balluku.

Ajo ka theksuar se nisma do të aktivizohet shumë shpejt dhe do të bëjë të mundur që këto materiale të rëndësishme, jo vetëm të ruhen, por edhe të rifitojnë vlerën e vërtetë duke u vënë në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të sektorit të naftës.

Janë një sërë institucionesh të varësisë së MIE, të cilat kanë në fondin e tyre arkiva shumë të rëndësishme tekniko- shkencore, të tilla si Instituti i Ndërtimit, Instituti i Naftës, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, AKBN etj.

Më herët ka pasur përpjekjet të veçuara të këtyre institucioneve për të bërë një sistemim elektronik të këtyre arkivave, por asnjëherë nuk është kryer përfshirja e këtyre arkivave në një sistem të plotë të dixhitalizuar, çka pritet të kryhet tashmë me projektin e ri të lançuar nga ministrja Balluku.