Fjala e Ministrit Karakaçi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave
Përshëndetje!
Kemi miratuar sot tre marrëveshje me qeverinë gjermane në një vlerë financimi total prej 110 milionë euro, nga të cilat 20 milionë euro janë grant për tre projekte shumë të rëndësishme.
Projekti i parë lidhet me vazhdimin e rehabilitimit të konvikteve të studentëve nën programin e efiçencës energjetike. Pas përmbylljes me sukses të 5 konvikteve të para, vazhdojmë punën për 14 konviktet në vijim, përsëri në vijim të politikave për t’a bërë procesin e studimit sa më të mirë studentëve, por edhe në kushtet e efiçencës energjetike.
Programi i dytë, bëhet fjalë për rehabilitimin e hidrocentralit të Vau të Dejës. Hidrocentrali i Vau të Dejës është një vepër e rëndësishme energjetike, e ndërtuar rreth 50 vite më parë, prodhon rreth 28% të prodhimit të KESH dhe me këtë investim shumë të rëndësishëm, së pari i shtojmë jetëgjatësinë këtij hidrocentrali me 30 vite, por edhe bëjmë rehabilitimin e plotë të të gjithë asetit të hidrocentralit, transformatorëve, sistemit SCADA etj.
Si dhe programi i tretë që përfiton nga ky financim prej 110 milionë eurosh është dixhitalizimi i sistemeve të operatorit të transmetimit. Bëhet fjalë për dixhitalizimin e rreth 40 nënstacioneve që do bëjnë të mundur kapacitete shtesë të burimeve të energjisë të rinovueshme në rrjet, por dhe mundësi për të menaxhuar të gjitha këto flukse të energjisë në mënyrë më dinamike dhe në mënyrë më të saktë. Bëhet fjalë për sisteme IT dhe sisteme dixhitalizimi për SCADA-n dhe çdo gjë që bën ndërlidhjen në distancë ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe këtyre nënstacioneve.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë