Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me AKEP, organizuan Takimin Dialogues për konsultimin e projektligjit të ri “Për masat për zvogëlimin e kostove të ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta – Akti i Infrastrukturës Gigabit”
Ky projektligj synon përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ai shënon një përmirësim të rëndësishëm të kuadrit ekzistues ligjor, duke sjellë risi dhe lehtësime për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta (VHCN), në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Në fjalën e saj Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, theksoi rëndësinë e këtij projektligji për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe për zhvillimin e infrastrukturës moderne digjitale në vend.
Kryetari i AKEP, Gentian Sala vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe dialogut me grupet e interesit për zhvillimin e rrjeteve moderne të komunikimeve elektronike.
Gjatë aktivitetit, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë prezantuan projektligjin dhe risitë kryesore që ai sjell në kuadër të transpozimit të Rregullores (BE) 2024/1309 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, “Mbi masat për uljen e kostos së vendosjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike Gigabit”.
Diskutimet u përqendruan në lehtësimin e ndërtimit të rrjeteve me kapacitete shumë të larta (VHCN), standardet teknike, koordinimin ndërinstitucional dhe rolin e aktorëve të përfshirë në zhvillimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike.
Gjatë tryezës së diskutimit, pjesëmarrësit paraqitën komente dhe sugjerime mbi projektligjin, duke kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe përafrimin e tij me standardet evropiane.
Projektligji është publikuar për konsultim publik në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Procesi i konsultimit publik do të vijojë deri më 14 maj 2026.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë