Në aksin rrugor Kombinat-Ndroq-Plepa kanë përfunduar punimet në lotin e parë prej 5 kilometrash. Me lidhjen e kontratave, shumë shpejt do të nisë puna në terren edhe për 9 kilometrat e tjerë pasues të kësaj rrugore.
Ndërkohë për rikonstruksionin e të gjithë këtij aksi rrugor është siguruar financimi i plotë dhe në javët e ardhshme pritet të hapet gara edhe për 10 kilometrat e tjerë që përmbyllin të gjithë këtë rrugë deri në zonën e Plepave, në Durrës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli inspektuan punimet e realizuara deri më tani në këtë aks, rikonstruksioni i të cilit jo vetëm do të lehtësojë lëvizjen, duke shërbyer si një rrugë alternativë për të gjithë drejtuesit e automjeteve me destinacion Durrësin apo jugun e vendit, por njëkohësisht do të nxisë zhvillimin ekonomik të të gjithë zonës.
“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat-Plepa. Tashmë 5 kilometërshi i parë që të çon deri në Pezë është i përfunduar dhe e ka marrë në dorëzim Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues. Po ashtu, që është element i rëndësishëm për shkak të rëndësisë që ka ky segment rrugor është që dhe 10 kilometërshi që të çon deri në Durrës, në Plepa, tashmë është i financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapë procedurën e konkurrimit”, bëri të ditur ministri Karakaçi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej tek ndikimi që pritet të këtë ky projekt në të gjithë zonën përgjatë së cilës kalon. “Së pari, është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. E dyta, këtu kemi një zonë bujqësore dhe është edhe më e thjeshtë dhe më e shpejtë tashmë aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Por, po ashtu, kjo është një zonë piktoreske, dhe rritet edhe vlera e pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment”, tha Karakaçi.
Drejtori i ARRSH sqaroi detaje të këtij projekti duke nisur me parametrat që do të këtë tashmë ky aks rrugor. “Do të jetë një rrugë e kategorisë C1, me një gjerësi 12.5 metër. Do jenë dy karrexharatë të plota me gjerësi 3.75 metër, ndërkohë që do ketë edhe dy bankina të asfaltuara nga 1.5 metra dhe dy bankina të pa asfaltuara nga 1 metër të gjëra”, tha Kozeli.
Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i urës së re të Beshirit, e cila kalon mbi lumin Erzen dhe do të jetë paralel me urën ekzistuese.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë