Miratohet financimi për përfundimin e aksit Tiranë-Elbasan
Është miratuar marrëveshja e financimit të nevojshëm për përfundimin e plotë të punimeve në aksin Tiranë-Elbasan. Kjo marrëveshje parashikon bërjen të mundur të financimit për të përfunduar segmentin e mbetur të aksit Tiranë-Elbasan, nga Iba deri në hyrjen e tunelit të Kërrabës. Për të vlerësuar koston e punimeve të mbetura për segmentin Nr.1, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kërkuar vlerësim individual paraprak nga kontraktori dhe supervizori ndërsa në përfundim ka rezultuar se kostoja e punimeve civile të mbetura është 13,457,665 USD. Në kushtet e mungesës së financimit, qeveria ka zhvilluar negociata me fondin OPEC për financimin e projektit me vlerë 16,000,000 USD, e detajuar si vijon: punimet civile në vlerë 13,457,665 USD; shërbimin e konkurrencës 996,251 USD; Njësia Monitoruese e Projektit 40,000 USD dhe një fond rezervë prej 1,506,084 USD i cili do të vihet në përdorim vetëm në rast se do të jetë i nevojshëm për projektin. “Përfundimi i kësaj vepre do të krijojë mundësira të mëdha për komunikimin në gjithë pjesën e jugut,” është shprehur Ministri Gjiknuri gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë