Durrës, investim i ri për një sistem modern të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/09/2026

Durrës, investim i ri për një sistem modern të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi:

E nderuar ambasadore Suard,

Të nderuar përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian,

I nderuar zoti Lecourtier,

E nderuar kryetare e Bashkisë Sako,

Jemi sot këtu për të shënuar nisjen e një investimi shumë të rëndësishëm për Durrësin, por edhe për të konfirmuar një vizion më të gjerë të Qeverisë Shqiptare, atë të transformimit të mënyrës se si menaxhojmë ujërat e ndotura në Shqipëri.

Projekti që nisim sot është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve shqiptare, Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe partnerëve evropianë përmes WBIF-së. Dhe është një shembull shumë i mirë i asaj që mund të arrijmë kur investimet publike kombinohen me mbështetjen financiare dhe teknike të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Projekti i kanalizimeve në Bashkinë e Durrësit është konceptuar në dy faza, të cilat së bashku synojnë të ndërtojnë një sistem modern, të plotë dhe të qëndrueshëm të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura në qytetin e Durrësit.

Faza e parë fokusohet në modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, si dhe në rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në qendrën historike dhe në zonën e Kënetës. Bëhet fjalë për një investim shumë të konsiderueshëm, me rreth 33.4 milionë euro kredi nga Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe 84.8 milionë euro grant nga korniza e investimeve të Ballkanit Perëndimor, që në fakt është edhe vlera më e lartë e përfituar ndonjëherë nga Qeveria Shqiptare për projekte infrastrukturore, duke krijuar bazën financiare kështu për një ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturën e qytetit.

Ndërkohë, faza e dytë, po aq e rëndësishme, do të zgjerojë rrjetin e kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romano, Spitallë. Parashikohen rreth 113 kilometra rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13,000 lidhje të reja kanalizimesh. Qëllimi është i qartë në kombinim me fazën e parë, të sigurojmë mbulimin e plotë të zonës me shërbimin e kanalizimeve dhe të eliminojmë shkarkimin e ujërave të ndotura.

Faza e dytë, po aq e rëndësishme, rreth 52 milionë euro grant nga WBIF dhe rreth 21.5 milionë euro kredi përsëri nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, që është në procesin e miratimit të financimit sipas kalendarit të përcaktuar. Ajo që po ndërtojmë nuk është thjesht një rrjet tubacionesh apo një impiant, synimi është të ndërtojmë një sistem. Një sistem që nis me mbledhjen e ujërave të ndotura, vijon me transportin e tyre, trajtimin dhe përfundon me operimin e qëndrueshëm të të gjithë infrastrukturës.

Këto investime vijnë në vijim të një projekti tjetër po aq të rëndësishëm përsëri me qeverinë franceze, siç është projekti i furnizimit me ujë të Durrësit. Ky projekt përfshin rehabilitimin e rrjetit të shpërndarjes në qendër të Durrësit, rehabilitimin e sistemit të Fushë-Kuqës, hartimin e masterplanit të kanalizimeve dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse dhe është tashmë në zbatim. Në këtë mënyrë, të tre projektet furnizimi me ujë dhe dy fazat e kanalizimeve përbëjnë një paketë të integruar investimesh për Bashkinë e Durrësit.

Në fakt, Durrësi është një shembull i transformimit që po ndodh në të gjithë vendin. Ndoshta është shembulli më domethënës sepse sistemi i ujësjellës-kanalizimeve në këtë bashki ka qenë më i vështirë, për shkak edhe të largësisë së marrjes nga burimet e ujit, por edhe për shkak të shtrirjes mjaft të madhe që kjo bashki ka.

Disa vite më parë, sektori i ujërave të ndotura në vend përballej me një situatë të vështirë, pak impiante trajtimi, kapacitete të pamjaftueshme, rrjete të amortizuara dhe shkarkime të konsiderueshme pa trajtim të plotë. Sot situata është krejtësisht e ndryshme. Vetëm në vitin 2025 dhe i referohem shifrave të fundit, në përputhje me kërkesat e direktivës së trajtimit të ujërave të Bashkimit Evropian, rreth 79% e ngarkesës së ujërave të ndotura mblidhet përmes rrjetit, ndërsa rreth 28% merret në nivel trajtimi.

Këto shifra tregojnë progresin e bërë, por njëkohësisht na tregojnë shumë qartë edhe ku është sfidat jonë e radhës. Sfida sot nuk është vetëm ndërtimi i rrjetit, sfida është që rrjeti të lidhet me impiantet, që impiantet të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe që i gjithë sistemi të operojë sipas standardeve evropiane.

Në vitet e fundit kemi ndërtuar impiante të reja të trajtimit të ujërave të ndotura në disa zona, duke zgjeruar ndjeshëm infrastrukturën kombëtare. Sot inventari kombëtar evidenton 16 impiante të ndërtuara. Por ne nuk duam të ndalemi këtu. Në periudhën e afërt dhe të mesme janë planifikuar dhe financuar nga Buxheti i Shtetit apo me financim nga partnerët ndërkombëtarë ndërhyrje të rëndësishme si në Berat, Shkodër, Lezhë, Sarandë, Jalë, Dhërmi, Durrës që po e përurojmë sot, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj dhe zona të tjera.

Dhe kjo është vetëm pjesa e parë e një transformimi shumë më të madh. Në planin afatgjatë, Shqipëria synon ndërtimin e mbi 100 impianteve të reja të trajtimit të ujërave të ndotura, rreth 3,100 kilometra rrjete të reja kanalizimesh, rehabilitimin e rreth 1,650 kilometra të rrjetit ekzistues dhe ndërtimin e rreth 612 kilometrave kolektorë kryesorë dhe interceptorë.

Këto nuk janë thjesht kilometra tubacionesh dhe numra impiantesh, janë investime për shëndetin publik, për mjedisin, për turizmin, janë investime për cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Dhe për periudhën 2027–2030 vazhdojnë përsëri investimet e rëndësishme në këtë sektor. Më shumë se 330 milionë euro financim është tashmë i siguruar nga Buxheti i Shtetit dhe institucionet financiare ndërkombëtare për investime në grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Kjo tregon qartë se ky sektor është prioritet strategjik i qeverisë.

Sot në Durrës ne nuk po nisim vetëm një projekt infrastrukture, por po hedhim një hap tjetër të rëndësishëm të një standardi të ri të shërbimeve publike. Dhe dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe veçanërisht Bashkimin Evropian dhe të gjithë partnerët që kanë bërë të mundur këtë investim.

Bashkëpunimi me partnerët evropianë është një pjesë shumë e rëndësishme e transformimit, por mbi të gjitha dua të theksoj një objekt shumë të qartë, objektivi ynë nuk është vetëm të ndërtojmë impiante, objektivi ynë është të ndërtojmë një sistem të plotë mbledhje, transport, trajtim dhe operim të qëndrueshëm të ujërave të ndotura sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Dhe Durrësi është një nga shembujt më të rëndësishëm të këtij transformimi.

Faleminderit!