Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” të ndryshuar”, propozohet nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.
Ligji nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” i ndryshuar, është në përputhje të pjesshme me Direktivën Nr. 2000/31/KE, “Mbi disa aspekte ligjore të shërbimeve të Shoqërisë së Informacionit, veçanërisht mbi tregtinë elektronike në tregun e brendshëm” e njohur si Direktiva për Tregtinë elektronike.
Zhvillimet teknologjike, rritja e përdorimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, e bëjnë gjithnjë e më të nevojshëm kuptimin e qartë të shërbimeve dhe veprimtarive që rregullohen nga Ligji Nr. 10128 datë 11.5.2009. Shërbimet e shoqërisë së informacionit, mbulojnë një gamë të gjerë veprimtarish ekonomike dhe shërbimesh që kanë tri karakteristika: ofrohen përmes mjeteve elektronike, ofrohen në distancë dhe kundrejt kërkesës së marrësit të këtyre shërbimeve.
Ky projektligj synon:
– Qartësimin e shërbimeve që përfshin fusha e veprimit dhe përkufizimi ligjor i shërbimeve të shoqërisë së informacionit për të pasur një zbatim më të mirë të dispozitave aktuale në fuqi për shërbimet e shoqërisë së informacionit;
– Plotësimin me afate që lidhen me zbatimin e rregullave në fuqi, dhe përcaktimin e organeve mbikëqyrëse të zbatimit të këtij ligji;
– Si dhe të përafrojë nenin 17 të Direktivës Nr. 2000/31/KE duke përfshirë dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen jashtë gjyqësorit të mosmarrëveshjeve që lindin në ofrimin e shërbimeve të shoqërisë së informacionit dhe tregtisë elektronike.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë