Financimi për Tiranë-Elbasan, miratohet në komisione marrëveshja me OPEC - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 18/09/2018

Financimi për Tiranë-Elbasan, miratohet në komisione marrëveshja me OPEC

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro u paraqitën sot në komisionet kuvendore për të prezantuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë – Elbasan”.

Kjo nismë ligjore u diskutua dhe miratua në Komisionin për Politikën e Jashtme; Komisionin për Ekonominë dhe Financat; Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Kjo marrëveshje parashikon bërjen të mundur të financimit për të përfunduar segmentin e mbetur të aksit Tiranë-Elbasan, nga Iba deri në hyrjen e tunelit të Kërrabës. Për të vlerësuar koston e punimeve të mbetura për segmentin Nr.1, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kërkuar vlerësim invidual paraprak nga kontraktori dhe supervizori ndërsa në përfundim ka rezultuar se kostoja e punimeve civile të mbetura është 13,457,665 USD.

Në kushtet e mungesës së financimit, qeveria a zhvilluar negociata me fondin OPEC për financimin e projektit me vlerë 16,000,000 USD, e detajuar si vijon: punimet civile në vlerë 13,457,665 USD; shërbimin e konkurrencës 996,251 USD; Njësia Monitoruese e Projektit 40,000 USD dhe një fond rezervë prej 1,506,084 USD i cili do të vihet në përdorim vetëm në rast se do të jetë i nevojshëm për projektin.

I pyetur nga deputetët për afatin se kur do të përfundojë ky aks rrugor, ministri Gjiknuri theksoi se sipas parashikimit të punimeve të pakryera, nëse do të miratohet dhe behet efektiv financimi, brenda vitit rruga do të jetë e hapur për kalimin e mjeteve.

Referuar çështjes së rrëshqitjes së ndodhur në segmentin e tretë nga Tuneli i Kërrabës drejt Elbasanit, ministri sqaroi se është kryer studimi gjeologjik, miratuar projekti teknik për ndërhyrjen, zhvilluar gara dhe brenda pak ditësh nis ndërhyrja në terren për eliminimin e rrëshqitjes.

Pyetur për koston në të cilën ka arritur rruga në total deri më tani, ministri sqaroi se në fillim sipas kontratave ky aks rrugor ka qenë parashikuar të kushtojë 312 milion USD ndërsa aktualisht ai ka arritur në rreth 450 milion USD. Sipas tij, kjo ka ardhur për shkaqe komplekse mes të cilave edhe keqmenaxhimi i kontratës, mungesa e studimeve të duhura gjeologjike etj, por për këtë çështje Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ushtruar një audit duke depozituar në Prokurori një kallëzim penal.

Ministri Gjiknuri nënvizoi se i takon organit të akuzës që të trajtojë plotësisht atë çka ka ndodhur me rrugën Tiranë-Elbasan.