Zhvillohet panairi i Ndërtimit, Arkitekturës dhe Planifikimit Urban - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/10/2018

Zhvillohet panairi i Ndërtimit, Arkitekturës dhe Planifikimit Urban

Me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në datat 26-28 tetor 2018 në ambientet e Expocity Albania do të zhvillohet panairi i ndërtimit, arkitekturës dhe planifikimit urban. Panairi nuk do të jetë vetëm ekspozim apo shkëmbim informacioni mes pjesëmarrësve, por edhe një moment njohje mbi zhvillimet e industrisë së ndërtimit, botës së arkitekturës dhe planifikimit urban, në nivel kombëtar dhe rajonal.

Në këtë panair do të marrin pjesë markat më të njohura të industrisë së ndërtimit, së bashku me një numër të madh të subjekteve dhe profesionistëve të arkitekturës, planifikimit urban dhe të pasurive të paluajtshme. Gjatë panairit do të ketë evente, forume, workshops dhe prezantime nga kompani të ndryshme. Diten e hapjes do të organizohet edhe një tryezë sektoriale me përfaqesues të MIE, dhomave të tregëtise dhe industrisë, Dhomës Amerikane, sipërmarrës dhe ndërtues, përfaqësues të shoqatës së ndërtimit dhe arkitekturës etj.

Në ditën e dytë, Expocity Albania do të zhvillojë forumin me tematikë “Modernizimi i ndriçimit publik me eficencë të lartë energjie – sfida për pushtetin vendor në Shqipëri”, me mbështetjen e GIZ dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Pjesë e këtij forumi do të jenë autoritete të rëndësishëm të këtij sektori si: Z. Gjergj Simaku – Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë në MIE, Z. Ismail Beka – Menaxher i Prokjektit te GIZ për Eficiensën e Energjisë, Z.Orion Zavalani – Prof. Universiteti Politeknik, Z.Pirro Serjani- Drejtor i Ndriçimit Publik Bashkia Tiranë, Znj. Vilma Peto- Eksperte per Ndricimin Bashkia Korcë, Z. Dritan Meta- Zevendës Kryetar Bashkia Shkodër.