Themelohet Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 27/05/2021

Themelohet Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare

Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), është iniciativa më e re e ndërmarrë nga Porti i Durrësit në bashkëpunim me Universitetin e Durrësit dhe Institutin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, si dhe me mbështetjen e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, e cila ka në fokus trajnimin dhe kualifikimin e të rinjve në industrinë e detit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis partnerëve të CEMA ishin ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, Drejtori i Parë i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek, si dhe përfaqësues nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” si dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Në fjalën e saj, ministrja Ballaku solli në vëmendje projektet të cilat Qeveria Shqiptare ka planifikuar në industrinë e detit, për t’i dhënë këtij sektori rolin që i takon duke e kthyer në një pikë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendi. Ky zhvillim, shtoi Balluku, ka nevojë gjithmonë e më shumë për profesionistë të fushës dhe për këtë arsye Qendra e Ekselencës do të ketë një rol kyç në këtë drejtim.

“I gjithë ky zhvillim i industrisë detare, sigurisht kërkon burime njerëzore. Duhet pasur parasysh që asnjë projekt, asnjë strategji apo ide nuk mund të jetë e suksesshme nëse ne nuk kemi burime njerëzore të trajnuara, të specializuara, të cilat ngrihen mbi dijen. Ka mjaftë profesionistë të talentuar, por talenti nuk mjafton asnjëherë për të qenë i suksesshëm. Kemi nevojë që këto talente t’i ushqejmë me dije, t’i ushqejmë me baza konkrete për një industri kaq të rëndësishëm siç është ajo detare. Një industri e cila në thelb është e rëndësishme për ekonominë shqiptare”, theksoi Balluku.

Jo vetëm Porti i Durrësit, por duke nisur nga Shëngjini, Vlora e Saranda, janë një sërë projektesh të cilat parashikojnë një transformim rrënjësor të këtyre porteve duke impaktuar drejtpërdrejt në ekonominë  jo vetëm të qyteteve ku ato janë vendosur, por edhe në atë kombëtare.

“Duhet pasur parasysh se kemi shumë punë përpara dhe është e rëndësishme që të krijojmë kushtet e nevojshme pranë Portit të Durrësit, por sigurisht pa harruar të gjitha portet e tjera. Kjo mund të jetë baza nga ku ne mund të shpërndajmë dijen, të trajnojmë profesionistët e ardhshëm dhe t’i çojmë ata atje ku duhet të kontribuojnë edhe në portet e tjera”, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

CEMA do të shërbejë si qendër trajnimi dhe objekt i ndërtimit të kapaciteteve për personat detarë si dhe një pikë takimi midis sektorit detar dhe akademisë. Një komponent i rëndësishëm do të jetë kontributi i tij në hartimin e politikave për çështjet detare.