Takimi i 17-të i Nënkomitetit BE-Shqipëri - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/02/2026

Takimi i 17-të i Nënkomitetit BE-Shqipëri

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u zhvillua Takimi i 17-të i Nënkomitetit BE-Shqipëri për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit, Arsimin, Kulturën, Politikat Sociale dhe Punësimin, në kuadër të dialogut ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian.

Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të znj. Enkelejda Muçaj, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Z. Hubert Duhot, Bashkëkryetar i DG ENEST.

Gjatë sesioneve tematike, palët diskutuan mbi progresin e arritur dhe hapat e mëtejshëm në fushat e:

  • shkencës, kërkimit dhe inovacionit, përfshirë pjesëmarrjen në programet e BE-së dhe forcimin e ekosistemit të inovacionit;
  • transformimit digjital, medias dhe përafrimit me acquis të BE-së në sektorin e komunikimeve elektronike, medias dhe sigurisë kibernetike;
  • arsimit, kulturës dhe zhvillimit të aftësive;
  • politikave sociale, punësimit dhe barazisë, me fokus në përafrimin legjislativ dhe zbatimin e reformave sociale;
  • lëvizjes së lirë të punëtorëve dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për zbatimin e acquis përkatës.

 

Diskutimet u përqendruan veçanërisht në përmbushjen e “closing benchmarks”, avancimin e reformave të planifikuara dhe koordinimin ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Përfaqësuesit e institucioneve shqiptare prezantuan progresin e arritur deri më tani, ndërsa palët shkëmbyen opinione dhe rekomandime konkrete për hapat e ardhshëm, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Takimi u zhvillua në format fizik dhe online, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve nga Komisioni Evropian, delegacioni evropian dhe të ambasadorëve.