» Skanohen kontratat koncesionare, 8 me shkelje të kushteve kontraktuale
Postuar më: 05/03/2019

Skanohen kontratat koncesionare, 8 me shkelje të kushteve kontraktuale

Deklaratë për media e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Hantin Bonati:

Në zbatim të Urdhërave nr. 47 dhe nr.48, datë 30.1.2019, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, “Për verifikimin e zbatimit të kushteve të kontratave koncesionare dhe kontratave objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.822, datë 7.10.2015, për burimet hidrike të energjisë”, strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë duke vijuar skanimin e situatës mbi korrektësinë e zbatimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e subjekteve.

Ky proces, i iniciuar nga shqetësime të ngritura nga komunitete të ndryshme, duke filluar nga komunitete banorësh, e deri tek shoqatat në mbrojtje të mjedisit, ka 2 qëllime kryesore:

SË PARI – Për të zgjidhur dhe mitiguar problematikat potenciale të së tashmes.

SË DYTI – Për të identifikuar të gjitha ato aspekte problematike proceduriale që janë ndeshur deri më sot lidhur me aspektet planifikuese, implementuese, kontrolluese dhe monitoruese, në mënyrë adresimin ligjor për zgjidhjen e tyre, si dhe riinxhinierimin e të gjithë proceseve dhe procedurave.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si një ndër aktorët kryesorë dhe si iniciues i procesit të skanimit, po vijon punën për monitorimin dokumentar dhe në terren.

Në këtë proces kompleks, strukturat e Ministrisë janë duke bashkëpunuar ngushtësisht dhe me institucione të tjera publike, ndër më kryesorët mund të përmendim:

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila, sipas fushës së saj të përgjegjësisë, po verifikon vlefshmëritë e lejeve mjedisore për këtë tipologji aktivitetesh, nëse këto veprimtari cënojnë zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës, sikurse dhe nëse subjektet kanë zbatuar dhe përmbushur me përpikmëri kushtet e përcaktuara në lejet mjedisore;

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili po verifikon zbatimin e lejeve të ndërtimit nëse këto ndërtime janë kryer në respektim të përcaktimeve të lejeve zhvillimore që gëzojnë.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Ujore, e cila, po verifikon vlefshmëritë e lejeve për përdorimin e burimeve ujore.

Verifikimet në terren po bëhen në prezencë të përfaqësuese të subjekteve, ndërsa përsa i përket verifikimeve dokumentare me subjektet do të vijohet të komunikohet nëpërmjet korrespondencave zyrtare.

Aktualisht kanë kaluar procesin e skanimit 54 dosje, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme të mëdha dhe shkelje të kushteve kontraktuale, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëashme të kontratës.

Ndër problematikat kryesore të konstatuara nga kontrolli i deritanishëm mund të përmendim:

· Mosrespektim e afateve kohore proceduriale;

· Mosrespektimin e kushteve dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara (qofshin të aspektit ndërtimor, mjedisor, financiar etj)

Në vëmendje të analizës sonë janë jo vetëm problematikat që janë rezultat i pakorrektësisë nga ana e subjekteve, por janë dhe problematikat që janë shkaktuar nga burokracia proceduriale e ndjekur nga institucionet publike.

Ndërprerja e kontratave është një proces kompleks dhe nga ana e Ministrisë po procedohet në mënyrë të kujdesshme që të mos ketë risqe dhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit.

Problematikat e konstatuara, në mënyrë të përsëritur gjatë këtij procesi skanimi, do të analizohen dhe do të shërbejnë si referencë për ndryshimet ligjore që do të propozohen në këtë sektor.