Fjala e Zv.kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sektori i energjisë dhe masat për sezonin turistik
Përshëndetje të gjithëve!
Ky është një komunikim publik përsa i përket sistemit elektroenergjitik shqiptar, duke marrë shkasë edhe nga fillimi i sezonit veror dhe gjithë ngarkesa e shpërndarë tashmë në të gjithë vendin dhe jo vetëm në ultësirën perëndimore, siç e kemi pasur zakonisht, duke qenë se turizmi është shtrirë kudo në territorin shqiptar, por edhe për të adresuar një sërë risish apo dhe arritjesh që sektori elektroenergjitik shqiptar ka pasur. Duhet thënë patjetër që aktualisht ky sektor ndodhet në momentin më të mirë, duke pasur parasysh të gjitha rezultatet që vijnë edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe nga ndërmarrjet që operojnë në këtë sektor, ashtu siç është OSHEE Group, KESH dhe OST, pa lënë mënjanë dhe Agjencinë e Eficiencës së Energjisë.
Sot sistemi elektroenergjitik shqiptar po ecën drejt integrimit të tregjeve, liberalizimit të furnizimit, vetëprodhimit të energjisë, që është një nga incentivat që ne kemi nxitur në pesëvjeçarin e fundit dhe padyshim të gjitha këto kanë bërë që komponentët kryesorë të këtij sektori të vijnë drejt përmirësimit, duke sjellë kështu edhe një rezultat të mirë në të gjithë treguesit, të cilët janë treguesit matës të këtij sektori. Duke pasur parasysh gjithashtu edhe gjithë vëmendjen që ne i kemi dhënë pavarësisë energjetike dhe transformimit të vendit në një vend, i cili pretendon që brenda vitit 2030 të kthehet në një eksportues neto të energjisë elektrike, sidomos asaj të rinovueshme.
Energjia elektrike tashmë nuk është vetëm një shërbim, të cilin ne e ofrojmë si një shërbim bazik për qytetarët tanë, por nga ana tjetër është kthyer në një produkt që qarkullon në tregje dhe jo vetëm në tregjet kombëtare, duke rritur kështu kapacitetet ekonomike të vendit, por edhe në tregjet rajonale. Sot Shqipëria ka rritur kapacitetet e saj prodhuese me 500 megavatorë të ardhur nga parqet solare dhe duke krijuar kështu një diversifikim të portofolit, ashtu siç kemi nisur 5 vite më parë, duke siguruar jo vetëm qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik shqiptar, por edhe duke garantuar zhvillim të mbështetur në burimet e rinovueshme.
Shqipëria është gjithashtu sot një nga vendet tërheqëse për investime ndërkombëtare në energjinë e rinovueshme, duke pasur parasysh të gjitha kompanitë e huaja që operojnë sot në territorin tonë, ato që kanë nisur proceset e ndërtimit të parqeve të tyre si fotovoltaike, ashtu edhe eolike, por nga ana tjetër edhe të investimeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me inovacionin dhe teknologjinë e re që ka hyrë tashmë në sektorin elektroenergjitik. Duhet thënë që shëndoshja financiare e sektorit elektrik në Republikën e Shqipërisë ka sjellë një sërë rezultatesh të mira, të cilat janë të bazuara mbi performancën dhe do të nisja këtu nga OSHEE Group, një performancë e shkëlqyer që gjatë vitit 2024 u kurorëzua me një fitim prej 7.3 miliardë lekësh, duke na dhënë kështu mundësi së bashku me performancën e mirë të OST-së dhe të KESH, që të krijonim një hap të ri për herë të parë mbas 30 vitesh në sistemin elektroenergjetik shqiptar të bënim një ulje të rëndësishme të çmimit dhe jo më me ato skemat e mëparshme të viteve 2007, 2006 apo deri në 2013, duke krijuar fasha dhe duke bërë ulje të cilat nuk ishin të vërteta, por duke bërë një ulje të vërtetë e cila tashmë është një ulje prej 10.5% e faturës së abonentëve familjarë për 1 milion e 70 mijë abonentë, të cilët në total gjatë vitit përfitojnë rreth 100 milionë euro. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të mirëmenaxhimit financiar të tre kompanive, por, nga ana tjetër, edhe me vullnetin dhe dëshirën e mirë të Qeverisë Shqiptare, të kryeministrit Edi Rama për t’i dhënë qytetarit shqiptarë mundësi për të pasur kursime nga një energji që vjen nga burimet e rinovueshme dhe tashmë burimet të konsoliduara dhe jo vetëm burimet hidrike që na linin në varësi të motit.
Duhet thënë gjithashtu që krahas investimeve në infrastrukturë dhe investimeve në infrastrukturën e transmetimit dhe të shpërndarjes, një punë rigoroze nga ekipi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, po sigurisht edhe nga ndërmarrjet e varësisë është bërë përsa i përket politikave dhe reformave në sektorin energjetik. Kjo ecuri sigurisht është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian, duke na dhënë mundësinë kështu në kulmim për të përcjellë pozicionin negociues të grupkapitullit numër 4, i cili përfshin agjendën e gjelbër edhe ndërlidhjen e qëndrueshme dhe duke hapur kështu negociatat për anëtarësim. Ky është një moment thelbësor në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian që na lejon dhe na jep mundësinë për të vazhduar inovacionin, për të ulur çmimet për qytetarët, por nga ana tjetër edhe për të qenë krenar për rezultatet e deritanishme, duke pasur parasysh që e gjithë kjo punë na vendos përpara një përgjegjësie shumë të madhe jo vetëm gjatë procesit të negocimit, por edhe për përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra për të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që duhen performuar, siç është dhe rasti i ligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike, i cili tashmë është në draftin e tij final dhe ne planifikojmë që shumë shpejt ta hedhim për një konsultim publik të detajuar me të gjithë grupet e interesit.
Është një kënaqësi dhe dua ta them këtë krenari e veçantë tek shikojmë që rezultatet e arritura në pesëvjeçaren e fundit në sektorin elektroenergjetik shqiptar kanë filluar që të njihen dhe të vlerësohen dhe nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Vetëm pak ditë më parë kam ndarë në mediat e mia sociale një njoftim shumë të rëndësishëm nga World Economic Forum, një nga organizmat më prestigjioze ndërkombëtare, e cila ka renditur Shqipërinë të parën në komponentin e qëndrueshmërisë, duke lënë pas shtetet si Zvicra apo si Franca. Është shumë e komentuar kjo, ky lajm sigurisht u bë publik dhe tek lexoja komentet shikoja që me të vërtetë kishte shumë që ishin të habitur nga kjo arritje e Shqipërisë, por kishte edhe shumë komente të cilat vinin në dyshim këtë lajm. Fatmirësisht, është komplet e mundur që të aksesohet faqja e World Economic Forum dhe të shikohet sesa është i vërtetë ky lajm dhe me të vërtetë do të dëshiroja shumë që kur vjen në çështje që Shqipëria renditet e para, këtu nuk duhet të ketë as ndarje politike edhe as narrativa diskriminuese, pasi kjo është një e mirë e të gjithë shqiptarëve dhe kjo është një e mirë për emrin e vendit tonë. Sipas publikimit të World Economic Forum Shqipëria udhëheq me 78.8 pikë me një rritje prej 3.8 pikësh nga viti i kaluar në treguesin e qëndrueshmërisë me 100% të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta të emetimeve të dëmshme në rang botëror. “Përpjekjet për të diversifikuar burimet me energji diellore dhe ata të erës, sëbashku me modernizimin e infrastrukturës energjitike, dëshmojnë një angazhim të fortë ndaj sistemit të energjisë së pastër dhe të vetëqëndrueshëm”, theksohet në raportin e World Economic Forum.
Gjithashtu, Shqipëria ka shënuar një përmirësim më të madh në komponentin e sigurisë, me një rritje prej 15.3% nga viti i shkuar. Sipas raportit Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm sigurinë energjetike falë ndërhyrjeve rehabilituese në asetet e kaskadës, ndërlidhjeve rajonale dhe diversifikimit të burimeve. Mbështetur nga investimet dhe reformat kombëtare, këto masa rritën sigurinë energjetike dhe reduktuan varësinë nga furnizimi i varur nga kushtet atmosferike.
Një analizë për të bërë krenar çdo shqiptar, një analizë për të na dhënë stimul të gjithë ne që jemi kontribuues në sektorin energjetik shqiptar, duke nisur nga elektricistët tek inxhinierët, tek drejtuesit e të gjitha ndërmarrjeve, apo edhe ekspertët dhe specialistët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë një vlerësim ndërkombëtar, i cili tashmë validon një punë pesëvjeçare të rëndësishme të bërë në Shqipëri, duke nisur nga diversifikimi i burimeve energjetike të rinovueshme, duke shkuar më pas tek nxitja e vetëprodhimit për të gjitha ato ndërmarrje dhe industri, të cilat kanë nevojë për energjinë elektrike, duke shkuar tek reformat dhe politikat që ne kemi ndërmarrë për të përafruar legjislacionin tonë sa më pranë atij të Bashkimit Evropian dhe duke na dhënë kështu mundësinë për të filluar tashmë negocimin e grupkapitullit 4, që ka të bëjë me agjendën e gjelbër dhe qëndrueshmërinë dhe duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e pikave të referimit, për t’u marrë shembull përsa i përket qëndrueshmërisë energjetike, por duke mos lënë mënjanë edhe sigurinë energjetike. Një nga komponentët më të rëndësishëm në ditët e sotme, ku gjeopolitika ka një dinamizëm të jashtëzakonshëm dhe ku energjia gjithmonë kthehet në vëmendjen e medias ndërkombëtare apo dhe të qeverive, si një nga armët më të rëndësishme dhe moderne të involvuar në ngjarjet gjeopolitike.
Unë do të ndalesha këtu, duke qenë se sot duhet të diskutojmë disa nga çështjet që janë në agjendën tonë, siç është edhe një analizë e detajuar e raportit të fundit të Entit Rregullator, që do të bëhet nga zëvendësministri Klosi. Për diskutuar gjithashtu edhe gjithçka kemi bërë me kapitalin njerëzor, që është një nga kolonat mbajtëse të sistemit energjitik shqiptar dhe ka qenë një detyrë që e kemi lënë dhe është diskutuar me OSHEE Group për të futur inxhinierë të ri, elektricistë të ri në trupën e saj dhe më pas për të kaluar tek raportimi i administratorit të OSSH-së përsa i përket investimeve që po kryhen ndërkohë në territorin e vendit tonë, por edhe për masat e marra për sezonin turistik, duke pasur parasysh se numri i vizitorëve në Republikën e Shqipërisë rritet nga viti në vit dhe për të kaluar në mbyllje në raportimin e administratorit të OST-së.
***
Shumë faleminderit, Enea! Do të doja ta nënvizoja edhe unë këtë fakt. Kur ne morëm vendimin për të ulur çmimin, duke qenë se është një vendim i cili lidhej edhe me efiçencën e energjisë, duke nxitur kështu që abonenti familjar të ketë mundësi që të kursej, të kuptoj rëndësinë e kursimit. Dhe i vetmi element që në tryezën tonë ishte një element që na shqetësonte dhe që për të thënë drejtën kemi kërkuar të gjitha mundësitë për të qenë sa më transparent me publikun ishte që do të kishim shumë ankesa nga ana e abonentëve përsa i përkiste leximit dhe për të thënë të drejtën ky ka qenë dhe shqetësimi i vetëm që kemi pasur në gjithë procesin dhe na është dashur që të punojmë shumë me incentivimin e të gjithë trupës së lexuesve, e cila tashmë është dhe e rinovuar me lexues të ri për t’i bërë ata që të kuptonin që kjo ulje e çmimit deri diku qëndronte dhe në integritetin e tyre dhe në mënyrën se si do ta zhvillonin këtë punë dhe me shumë kënaqësi identifikojmë sot që kanë bërë një punë shumë të mirë.
Pra, nga lexuesit duke nisur nga muaji mars dhe deri më sot numri i ankesave në vend që të rritej është ulur dhe ka pasur një përgjegjësi në gjithë këtë trup, e cila reflektohet edhe në rezultat. Nga çfarë duket edhe vendimmarrja për t’i dhënë një mbështetje financiare të gjithë atyre lexuesve, të cilët do ta bënin punën me përpikmëri, me transparencë dhe integritet, ka bërë që të ketë edhe një lloj kompeticioni brenda grupit, një kompeticion të shëndetshëm, që ka dhënë rezultatet e duhura, kështu që jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë me këtë proces.
Ju lutem, mos harroni që e kemi thirrjen të hapur edhe për 60 vende të tjera për lexues në mbarë territorin shqiptar, ndaj aplikoni, sepse në OSHE nuk keni nevojë të njihni askënd. Nuk keni nevojë për mish dhe për shokë. Mjafton që të aplikoni ashtu siç janë të publikuara tashmë proceset dhe do gjeni një vend pune, por edhe fillimin e një karriere të re dhe shumë premtuese.
Kalojmë tashmë tek administratori i OSSH-së, Bledian Dalipi, për të bërë një raportim përsa i përket të gjithë investimeve që kryhen tashmë në territorin shqiptar, por, nga ana tjetër, edhe përsa i përket të gjithë masave që kemi marrë për sezonin në të gjitha rajonet.
***
Shumë faleminderit, Bledi! Ju inxhinierët zakonisht nuk flisni gjatë, por ti kishe shumë për të raportuar, duhet qenë se është bërë një punë shumë e mirë e cila sigurisht është e dukshme në të gjithë treguesit tanë, duke nisur nga ulja e humbjeve dhe deri tek mënyra se si menaxhohen të gjitha avaritë dhe sa shpejt kthehet energjia elektrike edhe kur ka shkëputje edhe ndërprerje.
Është shumë e rëndësishme fjalia që the e fundit dhe dua ta nënvizoj atë, që sot ne nuk operojmë më në kushtet e emergjencës për të zgjidhur një problematikë që lind aty për aty. Të gjitha proceset tona të investimit janë procese të mirëstudiuara që kanë për synim që të zgjidhin gjithë problematikën momentale, por nga ana tjetër që të akomodojnë volumet që do të rriten në 10 vjeçarin tjetër duke pasur një mirëkoordinim midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe institucioneve tjera të shtetit shqiptar që merren me zhvillimin e territorit, por edhe duke i adresuar këto direkt në sistemin elektroenergjitik.
Shumë faleminderit Bledi! Kalojmë tek OST-ja, Elisian Bici.
***
Shumë faleminderit, Elisian!
Ndërkohë që flasim për masat gjatë sezonit turistik, e përsëritëm dhe e them të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, që është shtuar kërkesa për energji elektrike gjatë çdo viti. Unë nuk resht së treguari se si në 2019-ën, nata e vitit të ri, data 31, ishte makthi më i madh i të gjithë drejtorëve rajonalë apo jo? Edhe i drejtuesve të OSHEE-së në atë kohë. Ndërkohë që ajo sasi që na tmerronte në 2019 sot është kthyer në një normalitet ditor dhe kujtohem për korrikun e kaluar, kur nga 15 korriku deri në 15 gusht, kishim në një mënyrë konstante rreth 28 milionë kilovatorë konsum ditor, që është shumë larg nga ai 21 milionëshi i dikurshëm që krijonte kolapset në natën e vitit të ri.
Kjo tregon që e gjithë puna që është bërë dhe sigurisht edhe në saj të angazhimit tuaj, që gjej rastin t’ju falënderoj të gjithë drejtuesve të rajoneve apo edhe drejtuesve tjerë të ndërmarrjeve të sektorit energjetik, për punën e mirë, për vizionin që secili prej jush ka në atë pjesën e tij për realizimin e një plani të përbashkët, që nis me politika dhe reforma dhe përfundon me implementimin ku jeni edhe ju kontributorë.
Por, nga ana tjetër, dua të nënvizoj një fakt, i cili është shumë i rëndësishëm. Ndërkohë që investojmë, ndërkohë që ulim çmimin për abonentin, ndërkohë që kemi plane afatgjata për të realizuar duhet pasur gjithmonë kujdes lufta kundër informalitetit. Sigurisht, kjo është për rajone të veçanta diku më e zjarrtë, disa rajone të tjera e kanë pak më ndryshe situatën dhe këtë ne e dimë të gjithë mes nesh se kush janë ato rajone të cilat nuk e kanë këto lloj problematike dhe kush e kanë më të shtuar si problem, por lufta kundër informalitetit në sektorin e energjisë elektrike është shumë e rëndësishme, pasi nëse duam të ulim humbjet më tej, nëse duam që të ulim çmimin për abonentët tanë, duhet sigurisht që të rrisim performancën financiare ekonomike që ka të bëjë padyshim me uljen e informalitetit.
Ndaj, kjo është një tjetër detyrë që ka secili prej jush, përveç faktit që gatishmëria duhet të jetë e plotë, ashtu siç e tha edhe administratori i OSSH-së, është tashmë një plan masash i mirëfilltë kemi mbi 30 pika 24 orëshe ku mund të relatohen nga abonentët tanë, qofshin këta familjarë, qofshin bizneset gjithë problematikat që kanë për t’u adresuar menjëherë. Kemi mbi 800 punonjës në gatishmëri, mjete dhe gjithçka tjetër. Sistemet janë të automatizuara, është kënaqësi kur dëgjojmë që një pas një rajonet tashmë po shkojnë me sisteme kabllore nëntokësore dhe nuk do të jemi më të ekspozuar ndaj agjentëve atmosferik, por lufta me informalitetin është shumë e rëndësishme, duke nisur nga edukimi i abonentëve dhe deri pastaj tek penalitetet dhe marrja e masave.
Shumë faleminderit për sot. Sigurisht ne tani jemi në një betejë me kohën dhe nga ana tjetër në një betejë me numrat e vizitorëve, të cilët janë të mikpritur në Shqipëri, por ne na lind kjo detyrë që ndërkohë që sezoni veror është një pjesë e vitit shumë e dashur dhe e pritur nga të gjithë, për ne është një pjesë e vitit kur duhet të jemi 24 orë në gatishmëri dhe në krye të detyrës.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë