Shtëpi të re për familjen Alstafa në fshatin Bërxullë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/06/2020

Shtëpi të re për familjen Alstafa në fshatin Bërxullë

Familja e Bedri Alstafës, në fshatin Bërxull të Bashkisë së Vorës, është akomoduar tashmë në një banesë të re, më të madhe e komode se banesa në të cilën 6 pjesëtarët e kësaj familjeje jetonin më parë. Në kuadër të përgjegjësisë sociale, ndërtimi i shtëpisë së re për këtë familje, u realizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Brenda një kohe rekord u bë e mundur rindërtimi i plotë i banesës dhe duke nisur nga dita e sotme kjo familje është zhvendosur në banesën e re, e cila ofron kushte shumë herë më të mira.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, si dhe kryetari i Bashkisë së Vorës, Hekuran Ibrahimi, ishin pranë familjes Alstafa për t’i dorëzuar asaj çelësat e banesës së re.

Drejtori Blendi Gonxhja u shpreh se për t’ju gjendur pranë kësaj familjeje DPSHTRR vendosi të rindërtojë banesën, duke bërë një ndërhyrje të plotë që ka nisur që nga themelet e shtëpisë dhe deri tek mobilimi i të gjitha ambienteve të saj. “Është një shtëpi e re, të cilën ne e ndërtuam nga e para. Nuk është pjesë e projekteve të ndërhyrjeve publike, është pjesë e një projekti të solidaritetit të drejtorisë. Është 85 metra katrore, një shtëpi e plotë e bërë nga themelet deri tek mobilimi”, nënvizoi drejtori i DPSHTRR.

Ministrja Belinda Balluku tha se edhe në këtë rast DPSHTRR tregoi se është gjithmonë e gatshme për të marrë përgjegjësi sociale dhe se shembulli i këtij institucioni është një model që duhet të ndiqet edhe nga institucione të tjera. “Këtu kemi ndërtuar disa banesa me donacione, kemi pasur prioritet familjet që kanë fëmijë të vegjël ose pjesëtarë të sëmurë, por sigurisht këtu ka nisur edhe faza e rindërtimit, e cila po ecën me ritme të mira. Është shumë e rëndësishme ajo që ka bërë DPSHTRR, Blendi me të gjithë skuadrën e tij, që jo vetëm punojnë ashtu siç duhet, por edhe e kanë shumë të lartë ndjenjën e përgjegjësisë sociale”, u shpreh ministrja Balluku.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vorës, Hekuran Ibrahimi bëri të ditur se në fshatin Bërxull ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të ri ujësjellës në mënyrë që të gjitha banesat të kenë një furnizim me ujë të pijshëm shumë herë më të mirë.

Shtëpia e re e familjes Alstafa ka një sipërfaqe prej 85 m2, e organizuar me 3 dhoma gjumi, 1 dhomë ndenjeje, 1 kuzhinë dhe 2 banja. I gjithë ambienti i shtëpisë është mobiluar duke plotësuar të gjitha nevojat e pjesëtarëve të kësaj familjeje, të cilët më përpara jetonin në kushte mjaft të vështira, për shkak të pamundësisë financiare për të rregulluar shtëpinë e tyre.