Shqipëri-Kosovë, organizohet në Tiranë konferenca e dytë “Zhvillimi integral i industrisë minerare me ndikim minimal në mjedis" - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/05/2019

Shqipëri-Kosovë, organizohet në Tiranë konferenca e dytë “Zhvillimi integral i industrisë minerare me ndikim minimal në mjedis”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës ka organizuar në Tiranë konferencën e dytë ndërkombëtare me temë “Zhvillimi integral i industrisë minerare me ndikim minimal në mjedis”.

Organizimi i kësaj konference, për të dytin vit, u cilësua nga ana e të pranishmëve si një konfirmim i vijimit të suksesshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Kosovës  dhe si një mundësi e mirë për shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet dy vendeve në implementimin e teknologjive të reja në zhvillimin e aktivitetit minerar me ndikim minimal në mjedis, mundësinë e zbulimit të rezervave të reja si dhe prezantimin e resurseve minerare të dy vendeve për të nxitur investimet në këtë industri.

Në fokus të kësaj konference ishte prezantimi i mundësive të shfrytëzimit dhe përpunimit të resurseve minerare të dy vendeve, si dhe zhvillimi i aktivitetit minerar me ndikim minimal në mjedis.

Në ditën e dytë të konferencës është parashikuar realizimi i një vizite në minierën e Spaçit, në mënyrë që pjesëmarrësit të shohin nga afër investimet bashkëkohore në industrinë minerare në Shqipëri. Rekomandimet e kësaj konference kanë për qëllim që të ndihmojnë në përmirësimin e ambientin e të bërit biznes në sektorin minerar.