Shpronësimet, Balluku në Komisionin e Ligjeve: Shkurtojmë kohën dhe ndryshojmë mënyrën e trajnimit përmes ngritjes së Agjencisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 29/01/2020

Shpronësimet, Balluku në Komisionin e Ligjeve: Shkurtojmë kohën dhe ndryshojmë mënyrën e trajnimit përmes ngritjes së Agjencisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private për interes publik’”. Ndryshimet e propozuara nga MIE synojnë t’i japin zgjidhje përfundimtare problematikave që lidhen me shpronësimet, duke ndryshuar edhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Ministrja Belinda Balluku bëri një prezantim të situatës aktuale, duke theksuar se shpronësimet janë një problematikë e mbartur në vite dhe që ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e projekteve infrastrukturore.

“Ne nuk e kemi  asnjë parashikim të shpronësimeve, qoftë procedurale dhe qoftë financiare, përpara se të nisim projektin. Pra ka qenë një procedurë e munguar gjithmonë,  vazhdojmë dhe sot me kete  procedure. Ne nisim projektin, dizenjojmë projektin infrastrukturor dhe më pas fillojmë procesin e shpronësimeve. Duke mos pasur një parashikim financiar ashtu dhe procedural, e gjitha kjo ka sjellë vonesa të konsiderueshme të projekteve infrastrukturore, por mbi të gjitha kemi edhe një situatë jo normale me pronarët e truallit apo të ndërtesave, të cilat bëhen objekt shpronësimi”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë evidentoi se shpërndarja e procesit të shpronësimeve në disa institucione shton procedurat duke bërë që të humbet kohë, teksa shtoi se në jo pak raste janë konstatuar edhe moskoordinime nga ana e institucioneve. Në këtë pikë, ministrja bëri të ditur se është propozuar ngritja e një agjencie të vetme, Agjencisë Shtetërore për Shpronësimet, ku do të përqendrohet i gjithë ky proces.

“Ndryshimet që kemi kërkuar në këtë ligj kryesisht konsistojnë në shkurtimin e afateve dhe të procedurave për shpronësim, në krijimin e një agjencie përgjegjëse, e cila do jetë në varësi të ministrit përgjegjës për rregullimin e territorit dhe kjo agjenci supozohet të marrë të gjitha atributet, që sot janë të shpërndara në shumë institucione, për të arritur dhe shkurtuar kohën,  për të pasur negociata jo vetëm unilaterale, por dhe bilaterale me palët, pra për t’u ulur në tryezë,  për të pasur specialistë brenda kësaj agjencie, të cilët janë të dedikuar dhe njohin fushën e shpronësimeve dhe si të tillë do të kenë mundësinë që gjatë negociatave t’i ofrojnë subjektit alternativen për t’u paguar edhe me këste”, bëri të ditur Balluku.

Ministrja theksoi më tej se “krijimi i kësaj agjencie, me stafe të specializuara, do na jepte mundësinë që projektet tona të mos nisin dhe rrugës të identifikojmë shpronësimet, por të nisin paralelisht edhe projektimi i shpronësimeve, duke pasur një vlerësim të saktë procedural, kohor dhe financiar”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ju përgjigj edhe pyetjeve të ngritura nga deputetët e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me ndryshimet e propozuara dhe efektet që ato pritet të japin.