Shpallet gara për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/12/2019

Shpallet gara për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur sot hapjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, gjatë një konference ku merrni pjesë ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Anila Denaj, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, deputetë të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, përfaqësues të ambasadave të huaja dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë asistuar MIE në këtë proces.

Në prezantimin e procedurës dhe projektit përkatës, ministrja Balluku theksoi se sot aeroporti i Vlorës hedh hapin e parë më të rëndësishëm për tu bërë realitet dhe se prej këtu nuk ka më kthim mbrapa. Sipas saj në këtë mënyrë përmbushet premtimi i qeverisë Rama për t’i dhënë jugut të Shqipërisë një aset kombëtar që do t’i jap jo vetëm zonës, por dhe krejt vendit zhvillimin ekonomik dhe turistik që meriton dhe ne kemi premtuar.

“Ky aeroport do të shndërrojë jugun e Shqipërisë në një hotspot të Mesdheut, do të vendosë Vlorën në hartën e destiancioneve të fluturimit dhe do të tërheqë turistë nga vende të ndryshme të botës të cilët me ndërtimin e aeroportit të jugut do të aksesojnë lehtësisht rivierën shqiptare, Sarandën, Borshin, Himarën, Dhërmiun, Qeparoin dhe do të jenë thjesht një fluturim larg vendit të tyre”, është shprehur Balluku.

Me tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se “projekti për ndërtimin e aeroportit në jug të Shqipërisë është pjesë e strategjisë kombëtare të projekteve prioritare dhe njëkohësisht një pjesë e planit kombëtar për zhvillimin e Aviacionit Civil. Kjo strategji mbështet rritjen e nivelit në aksesin e transportit ajror përmes uljes së çmimit të biletave dhe rritjes së konkurrencës, rritjen e numrit të fluturimeve rajonale dhe atyre me qytetet kryesore europiane, por parashikon fluturime direkte transoqeanike si rrjedhojë e kushteve teknike që ky aeroport do të ketë”.

Por ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, nuk do të jetë investimi i vetëm strategjik i Qeverisë Shqiptare në kuadër të plotësimit të infrastrukturës në shërbim, të turizmit. Në këtë drejtim ministrja Balluku nënvizoi: “Aeroporti i Vlorës është pikënisja e realizimit të strategjisë së madhe të zhvillimit që qeveria shqiptare ka. Shumë shpejt ne do jemi gati për të tenderuar edhe pjesën më të rëndësishme të korridorit Adriatiko-Jonjan, atë të Thumanë-Rrogozhinës. Gjithashtu për të plotësuar të gjithë kuadrin, pasi sot investitorët e mëdhenj të hotelerisë kanë një kërkesë dhe është një kërkesë që nuk ndryshon nga vendi në vend, për të mos qenë aeroporti më larg se 45 minuta nga lokacioni i tyre, duhet dhe një ndërhyrje tjetër që është tuneli i Llogarasë”.

Nga ana e tij Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e vuri theksin në ndikimin e veçantë që ndërtimi i Aeroportit të Vlorës do të ketë në rritjen e turizmit në vend.

“Ajo që po ndodh sot, për botën e turizmit është një lajm i jashtëzakonshëm, një lajm që i vjen shumë mirë situatës në të cilën ne ndodhemi edhe pas tragjedisë së tërmetit të datës 26 nëntor, tragjedi, e cila dëmtoi familjet, 12 mijë familje që u gjendën pastrehë, dëmtoi një zonë të tërë për sa i përket raportit me jetën, raportit me pasurinë, raportit me pronën, raportit me shëndetin, jetë të humbura, por në afatgjatë një nga sektorët që mund të marri goditje nga tërmeti është sektori i turizmit. Prandaj, ky do të jetë një projekt i investuar dhe i realizuar në mënyrë rekord dhe do të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme në promovimin e Shqipërisë turistike dhe në forcimin e destinacionit të Shqipërisë, si një destinacion që mund të pres atë çfarë është dhe objektivi jonë: 10 milionë turistë në fillimet e dekadës tjetër 2020 – 2030. Prandaj përfundimi i aeroportit njëkohësisht me këtë periudhë do të na bëjë të mundur që Shqipëria të ketë mundësi të pranojë mbi 10 milionë turistë të huaj, i cili është një numër i konsiderueshëm për ekonominë tone”, ka thënë ministri Klosi.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në fjalën e saj është ndalur në impaktin ekonomik që do të ketë ky aeroport, jo vetëm për Vlorën, por për gjithë vendin.

“Ndërtimi i një aeroporti në qytetin bregdetar të Vlorës do të ketë një impakt ekonomik të madh jo vetëm për këtë rajon, por edhe për të gjithë vendin. Ndërtimi i tij është vetëm fillimi i një dimensioni shumë të madh investimesh vendase dhe të huaja.  Vlerësohet se ndikimi në ekonomi me krijimin e një Aeroporti në një zonë të caktuar ka dy impakte të menjëhershme; së pari me një rritje prej 10% të ekonomisë së asaj zone dhe 0.5% të PBB-së për frymë, por edhe rritje të punësimit me 20 deri 25% që në momentin e parë të fillimit të investimit dhe më pas me oportunitete që ne do t’i shfrytëzojmë më tej”, ka theksuar ministrja Denaj.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli falenderoi Qeverinë për investimet e kryera në qytetin bregdetar dhe theksoi se këto investime kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e industrisë së turizmit dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

“Në qoftë se pak kohë më parë do flisje për aeroportin e Vlorës shumë pak njerëz do të besonin dhe do t’a shikonin si një nga ato ëndrrat që do të realizoheshin, por falë një pune të jashtëzakonshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministres Belinda Ballukut, që ka drejtuar me optimizëm dhe kurajo të fortë për t’a bërë realitet ëndrrën e vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve, unë sot jam këtu para jush të gjithëve dhe mbi të gjitha para qytetarëve vlonjatë, për t’ju garantuar atë që premtuam kohë më parë dhe që sot ndihet të bëhet një realitet falë sigurisht mbështetjes së madhe dhe të jashtëzakonshme të kryeministrit Rama”, u shpreh kryebashkiaku Leli.

Gara për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e hapur deri në datën 12 mars, duke ju dhënë mundësinë kompanive të interesuara të paraqesin ofertat e tyre. Parashikohet që në 31 maj të nisin punimet në terren për ndërtimin e kësaj vepre. Ndërtimi dhe operimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do të zhvillohet përgjatë një periudhe 35-vjeçare. Nga ky aeroport parashikohet të kryhen edhe fluturime direkte transoqeanike, për shkak të kushteve teknike në të cilat ky aeroport do të ndërtohet.