Prononcim i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi
Përshëndetje të gjithëve!
Kam kënaqësinë t’ju informoj që ditën e sotme kemi shpallur fituesin e rrugës Milot-Balldren. Ky është një aks mjaft i rëndësishëm, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe që shërben për ndërlidhjen e veriut të Shqipërisë me pjesët e tjera të Shqipërisë.
Kjo është një rrugë e shumëpritur nga banorët e qarkut Shkodër dhe Lezhë dhe që kryen lehtësimin e trafikut në këto zona. Procedura ka qenë jo e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme, të cilat kanë rezultuar jo të suksesshme. Megjithatë, me përkushtim dhe profesionalizëm, ia kemi dalë që ditën e sotme të kemi shpalljen e fituesit, e cila bën përfundimisht të mundur ndërtimin e kësaj vepre.
Personalisht do angazhohem që fillimi i ndërtimit të kësaj rruge të kryhet sa më shpejt dhe të ndërtohet brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Ndërtimi i kësaj rruge shkon natyrshëm me investimet që ka kryer dhe po planifikon të kryejë Qeveria Shqiptare në veriun e Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, ne prezantuam nismën “Porta e Alpeve”, që është një nismë financimi 100 milionë euro, e dedikuar për veriun e Shqipërisë dhe që e kthen këtë rajon në motor zhvillimi ekonomik dhe turistik të vendit.
Dhe me këtë lajm të mirë, dua t’ju uroj të gjithëve fundjavë të qetë dhe të mbarë!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë