Sezoni veror 2025 në shifrat e infrastrukturës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 04/09/2025

Sezoni veror 2025 në shifrat e infrastrukturës

Fjala e Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Shqipëria Turistike 2030

 

I nderuar Kryeministër,

E dashur Mirela,

Të nderuar kolegë,

Sigurisht që Shqipëria është një vend fantastik për tu vizituar dhe padyshim të gjithë turistët që kanë mundur sivjet të shijojnë plazhet dhe malet shqiptare janë dëshmitarët më të mirë. Megjithatë, unë do ta nis me lokalizëm, duke marrë pak hua nga Mirela dhe duke pas parasysh që pati një reagim nga kryetarët e bashkive këtu në sallë, pasi Mirela gjithmonë flet për Gjirokastrën, ndërkohë që unë do flas për Bulqizën. Do flas për Bulqizën e cila e njohur si zonë minatorësh apo zonë minierash, tashmë është në prag të një shpërthimi turistik, pasi vetëm pak ditë më parë është zbuluar një varr monumental i shekullit të tretë, ndoshta dhe të katërt para erës sonë, që do ta kthejë këtë destinacion në një destinacion turistik arkeologjik. E kush do ta kishte menduar?! Por unë e nisa nga Bulqiza, jo se kam Dibrën në zemër, sepse gjithashtu edhe qarku i Fierit Mirela do ketë Darëzezën, që tashmë ka një masterplan dhe jemi duke ecur shpejt për ta zhvilluar, por sepse tek kërkoja nga zyra e statistikave për të bërë këtë fjalim kisha shpresa që tuneli i Llogorasë do të ishte ajo pjesë e infrastrukturës e cila do të kishte qenë kurora e diamantit të infrastrukturës shqiptare dhe prisja ato shifrat, pasi të gjithë më thonin që duhet të hapësh dhe tubin e dytë sezonin tjetër se ka filluar trafiku në fundjavë të jetë shumë i avashtë. Por çfarë ndodhi, në vend që të më vinte tuneli i Llogarasë, shifra më e lartë e këtij sezoni vjen nga tuneli i Murrizit. Në datë 17 gusht numri i automjeteve që kaluan tunelin e Murrizit në drejtim të qarkut të Dibrës është 19 mijë e 50 automjete, krahasuar me ditën e pikut në tunelin e Llogorasë, që ka qenë 10 gushti me 17 mijë e 684 automjete. Ky është fakt i pakontestueshëm sesi infrastruktura arrin që të nxisë turizmin edhe në zona ku askush nuk do ta mendonte më parë.

Shqipëria është e begatë. E ka bekuar Zoti me dy dete, me male të jashtëzakonshme, me njerëz të cilët kulinarinë e kanë art. Kështu që, patjetër duan kolonat ku të gjitha këto që përmenda të mbështeten dhe infrastruktura është një prej tyre padyshim. Po jap dhe disa shifra të tjera që kanë të bëjnë me numrin e automjeteve që kanë kaluar këtë vit nga data 1 qershor deri në 31 gusht nga tuneli i Llogarasë. 911 mijë e 952 automjete, me pak fjalë 1 milion automjete vetëm në 3 muaj, në këtë nukël të rëndësishme të infrastrukturës. Tashmë tuneli i Llogarasë është i pajisur me një qendër monitorimi të plotë, i cili gjithashtu ka edhe njësinë e zjarrfikësve, një nga më modernet në të gjithë Ballkanin. Kjo qendër funksionon 24/24 dhe gjej rastin këtu të përdor edhe një shprehje tjetër të Mirelës. Muhabetet e beharit. Më pëlqeu shumë. Dhe duke marrë parasysh ‘muhabetet e beharit’ dhe çmimet që kemi dëgjuar për kalimin në tunel, do desha që ta them sot zyrtarisht që përmes një analize të gjerë dhe shumë të thellë të kostove operacionale, të amortizimit të infrastrukturës së tunelit dhe gjithçka tjetër që përfshin studime fizibiliteti të tilla, çmimi i një kalimi në tunel për autoveturat është 250 lekë me TVSH. As 10 euro, as 5 euro, as 50 euro, se kemi dëgjuar shifra nga më të ndryshme. Duhet thënë që sigurisht kategoritë më të mëdha, siç janë autobusët, trailerët dhe gjithçka tjetër do të kenë çmime të posaçme, sipas këtij studimi fizibiliteti.

Në ndërkohë duhet thënë që një nga instrumentat më të rëndësishëm që infrastruktura shqiptare tashmë ka është Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, e cila është çdo ditë dhe më e nevojshme, jo vetëm për infrastrukturën e re që ne ndërtojmë, jo vetëm për numrin e automjeteve të cilat janë të regjistruar në regjistrat shqiptarë që shtohen çdo ditë, por edhe për shkak të të gjithë vizitorëve të huaj dhe për më tepër të të gjithë vizitorëve të cilët vijnë dhe marrin automjete me qera në Republikën e Shqipërisë dhe kjo është çdo vit dhe në ekspansion. Sigurisht, nuk njohin rrugët tona. Sigurisht, çdo vend ka mënyrën e tij të menaxhimit të trafikut dhe sot QMT-ja është kthyer në një instrument të domosdoshëm. Kemi përfunduar fazën e rekrutimit, gjithçka është gati. Nëse keni qenë të vëmendshëm, autostradat kryesore të vendit tani kanë disa shtylla që së shpejti pajisen me kamera të rezolucionit të lartë dhe largësia nga një shtyllë në tjetrën është 1.5 kilometra për të mos lënë zbuluar as edhe një zonë. Gjithashtu, duhet thënë se projektet mbarojnë në kohë, por jemi duke përfunduar edhe projekte të cilat kanë qëndruar për gjatë në duart e ndërtuesve, apo edhe në tryezat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, siç është ai i Qukës-Qafë Plloçës, i cili është një projekt me shumë problematika, me shumë kompleksitete, por që fal një pune të mirë dhe organizimi që është bërë nga të gjitha strukturat, nesër paradite në orën 11:00, Qukës- Qafë Plloça bëhet totalisht e aksesueshme për automjetet, totalisht e përfunduar dhe me sinjalistikën e vendosur tashmë.

Megjithatë, Shqipëria gumëzhin si një kantier, ne kudo punojmë, të gjitha kantieret tashmë janë brenda skedulës. Të gjitha kantieret dorëzohen më përpara afatit kontraktual dhe unë do të thoja që gjatë vitit të ardhshëm, një sërë prej tyre do të dorëzohen si Berat-Ballabani apo edhe segmentet e Tiranë-Durrësit apo dhe segmentet e Korridorit të VIII, sidomos ato që janë në drejtim të Lekajt që nuk kanë kompleksitet gjeologjik. Por gjatë këtij viti ne kemi qenë dhe shumë të kujdesshëm për të parë se ku janë problemet kryesore të trafikut në Republikën e Shqipërisë dhe kemi identifikuar si një me kompleksitetin më të lartë, pjesën e daljes së autostradës nga Tirana në drejtim të Elbasanit, ku tashmë nuk ka trafik vetëm ditën e premte në darkë apo të shtunën në paradite, por ka gjatë gjithë javës. Për këtë arsye Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përfunduar një studim të mirëfilltë dhe projektim të asaj zone dhe ne do të nisim me emergjencë ndërtimin e një bajpassi përfundimtar, i cili është prej 3 kilometrash me një nyje interkoneksioni me segmentin nga Bradasheshi deri në Lekaj, duke krijuar kështu mundësinë që vitin tjetër gjatë sezonit të mos kemi trafik në atë zonë. Kështu është dhe Milot-Balldreni, e cila është një procedurë që po përsëritet dhe në 3 tetor ne do të kemi fituesin e asaj zone koncesionare, duke pasur parasysh dhe të gjithë suksesin që ka pasur autostrada nga Thumana dhe në Kashar me një përdorim shumë të lartë.

Sigurisht, aviacioni mbetet një nga elementët kryesorë të mbështetjes së turizmit në vendin tonë dhe avancimi që ka pasur në aeroportin e Tiranës shprehet përmes shifrave. Në 25 maj të 2023 në një ndeshje ndërkombëtare që zhvillohej në Tiranë, mbaj mend që ishim të gjithë të alarmuar sepse do të zbrisnin atë ditë në aeroportin e Rinasit rreth 23 mijë pasagjerë. Dhe na është dashur të koordinohemi të gjithë, me Aviacionin Civil, me Albcontrol, aeroporti vetë, sepse ishte një nga testet që as e kishim menduar që do ta kalonim dhe e kaluam me sukses. Por a e dini sesa ka qenë dita e pikut e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës këtë vit. Në 11 gusht në aeroportin e Tiranës janë ulur 53 mijë e 76 pasagjerë. Më shumë se dyfishi i asaj ditës, kur u angazhuam të gjithë, ndërkohë që ka qenë një ditë normale si gjithë të tjerat. Deri më sot, në tetë mujorin e parë, në aeroportin e Tiranës kemi pasur 7.83 milionë pasagjerë të ardhur nga 47 mijë e 462 fluturime dhe krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kemi pasur një rritje të numrit të pasagjerëve me 9%.

Por sigurisht, ‘muhabetet e beharit’ nuk e lënë as aviacionin jashtë. Muhabetet e beharit prekin gjithçka. E ndaj, unë do të ndalesha vetëm për pak tek Aeroporti i Vlorës, një aeroport i cili është bërë temë bisede dhe gallate nëpër portale, por harrojmë që flitet për aeroportin e shqiptarëve, për aeroportin më të madh në vend që fatmirësisht nuk fshihet dot me gomën e baltës, sepse nuk fshihet dot një pistë 3.2 kilometra e ndërtuar dhe e provuar atje. Nuk fshihet dot asnjë terminal 20 mijë metra katrorë dhe as kulla e kontrollit. Aeroporti i Vlorës është dhe do të jetë krenaria e shqiptarëve dhe për informacion, vetëm Wizz Air pa marrë këtu kompanitë e tjera, por vetëm Wizz Air është në fazën finale të negociatave për të ulur gjatë vitit 2026 në aeroportin e Vlorës 12 destinacione të reja, të cilat ekuivalojnë në 586 mijë pasagjerë vetëm për vitin 2026, nga marsi i vitit 2026 për 9 muaj dhe duhet të keni parasysh që studimi i fizibilitetit nga Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës për vitin e parë të operimeve në aeroportin e Vlorës parashikon vetëm 330 mijë pasagjerë. Ndërkohë që vetëm një kompani si Wizz Air do të ketë 586 mijë.

Unë mund të flas shumë gjatë, por nuk do desha që të ekspozoheshit më tej tek ky diell i bukur shtatori këtu në Tiranë dhe do të ndalesha vetëm një moment tek energjia. Energjia nga sektori më problematik i shërbimeve në Republikën e Shqipërisë është kthyer në sektorin më të rregullt, sektorin më pa probleme dhe padyshim sektorin më të fuqishëm financiarisht. Tek përballemi me një vit thatësire, si ai i vitit 2019, quhet vit ekstrem thatësire 2025, nuk kemi pasur asnjë ngërç dhe asnjë problem në ofrimin e shërbimeve të energjisë elektrike në të gjithë vendin tonë, duke mbajtur edhe ato zona, të cilat quhen zona me alarm të kuq, siç është Himara, Golemi apo zona tjera, ku numri i vizitorëve kalon me dhjetëra fish numrin e banorëve aktual të zonës dhe nga ana tjetër kemi vazhduar investimet dhe OSHEE sot deklaron se në tetë mujorin e parë ka arritur që të ulë edhe humbjet teknike poshtë 17% të deklaruar në fillim të vitit.

Dje së bashku me Kryeministrin kemi bërë një prezantim të projektit të ri që kemi për Ujësjellës-Kanalizimet, duke shkuar në të njëjtin model me atë të energjisë për të mbyllur edhe një komponent tjetër të shërbimeve në vendin tonë, sipas parametrave të Bashkimit Evropian dhe ashtu siç e meriton qytetari shqiptar, por edhe vizitorët e huaj.

Shumë faleminderit!