Rruga e Rinasit kthehet me dy sense lëvizjeje - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/05/2022

Rruga e Rinasit kthehet me dy sense lëvizjeje

Segmenti rrugor Qafë Kashar – Rinas, i cili të çon në drejtim të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, do të kthehet me dy sense lëvizjeje për automjetet, ndërsa që brenda muajit korrik do të përfundojë ndërhyrja në këtë segment, e cila do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve.

Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ishin sot paradite ne aksin Qafë Kashar – Rinas, për të parë nga afër mundësitë e ndërhyrjes që do të realizohet në këtë segment.

Berberi sqaroi se rruga e re që do të hapet dhe për të cilën tashmë kanë nisur procedurat, do të krijojë mundësi që automjetet të cilat udhëtojnë drejt aeroportit të aksesojnë direkt ambientet e parkimit të aeroportit, ndërkohë që automjetet e tjera mund të vijojnë rrugën aktuale normalisht.

“Kemi nisur që dje procedurën e Këshillit Teknik për të miratuar zgjidhjen e re që propozuar për rrugën e aeroportit. Brenda muajit korrik ne do të përfundojmë aksesin e ri nga Kthesa e Kasharit- Ahmetaq me aeroportin. Pra në një periudhë, maksimumi 2 mujore, ne e kemi të përfunduar”, u shpreh Berberi.

Ministrja Belinda Balluku bëri të ditur se gjatë këtyre ditëve janë shqyrtuar me vëmendje të gjitha ankesat e mbërritura nga banorët e zonës rreth aeroportit pas vendimit për ndryshimin e sensit të lëvizjes në segmentin Qafë Kashar – Rinas.

Duke ju referuar të dhënave zyrtare ministrja theksoi se rritja e numrit të fluturimeve ka shtuar ndjeshëm fluksin e lëvizjes në këtë aks dhe se me afrimin e sezonit turistik ky fluks pritet të rritet edhe më shumë. Ndërhyrja e parashikuar nga ana e ARRSH, përmes ndërtimit të aksit të ri që të lidhet drejtpërdrejt me aeroportin, do të krijojë mundësi për uljen e trafikut.

“Detyra jonë është që të akomodojmë edhe shqetësimet e banorëve të zonës, por edhe shqetësimet e udhëtarëve të aeroportit të Rinasit. Mos harrojmë që fluksi i trafikut që ne sot kemi tregon numrin e lartë të turistëve, tregon numrin e lartë të vizitorëve dhe si rrjedhojë padyshim tregon impaktin e rëndësishëm ekonomik që ka aeroporti i Rinasit”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që kanë destinacion veriun e vendit që të evitojnë qarkullimin përmes rrugës së Rinasit duke sjellë në vëmendje se janë dy pika të tjera të cilat ata mund të aksesojnë.

“Ajo që unë dua të kërkoj nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, të cilët i drejtohen veriut është që duhet të përdorin dy aksese të tjera për tu lidhur me Rrugën e Kombit apo për tu lidhur me autostradën që shkon në drejtim të Shkodrës. Ka dy aksese të tjera, është ai i Kthesës së Kamzës dhe është ai i Vorës. Ju lutem mos e frekuentoni rrugën e Rinasit”, deklaroi Balluku.

Rruga e aeroportit të Rinasit është ndërtuar për herë të parë nga koncensionari i këtij aeroporti dhe ka qenë një rrugë e destinuar vetëm për aeroportin. Me vite përgjatë saj është rritur numri i bizneseve që operojnë në këtë zonë, ndërkohë që rritja e numrit të fluturimeve ka shtuar ndejshëm qarkullimin në këtë segment.