Reforma në sistemin energjetik, OSHEE diskutim me bizneset - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/12/2019

Reforma në sistemin energjetik, OSHEE diskutim me bizneset

“Aksesi i Sipërmarrjeve në Energjinë Elektrike – Lehtësirat dhe problematikat”, ishte tema e takimit të organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me përfaqësues të biznesit, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë, që asistojnë dhe monitorojnë punën e OSHEE. Në takim merrnin pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

Duke bërë një prezantim të punës dhe arritjeve të deritanishme administratori i OSHEE, Adrian Çela tha se në 5 vitet e fundit, janë investuar në total afro 280 milionë euro, të cilat janë shtrirë në nënstacionet, rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, kabinat, sistemin e matjes apo monitorimit duke përmirësuar ndjeshëm treguesit e cilësisë së furnizimit me energji elektrike. Sa i takon sipërmarrjeve, Çela theksoi se ka pasur një reduktim të procedurave që duhet të aplikojë një biznes për lidhjen e furnizimit me energji, duke shtuar se ka ende shumë për të bërë.

“Kemi rritur efiçencën duke reduktuar numrin e procedurave, që një biznes duhet të aplikojë për të marrë lidhjen e energjisë elektrike. Në rast se në vitin 2015 ishin 9 deri në 10 procedura, prej mëse një viti ne kemi vetëm 4 procedura. Biznesi, për të marrë lidhjen e energjisë elektrike mund të bëj vetëm këto katër procedura dhe mund të aplikojë edhe përmes sistemit on-line që ne kemi instaluar”, u shpreh Çela.

Ministrja Belinda Balluku, në fjalën e saj, nënvizoi faktin se reforma e nisur në sistemin energjetik, është një ndër reformat kryesore të ndërmarra gjatë këtyre viteve, duke theksuar se procesi i njohur si “Unbundling”, ose ndarja dhe kalimi i OSHEE në 3 kompani, do të sigurojë jo vetëm përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare që vendi jonë ka ndërmarrë por nga ana tjetër do të sjellë edhe liberalizim të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri.

“Në kuadër të reformës së energjisë janë marrë disa vendime të rëndësishme gjatë vitit 2019. Një nga më të rëndësishmit është aprovimi në muajin maj nga Këshilli i Ministrave i Bursës Shqiptare Energjetike dhe ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Vazhdojmë sot, duke punuar me hap të sigurt përpara, por dhe me ritme të shpejta për këtë ndarje të plotë ligjore dhe funksionale të OSHEE-së. Shërbimet e ofruara prej saj do të jepen nga tre kompani bija, që do të krijohen si pasojë e ndarjes së operatorit. Këto kompani janë përkatësisht Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë”, ka thënë ministrja Balluku.

Edhe pse ka pasur masa konkrete sa i takon përmirësimit të raportit me sipërmarrjen, ministrja Balluku u shpreh se një nga problematikat kryesore që janë hasur në sektorin e burimeve të rinovueshme ka qenë aksesi në rrjet. Ministrja ka kërkuar angazhimin e të gjithë kompanive shtetërore të fushës së energjisë elektrike për t’a garantuar këtë akses.

“Diversifikimi i burimeve të rinovueshme për qeverinë shqiptare është një nga pikat më të rëndësishme të politikave të zhvillimit. Ndaj duhet gjetur një balancë mes aksesit në rrjet, por një aksesi të ligjshëm, një aksesi, i cili kërkon të paguhet për aq sa sasi energjie sa hidhet në rrjet, pa abuzuar me lekët e konsumatorëve, pasi mos harrojmë që ato lekë, që ne u kthejmë HEC-eve të vogla janë lekët e konsumatorëve shqiptarë, të investuar në ndërmarrjen energjetike dhe nuk është diçka që mund të vazhdojë pafundësisht. Të gjitha këto balanca do të shikohen dhe do të kontrollohen”, është shprehur ministrja Balluku.

Sa i takon muajve në vijim, ministrja bëri të ditur se është duke u punuar për hartimin e një baze të mirë ligjore, ndërsa e vuri theksin edhe tek nevoja e ndryshimit të Kodit të Shpërndarjes dhe Kodit të Matjes, të cilët janë dy materiale të miratuara në vitin 2008 dhe tashmë duhet të përshtaten me ndryshimet e reja që ka pësuar sektori.

Ministri Eduard Shalsi nga ana e tij e vendosi theksin tek komunikimi, veçanërisht mes autoriteteve shtetërore dhe biznesit, teksa solli në vëmendje se në sajë të dialogut dhe komunikimit mes palëve u bë i mundur edhe miratimi i udhëzimit për prodhuesit fotovoltaik për vetëkonsum.

“Ka një meritë të jashtëzakonshme ministrja aktuale, sepse në muajt mars, prill dhe maj vendosi një urë komunikimi me biznesin si asnjëherë më parë. Pika që unë dua të nënvizoj sot, që e konsideroj shumë të rëndësishme edhe nga pozicioni si Ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, është komunikimi. Komunikimi me sipërmarrjen private, komunikimi mes agjencive shtetërore, komunikim edhe midis sipërmarrjeve private. Nëse sot kemi një udhëzim dhe kemi një zgjidhje është falë atij urdhri dhe atij komunikimi intensiv. Gjëja e dytë shumë e rëndësishme, është forcimi institucional. Vij me qejf në këtë institucion, në OSHEE, sepse më pëlqejnë shumë premisat e institucionit, mjedisi i institucionit, logjistika dhe sistemet. Pa mjedise, pa logjistikë, pa programe, sepse sot jetojmë në kohën e revolucionit dixhital, nuk mund të ketë forcim forcim institucional. Dhe sfida e tretë që kemi përpara, janë kapacitetet njerëzore”, ka thënë ministri Shalsi.

Takimi ka vijuar me diskutimet e përfaqësuesve të biznesit, të cilët kanë vlerësuar punën e bërë deri tani për reformimin e sistemit energjetik në vend dhe lehtësimin e procedurave të ndryshme nga ana e OSHEE.

Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku vlerësoi përformancën e OSHEE, e pasqyruar edhe në raportin e publikuar nga “Doing Business”, si dhe investimet e bëra në sektor, ndërsa u ndal te ndërtimi i hidrocentraleve të vogla.

“Politika e ndërtimit masiv të HEC-ve të vogla, përveç shkatërrimit kolosal të mjedisit, që është kosto e madhe, përbën edhe një barrë financiare në kushtet e sotme. Pra në qoftë se paguan 40 milionë euro OSHEE-ja, atëherë praktikisht në qoftë se këto do ktheheshin në investime brenda OSHEE-së mund të shndërroheshin edhe në një mundësi për ulje çmimi. Propozimi im është që Qeveria shqiptare nuk duhet të mbështes më me subvencione indirekte ndërtimin e hidrocentraleve, siç e bën sot. Pra do ndërtohen ato hidrocentrale të cilat justifikojnë veten e tyre nga pikëpamja ekonomike ku të futet dhe kosto e mjedisit e llogaritur saktësisht”, deklaroi Buxhuku.