Reforma në sektorin e ujit, Balluku takim me kryetarët e bashkive të qarkut Korçë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 08/12/2021

Reforma në sektorin e ujit, Balluku takim me kryetarët e bashkive të qarkut Korçë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e AKUM, Klevis Jahja, ishin në qytetin e Korçës, në kuadër të turit të takimeve për reformën në sektorin e ujit të pijshëm, ku diskutuan me kryebashkiakët e qarkut të Korçës, lidhur me performancën e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve duke vendosur theksin tek nevoja që ka ky sektor për një reformë të thellë.

Në nisje të fjalës së saj, teksa bëri një pasqyrim të situatës, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se referuar të dhënave situata në qarkun e Korçës në sektorin e ujit është më pozitive krahasuar me qarqet e tjera, por ende jo aty ku duhet. Balluku tha se reforma do të përfshijë të gjitha zonat duke bërë të mundur jo vetëm një mirë menaxhim të sektorit, duke përfshirë edhe teknologjinë.

“Pjesë e reformës është edhe një strategji e AKUM për të marrë parasysh unifikimin e nivelit të sigurisë në të gjitha burimet dhe depot e ujësjellësave kudo në Shqipëri, por edhe një monitorim të ri. Një monitorim përmes dixhitalizmit dhe teknologjisë. Janë disa pjesë të këtij sektori që duhet të dixhitalizohen për të arritur dhe për të pasur indikatorët pozitivë sa më shpejt dhe duke i dhënë shërbimin ashtu siç duhet çdo qytetari”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se do të ketë një agregim të ndërmarrjeve të ujësjellësave, por çdo bashki do të ketë grupet e saj operacionale. “Në kuadër të të gjithë kësaj reforme ne do të na duhet që të agregojmë të gjitha ndërmarrjet e qarkut pranë ujësjellësit të Korçës, i cili do të vijojë të mbajë të gjitha funksionet e ndërmarrjes, por sigurisht duke i lënë çdo qendre grupet operacionale”, nënvizoi Balluku.

Duke ju drejtuar kryebashkiakëve, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se “kemi një synim të përbashkët dhe kjo është diçka që nuk ka diskutim. Si ju si drejtues të pushtetit lokal dhe si qeveria shqiptare, i vetmi synim dhe qëllim që kemi është që t’i ofrojmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë shërbim të pandërprerë 24 orë të ujit të pijshëm në kushte higjenike. Të gjithë së bashku për këtë synimin që kemi ne na duhet që të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë. Të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të bashkërendojmë hapat tanë të së ardhmes”.

Për kreun e AKUM, qëllimi i reformës është që të bëjë të mundur mirë akordimin dhe rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve. “Në qoftë se ky sektor nuk e sheh problematikën si një e tërë, por e veçuar në bashki të ndryshme me forma të ndryshme menaxhimi, strukturore, sisteme të ndryshme ose mënyrë ndryshe të llogaritjeve financiare, pa diskutim që do të kemi kohë pas kohe këtë situatë ndoshta dhe më të keqësuar për këtë sektor”, deklaroi Jahja.
Në qarkun e Korçës aktualisht operojnë 5 shoqëri aksionere Ujësjellës-Kanalizime, të cilat kanë të regjistruar afro 53 mijë kontrata.