Reforma në sektorin e ujit, Balluku diskuton me kryebashkiakët e qarkut Elbasan - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/11/2021

Reforma në sektorin e ujit, Balluku diskuton me kryebashkiakët e qarkut Elbasan

Turi i takimeve të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në kuadër të Reformës në sektorin e ujit ka vijuar në qarkun e Elbasanit. Ministrja Balluku, e shoqëruar nga drejtori i AKUM, Klevis Jahja, diskutoi me kryebashkiakët e këtij qarku, për performancën e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve, duke vendosur theksin tek nevoja për një reformë të thellë të këtij sektor, e cila do të bëjë të mundur ndryshimin e situatës aktuale.

Ministrja Belinda Balluku theksoi në fjalën e saj se prej muajsh po punohet për hartimin e një reforme, e cila mbi të gjitha do të përmirësojë, së pari shërbimin e ofruar qytetarëve, por edhe performancën financiare dhe operative për të gjithë ujësjellësit.

“Keni qenë dëshmitarë të investimeve të shumta që Qeveria Shqiptare ka bërë në 8 vite dhe sidomos në 3 vitet e fundit, ku nga të gjitha të dhënat kemi një shifër rekord, rreth 900 milionë euro të investuara në këtë sektor, por ndërkohë performanca për të thënë të drejtën lë shumë për të dëshiruar. Kështu që detyrë e secilit prej nesh është që me një mendësi të hapur, duke pasur parasysh qëllimin dhe synimin tonë kryesor, që ka të bëjë padyshim me ofrimin e një shërbimi model për qytetarët, duke pasur parasysh që uji është një e drejtë mbi të gjitha dhe jo thjesht një shërbim si gjithë të tjerët, unë jam shumë e sigurt që ne do të gjejmë një rrugë bashkëpunimi për t’i dhënë një zgjidhje kësaj problematike e cila zgjat prej dekadash tashmë”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se pavarësisht investimeve performanca e vetë ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve është ende shumë larg asaj që pritet, ndaj reforma në këtë sektor është mëse e domosdoshme.

“Synimi ynë është që t’u ofrojmë qytetarëve tanë shërbim optimal dhe të jemi të drejtë me shërbimin që ofrojmë. Pra mos të kemi asnjë ambiguitet përsa i përket çmimit, përsa i përket orareve të shërbimit, apo gjithçka tjetër. Kjo është ajo çka na bashkon. Për të arritur qëllimin tonë ne na duhen aksione të përbashkëta dhe na duhet një mirëkuptim për të përmirësuar gjithçka që mundemi. Të gjithë së bashku të drejtuar nga ky qëllim që thamë, pra për të ofruar shërbim optimal për qytetarët në Republikën e Shqipërisë, ne do të duhet të angazhohemi sot që me shumë seriozitet do të ulemi dhe do të vazhdojmë punën që kemi nisur për reformën në sektorin e ujit”, nënvizoi Balluku.

Drejtori i AKUM, Klevis Jahja në fjalën e tij u ndal në disa problematika që verehen në funksionimin e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve në qarkun e Elbasanit: “Ne vlerësojmë vështirësitë që ka ky proces në vetvete dhe administrimi i këtyre kompanive, por në të gjitha diskutimet dolën disa shqetësime që kemi, në diferencat që ka në strukturat, mënyrën e organizmit dhe funksionimit të ujësjellësave dhe në mënyrën e raportimit të këtyre të ardhurave. Unë do të përmend një fakt të thjeshtë. Në pjesën më të madhe të ujësjellësave, përveç Librazhdit, të gjithë të tjerët, matësat e ujit nuk janë fare të instaluar ose janë jashtë funksionit, çka bën që vlera e deklaruar e humbjeve, mund të jetë dhe më e lartë”.

Nga ana e tyre, vetë kryebashkiakët, teksa prezantuan shkurtimisht situatën në ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve të cilat janë në varësinë e tyre, ndanë mendimin e përbashkët për nevojën e një reforme në sektorin e ujit.