Qeveria miraton masën e subvencionit për transportin publik - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 13/05/2026

Qeveria miraton masën e subvencionit për transportin publik

Fjala e Ministrit, Enea Karakaçi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave

 

Përshëndetje të gjithëve!

Në mbledhjen e qeverisë kaluam disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por atë që do të ndalem sot është një akt i rëndësishëm i marrë në kuadër të masave subvencionuese që Qeveria Shqiptare ka marrë në kohën e krizës së hidrokarbureve dhe bëhet fjalë për masën e subvencionimit për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.

Kujtoj që para rreth një muaji ne jemi ulur me Shoqatat e Transportit, si dhe me përfaqësues të bashkive bashkë dhe me Ministrinë e Ekonomisë. Jemi ulur në tryezë dhe kemi dëgjuar të gjitha shqetësimet dhe problematikat e tyre. Në atë kohë ne dhamë fjalën që do të kishim një masë subvencionuese, siç kishim edhe në kohën e vitit 2022 dhe konkretisht sot e kemi miratuar. Bëhet fjalë për një kompensim në masën 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik të transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.

Po ashtu një lajm i mirë tjetër, që përsëri ne u angazhuam në ato takime që kemi bërë me të gjitha grupet e interesit të transportit, është që këtë masë subvencionuese do e fillojmë që në muajin mars, kur kishim dhe fillimin e efekteve të krizës dhe në këtë kuptim kemi përmbushur një angazhim të marrë me grupet e interesit dhe sipas dakordësisë përkatëse.

Faleminderit!

 

Përgjigjet e pyetjeve:

Milot-Balldren është një rrugë shumë e rëndësishme për të gjithë Korridorin Adriatiko-Jonian, po kryesisht për veriun e Shqipërisë dhe për qarkun Shkodër, në të cilën unë e kam vëmendjen maksimale për atë rrugë. Patjetër që është me procedurë konkurruese, ka rrugën e vet ligjore dhe komisioni i dhënies me koncesion po e verifikon me rregullshmërinë e duhur. Unë pres që siç e kemi informuar edhe që ju e saktësuat para disa javësh, do kemi mundësinë që ta shpallim fituesin dhe nisjen e kësaj rruge kaq shumë të rëndësishme për gjithë veriun dhe sidomos edhe për qarkun e Shkodrës, sepse lidh pjesën e korridorit Adriatik me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Përsa i përket shqetësimit që ju ngrini, unë mendoj që është një shqetësim që nuk është shumë i bazuar për shkak se të gjitha këto rrugë që ju referoni patjetër janë me toll, me pagesë, siç janë në të gjithë Europën, për ata që duan të ecin në një kategori A autostrade, por kanë dhe rrugët alternative të cilat përsëri mund të jenë të aksesueshme. Dhe në këtë kuptim patjetër realizohet funksioni publik i bërjes së një rruge të një kategorie të caktuar të nivelit A, por po ashtu duke krijuar dhe mundësinë e rrugës alternative pa pagesë. Në këtë kuptim qytetari nuk humbet asgjë përveç se përfiton një rrugë me standard të lartë dhe për t’u ndërlidhur me qytetet e tjera në një kohë sa më të shkurtër.

***

E para, unë do kisha sugjeruar që kur bëjmë bashkëbisedimin këtu edhe shifrave t’i referohemi në mënyrën e duhur. Të thoni që 50% e rrugëve janë me pagesë është absurde dhe besoj që nuk është as për t’u diskutuar. Ne ishim duke diskutuar bashkë përsa i përket elementit të rrugëve alternative dhe ajo çfarë po ju them është që të gjitha këto rrugë që ju referoni kanë rrugë alternative dhe një pjesë e mirë e tyre, në rastin konkret të atyre rrugëve të reja që ju referoni, kanë rrugë të reja alternative që është sipas standardeve përkatëse.

Përsa i përket funksionit të Bordit të Transparencës, Bordi i Transparencës ka një funksion shumë të qartë të përcaktuar me ligj që është dhënia e transparencës dhe vendosja e kushteve maksimale, përsa i përket shitjes së hidrokarbureve në treg. Ndërkohë po ashtu rol i rëndësishëm i Bordit të Transparencës është ulja me qytetarët dhe ulja me grupet e interesit për t’i dëgjuar me masa mbështetëse dhe subvencionuese.

Masa që unë propozova sot dhe miratuam në qeveri, vjen pikërisht për këtë që është subvencionimi me 50 lekë i të gjitha shoqërive të transportit publik, transportit ndërqytetas, qytetas dhe rrethqytetas për 50 lekë për litër.

Faleminderit!