» Procesi i skanimit, Bonati: Ndërprerje e kontratave koncesionare për 17 HEC-e
Postuar më: 15/04/2019

Procesi i skanimit, Bonati: Ndërprerje e kontratave koncesionare për 17 HEC-e

Deklaratë për media e zëvendës/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati:

Procesi i skanimit të situatës mbi korrektësinë e zbatimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e subjekteve që kanë përfituar kontrata për ndërtimin e HEC-eve ka vijuar me ritme të shpejta, sipas planit të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në zbatim të Urdhrit nr. 47 dhe nr. 48, datë 30.1.2019, “Për verifikimin e zbatimit të kushteve të kontratave koncesionare dhe kontratave objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015, për burimet hidrike të energjisë”, janë marrë të gjitha masat për të adresuar problematikat e identifikuara deri më sot, ku më frekuentet janë:

– Mosrespektimi i afateve proceduriale;

– Mosrespektimi i kushteve ligjore dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara.

Nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, tashmë ka përfunduar procesi monitorimi dhe verifikimit i situatës në terren dhe puna është fokusuar në praktikën dokumentare dhe në koordinimin e qëndrimeve me institucionet e tjera, si: Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë e Manaxhimit të Burimeve Ujore, për të dalë në konkluzionet finale mbi procedurat dhe hapat që do të ndiqen.

Nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.

Pra, deri më sot, numri total i praktikave për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste.

Sikurse është thekuar edhe më parë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po procedohet me kujdes, për të minimizuar risqet e mundshme dhe implikimet financiare për Buxhetin e Shtetit.

Problematikat e konstatuara në mënyrë të përsëritur gjatë këtij procesi skanimi, po analizohen në funksion të riinxhinierimit të gjithë procedurës për lidhjen e kontratave koncesionare, sikurse dhe për procesin e monitorimit dhe kontrollit të kësaj të fundit.