Problematikat me motin, inspektime në terren - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 08/01/2026

Problematikat me motin, inspektime në terren

Prononcimi për media i Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në zonën e Novoselës:

Është e rëndësishme që të themi që të dyja prefekturat si e Vlorës, ashtu dhe e Fierit, me të gjithë kryetarët e bashkive të angazhuar në këto momente, jo vetëm në qytetet e prekura, pra jo vetëm Vlora dhe Fieri, por të gjithë kryetarët e tjerë të bashkive që janë pjesë e këtyre dy qarqeve, janë të angazhuar për ngritjen e të gjitha qendrave të akomodimit për evakuimet.

Ne e kemi shumë të qartë, e kemi parë këtë edhe gjatë periudhës së tërmetit për të thënë të drejtën, që banorët zakonisht nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por jeta është e rëndësishme në këto momente.

Sigurisht ne kemi marrë masat, këtu është edhe Ministri i Bujqësisë, përsa i përket të gjithë angazhimit për mbrojtjen dhe shpëtimin edhe të gjësë së gjallë në këto momente. Duhet të jeni në dijeni që kryeministri është duke dizenjuar së bashku me Ministrinë e Financave në këto momente një paketë, e cila do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore, ashtu edhe për banesat. Nesër në mëngjes në orën 8.30 do të ketë një mbledhje të Komitetit të Emergjencave ndërqeveritar, ku do të bëhet edhe një adresim nga ana e kryeministrit, jo vetëm për zgjidhjen e situatës.

Kini parasysh që në këto momente duhet ti bëjmë thirrje dhe unë po përfitoj nga rasti, ja kërkoj këtë të gjithë televizioneve dhe gazetarëve që jeni në terren, ju falënderoj shumë që keni qëndruar afër të gjitha skuadrave të shpëtimit në këto momente. Ju lutem bëjini thirrje qytetarëve që ti përgjigjen thirrjeve që bëhen nga ana e Emergjencave Civile. Nganjëherë është më mirë që të marrim masa edhe më të shpejta sesa vetë situata që mund të agravojë.

Kemi shpresë që të ketë një rënie të nivelit të Vjosës, pasi nuk afektohet vetëm nga reshjet që ndodhin në territorin tonë, por afektohet edhe nga reshjet që ndodhin në Greqi në këto momente.

Sistemi energjetik ka performuar maksimalisht, pavarësisht kushteve atmosferike shumë të vështira, nuk kemi pasur ndërprerje të gjata, ndërprerjet kanë qenë momentale, qofshin këto nga linjat e transmetimit, pra të Operatorit të Transmetimit, qofshin këto nga linjat e OSHEE.

Megjithatë duhet të keni parasysh që në 24 orët e ardhshme presim erëra të fuqishme për momentin në disa nga zonat, sidomos në zonën perëndimore, pra atë që ne quajmë luginës perëndimore edhe në bregdet do të arrijë deri në 17 metra për sekondë, por parashikohet që në orët në vazhdim të arrijë deri në 25 metra për sekondë. Vlora do të jetë e afektuar, e ka thënë kryetarja edhe në disa dalje të tjera për mediat, kështu që keni parasysh që do të jetë një situatë e shtuar, situata me erën në Ultësirën Perëndimore.

Reshjet e borës kanë nisur në këto momente, ashtu siç ju e dini në zonën veriore, juglindore dhe në pjesët e tjera ku ndoshta nuk ka prezencë bore zakonisht. Megjithatë temperaturat do të ulen sot, por nesër do të ngrihen sërish. Situata është sfiduese, na duhet që të gjithë të jemi në terren për ta përballuar atë. Na duhet bashkëpunimi i qytetarëve, siç ju thashë për ato zona ku kërkohet evakuimi.

Do të ketë vëmendje maksimale patjetër energjia. Ujësjellësit gjithashtu janë vënë në një sprovë në këto momente. Po të marrim rastin e Fierit, zonat e pompimit janë nën ujë. Qyteti i Fierit po furnizohet me bote, kjo për sigurinë e qytetarëve, pra për të pasur ujë të pastër, në ndërkohë që vazhdojnë të jenë nën monitorim të gjitha ato zonat e veriut që dje kanë pasur situatën siç sot po ndeshemi në jug për të vazhduar dhe për ti ndjekur, pavarësisht se situata në veri është më e përmirësuar dhe është konstante në këto momente.

Akset rrugore janë të gjitha të aksesueshme, ato kombëtare. Ka dhe akse rrugore rurale të cilat mund të jenë pak në situatë më të vështirë, megjithatë edhe bashkitë po ndërhyjnë. Gjej rastin këtu që ti bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët janë në këto momente në lëvizje që duhet përdorur gomat e dimrit dhe duhen përdorur zinxhirët. Unë di që prefektura të ndryshme kanë dalë dhe kanë bërë thirrje edhe në zonat e veriut, siç është përshembull rasti i rrugës së Arbrit apo rrugë të tjera ku bora ka shtruar, është zona e Bulqizës që ka edhe borë, por edhe erë në këto momente.

Kryeministri ka bërë thirrje, po e bëj edhe unë këtë thirrje që në rast se nuk është e nevojshme qarkullimi apo dalja nga banesa në këto momente, ju lutem evitojeni. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme e motit, do të kalojë shpejt, ndaj na duhet që të bashkëpunojmë të gjithë.

Shumë faleminderit!

 

Prononcimi për media i Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave për qarkun Gjirokastër:

Sapo kemi përfunduar një mbledhje të Komitetit të Emergjencave për Qarkun e Gjirokastrës.

Kemi diskutuar gjithë problematikën e cila ndodh në këto momente në terren. Një lajm mirë që desha të ndaja, që nuk ka të bëjë vetëm me qarkun e Gjirokastrës, po me të gjithë jugun dhe gjithë zonat nga ku kalon lumi i Vjosës është që krahasuar me nivelin që kemi pasur sot në pikën e matjes, që është ajo në Memaliaj që ka qenë 8 metra tani ka rënë në 6.5, pra kemi një ulje me 1.5 metra, e cila do të reflektohet gjithashtu edhe në zonën e Novoselës në grykëderdhje pra, zonë që e kemi inspektuar sot gjatë ditës, ka qenë ministri i Mbrojtjes atje, ministri i Bujqësisë, kemi komunikuar me të gjithë popullatën e zonës edhe për evakuimin, por duke qenë se kemi këtë rënie me 1.5 metra të pikës së matjes në Memaliaj me të vërtetë ky është një lajm i mirë që tregon përmirësimin e situatës.

Këtu në Gjirokastër temperaturat janë ulur, ka filluar edhe një reshje dëbore e lehtë. Megjithatë, rrugët janë kryesisht të hapura. Ka disa rrugë fshatrash të cilat komunikojnë me njëra-tjetrën që janë për momentin të bllokuara.

Batalioni i dislokuar këtu, që është një batalion i ri, ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë periudhës së zjarreve në verën e kaluar, por është duke bërë të njëjtën punë edhe gjatë kësaj situate me reshjet e shtuara në të gjithë Shqipërinë, por sidomos edhe këtu në qarkun e Gjirokastrës.

Vetëm në zonën e Memaliaj Fshat ka disa banesa të cilat do të inspektohen në këtë moment nga forcat e Emergjencave Civile dhe nga Forcat e Armatosura, ndërkohë që nga ana tjetër e gjithë situata është nën kontroll.

Kemi diskutuar me kryetarët e bashkisë që janë prezentë, me drejtuesen e qarkut, me prefekten dhe gjithë të tjerët që kanë qenë gjatë kësaj mbledhje për disa pika kryesore që duhet të vihen tani në zbatim përsa i përket një plani evakuimi, pak rëndësi nëse do të ketë përkeqësim të motit apo jo, plani i evakuimit duhet të jetë për të gjitha bashkitë prezent. Ato bashki të cilat kanë njësi hotelerie apo konvikte e kanë shumë më lehtë zbatueshëm. Të gjitha bashkitë e tjera do të marrin masat, bashkë me Emergjencat Civile për të pasur palestra apo njësi të tjera, të cilat mund të akomodojnë në rastin e kërkesës së evakuimit.

Megjithatë, ashtu siç thashë situata e motit është duke u përmirësuar. Sigurisht, të shtunën ne do të kemi një përkeqësim tjetër të motit, i cili do sjellë reshje të reja, megjithatë do të kemi 48 orë për ta menaxhuar situatën. Temperaturat po ulen. Në ndërkohë kemi diskutuar edhe për situatën energjetike në këtë qark, duke qenë se këtu e kemi pasur sfidën më të madhe. Është menaxhuar shumë mirë pjesa tjetër e Shqipërisë, ndërkohë që në Gjirokastër kemi pasur ndërprerje në disa fshatra apo kemi pasur dhe ndërprerje të një linje transmetimi që është ajo e Lunxhërisë, që në një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, Forcat e Armatosura, elektricistët dhe inxhinierët e OSHEE-së edhe forcat e Emergjencave Civile kanë rikthyer energjinë në zonën e Lunxhërisë, duke kryer këtë aksion për rilidhjen e transmetimit.

Nga ana tjetër, të gjitha njësitë, si ato vendore, si ato të pushtetit qendror janë në koordinim të plotë, përsa i përket edhe pjesës së rrjetit të akseve rrugore kombëtare, edhe për to janë marrë masa. Kemi një zonë të aksit nga Tepelena në Gjirokastër, kemi pasur një rrëshqitje, rrëshqitje që nuk vjen nga skarpatet e rrugës, por vjen nga shumë më lart, duke pasur parasysh se kemi një erozion të vazhdueshëm që vjen edhe për shkak të zjarreve. Është një bisedë që e kemi bërë edhe në tryezën e këtij Bordi Emergjencash, por edhe është një plan i Qeverisë Shqiptare për të gjithë ato zona të cilat kanë qenë të goditura nga zjarret gjatë verës të fundit të ketë një nisje të një pyllëzimi, i cili do të jetë në bazë të një plani të mirë hartuar për të ndaluar kështu erozionin, i cili ne e kemi parë edhe gjatë reshjeve të 48 orëve të fundit që me të vërtetë është ndjerë impakti i asaj që ka ndodhur.

***

Shumë faleminderit të gjithëve. Unë do ta nënvizoja edhe një herë atë çka ministrja tha. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet që menjëherë pas kalimit të kësaj situate, ne në bashkëpunim me pushtetin vendor, pasi do të jetë një nga detyrat që duhet ta performojë pushteti vendor do të ketë një identifikim të dëmeve që kanë ardhur për shkak të kësaj situate dhe padyshim kompensimi i tyre.

Buxheti i Shtetit parashikon fondin rezervë, i cili është një fond që vihet në dispozicion në raste të tilla. Gjatë ditës së nesërme në orën 08:30 do të ketë një mbledhje të Komitetit të Emergjencave, një komitet ku marrin pjesë të gjithë aktorët, si ministrat, ashtu deputetët edhe kryetarët e bashkive, prefektët, do të drejtohet nga kryeministri Rama dhe do të ketë një adresim të qartë edhe të planit të masave që do të kemi për 48 orët e ardhshme, por edhe të kompensimit.

Shumë faleminderit të gjithëve!