Prishtinë, mbahet Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 21/09/2022

Prishtinë, mbahet Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor

Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor:

 

I nderuar Kryeministër Kurti,

Të nderuar Ministra,

Përfaqësues të Komisionit Evropian,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Në emër të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, kam kënaqësinë që jam sot këtu në një tjetër mbledhje të Ballkanit Perëndimor, si një shprehje e angazhimit tonë për të punuar ngushtë së bashku në transformimin digjital të ekonomive tona të ndërtuar mbi bashkëpunimin e vendosur në edicionet e mëparshme të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor.

 

Transformimi Digjital nuk është një zgjidhje, është e pashmangshme. Teknologjia dhe digjitalizimi ofrojnë dhe japin vlera në të gjithë sektorët, në të gjithë aspektet e jetës sonë të përditshme dhe të punës. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të vazhdojmë me përparimet e reja dhe sigurisht si Qeveri t’i akomodojmë ato jo vetëm në proceset tona të punës, por edhe të sigurojmë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe rregullator për avancimin e tyre.

 

Në këtë kontekst, ne veçanërisht vlerësojmë nisjen e dialogut rregullator midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në transpozimin efektiv të acquis dhe reformat prioritare legjislative, në përputhje me objektivat e transformimit digjital dhe të gjelbër. Çfarë është gjithashtu shumë e rëndësishme është përpjekja e përbashkët për të arritur uljen e tarifave roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Mund të duket e vogël në krahasim me ndryshimet e mëdha që po ndodhin në këtë sektor si revolucioni 5G, por është diçka që prek qytetarët tanë dhe xhepat e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe për diçka që jam shumë e sigurt, që ata do ta vlerësojnë, sepse njerëzve të Ballkanit i pëlqen të udhëtojnë në Evropë. Dhe gjithashtu sepse ne dëshmuam ndikimin që pati roaming falas në rajon kur implementuam “roaming si në shtëpi” në korrik të vitit të shkuar.

 

Krijimi i një tregu të përbashkët digjital dhe kapacitetet e zgjeruara të lidhjes digjitale përmes fibrave optike apo teknologjisë së avancuar 5G, hap derën për një mori mundësish në sektorë të tjerë kyç, si energjia, infrastruktura apo edhe arsimi. Duke pranuar dhe njohur fuqinë që një pajisje sa pëllëmba e dorës sonë ka, Qeveria e Shqipërisë prej kohësh ka nisur një reformë të thellë për transformimin digjital duke nisur nga shërbimet që ne i ofrojmë qytetarëve dhe bizneseve, dhe proceseve të punës në administratën publike. Sot në Shqipëri, mbi 1200 shërbime publike ofrohen online. Kjo është 95% e të gjithë shërbimeve të ofruara, duke përjashtuar ato për të cilën kërkohet prezenca fizike për identifikimin apo arsye sigurie. Në vitin 2014, kjo përqindje ishte vetëm 1% ose vetëm 14 shërbime ofroheshin online.

 

Kjo përkthehet në kohë më të shkurtër dhe kosto të reduktuara në marrjen e këtyre shërbimeve, duke u mundësuar qytetarëve tanë një akses për të marrë këto shërbime kudo që ata ndodhen, kurdo që mund ti nevojiten. Por, më e rëndësishmja, kjo ka hequr totalisht ndërveprimin midis qytetarëve dhe zyrtarëve publikë, duke eliminuar edhe mundësinë e korrupsionit në këmbim të marrjes së shërbimeve që qytetarët kanë të drejtë të marrin dhe zyrtarët publikë kanë detyrë të garantojnë, duke rikthyer besimin e qytetarëve tanë në institucionet publike.

 

Kemi sot 2,7 milionë shqiptarë të regjistruar si përdorues të këtyre shërbimeve. 2,7 milionë shqiptarë që kanë akses të menjëhershëm në informacionin e tyre personal.

Janë 27,8 milionë aplikime për përdorimin e këtyre shërbimeve.

55 databaza dhe regjistra elektronik që ndër veprojnë dhe shkëmbejnë informacion të saktë në kohë reale nëpërmjet 215 milionë transaksione.

21 milionë dokumente që janë të vulosura në mënyrë elektronik janë gjeneruar përmes platformës E-Albania.

 

Në total, ne i kemi shpëtuar qytetarëve tanë më shumë se 990 vite kohë pritjeje në radhë pas sporteleve. Ne i kemi kursyer qytetarëve tanë mbi 9 milionë euro tarifa shërbimi me anë të dokumenteve të stampuar elektronikisht të cilat lëshohen pa kosto. Bizneset përfitojnë nga një gamë e gjerë shërbimesh duke përfshirë regjistrimin, lejet, licencat, pagesat e taksave që janë tërësisht  pa letra. Qytetarët e huaj mund të aplikojnë dhe të marrin vizën e tyre me anë të platformës e-visa pas pasur nevojë të vizitojnë një konsullatë.

 

Ne gjithashtu kemi digjitalizuar proceset tona të brendshme, duke implementuar softuer dhe databaza që lejojnë administratën publike të ndër veprojë në distancë dhe të shkëmbejë dokumente, që kursen kohë dhe është më efiçente dhe më e besueshme sesa shkëmbimet verbale, edhe pse jo, redukton dhe përdorimin e letrës duke fotokopjuar faqe të mëdha dokumentesh. Revolucioni digjital është një realitet, por gjithashtu dhe një punë në progres. Sigurisht, digjitalizimi i sistemeve tona, databazave dhe infrastruktura kritike ka edhe disavantazhet e veta. Fatkeqësisht, shteti ynë së fundmi ka pësuar një sulm kibernetik, jo nga një individ apo një haker i zakonshëm, por një sulm i koordinuar dhe i mirë-organizuar nga një shtet tjetër.

 

Natyrisht, përgjigja jonë, me suportin e madh të partnerëve tanë strategjik, ka qenë imediate dhe e plotë, në mënyrë që të ulim dëmet e këtij sulmi, dhe gjithashtu të rrisim sigurinë e sistemit tonë digjital dhe rrjeteve tona. E ndaj me ju këtë, pasi besoj fort që kjo duhet të shërbejë si një moment reflektimi në punën të cilën ne kemi përpara për të garantuar mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sistemeve tona, dhe informacionet private dhe sensitive të qytetarëve tanë, dhe të ndalojmë sulme të tilla në të ardhmen.

 

Qeveria e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për zhvillimin e një infrastrukture digjitale të sigurtë, dhe për të ndërmarrë aktivitete për të përmirësuar kooperimin për sigurinë kibernetike brenda rajonit duke rritur mbrojtjen e infrastrukturës kritike, kapaciteteve të sigurisë kibernetike, ndërgjegjësimin rajonal të sigurisë kibernetike me fokus parandalimin dhe zbulimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe rikuperimin të shpejtë dhe efektiv. Shfrytëzoj rastin dhe mundësinë për të ftuar sërish Komisionin Evropian, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë që të vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin dhe koordinimin rajonal me anë të implementimit të veprimeve dhe strategjive rajonale, politike, financiare dhe teknike. Ne jemi shtete të vogla, por dëmi që ne mund të pësojmë mund të ketë pasoja të mëdha që i tejkalojnë kufijtë.

 

Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, dua të falenderoj Kryeministrin Kurtin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, për pritjen e edicionit të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të përshpejtuar bashkëpunimin rajonal dhe të BE-së në të gjitha fushat e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

 

Ju faleminderit.