Porti i lundrueshëm me LNG në Vlorë, nënshkruhet Memorandum me Overgas - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/05/2022

Porti i lundrueshëm me LNG në Vlorë, nënshkruhet Memorandum me Overgas

Shqipëria do të kthehet në një pikë të rëndësishme për rajonin sa i takon furnizimit me gaz të lëngshëm. Projektet e Qeverisë Shqiptare në këtë sektor, siç është vendosja në funksion e TEC-it të Vlorës me gaz, si dhe ndërtimi i portit të lundrueshëm, dy projektet të cilat do të bëhen realitet falë bashkëpunimit me dy kompanitë amerikane, Exxon Mobile dhe Excelerate Power, po tërheqin vëmendjen edhe të kompanive të tjera të njohura.

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Albgaz, Linden Energy dhe Overgas, ku kjo e fundit, kompani bullgare, ka shprehur interes për tu furnizuar me gaz të lëngshëm nga porti i lundrueshëm i Vlorës.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku e cilësoi këtë si një moment të shënuar dhe që e kthen Shqipërinë në një pikë të rëndësishme të furnizimit me gaz të lëngshëm për të gjithë rajonin, por njëkohësisht është një hap i rëndësishëm drejt gazifikimit të Shqipërisë.

“Projektit tonë po i afrohen edhe partnerë të tjerë mjaft të njohur, me kontribute shumë të mëdha në fushën e naftës dhe të gazit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është Linden Group dhe ne sot ndihemi me të vërtetë të nderuar që të kemi interesin e tyre për të bashkëpunuar me ne dhe për të firmosur një Memorandum Mirëkuptimi për nisjen e një pune të përbashkët për ta zhvilluar këtë projekt edhe më tej nga çfarë ne kemi në biznes-planin tonë të deri më sotëm”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se për të këtë projekt kanë shfaqur interes edhe vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. “Ai hap që ne e hodhëm me skepticizëm në fillim, sot po kthehet në një nga projektet më të rëndësishme të rajonit, por dhe të gjithë Ballkanit”, nënvizoi Balluku.

Memorandumi i nënshkruar midis Albgaz, Linden Energy dhe Overgas tregon për herë të parë një interes për blerje gazi nga terminali i Vlorës. Overgas, një kompani private shpërndarjeje në Bullgari ka shprehur interes për të blerë gaz nga Terminali i Vlorës fillimisht në sasinë 0.5-1 bcm. Excelerate dhe Overgas tashmë kanë filluar punën për koordinimin e këtij projekti.