Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku (Parku Eolik i Tropojës)
I nderuar Kryeministër,
E nderuar zonja VanHorn,
I nderuar zoti Petrit Ahmetaj,
Të gjithë të ftuar, bashkëpunëtorë,
Të nderuar përfaqësues të kompanisë amerikane CWP,
Sot është një kënaqësi e madhe të jemi këtu sot për të prezantuar një projekt i cili mishëron vizionin e Qeverisë Shqiptare përsa i përket zhvillimeve energjetike.
Një projekt që lidhet me energjinë, por mbi të gjitha dëshmon qartë strategjinë tonë afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përgjegjësinë ndaj brezave që do të vijnë në vendin tonë.
Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik. Ai është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit. Ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe investimet e huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes, falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata.
Shqipëria po kalon nga varësia pothuajse e plotë nga hidrocentralet deri para pak vitesh, në një model modern, të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjidhje, por është domosdoshmëri strategjike. Ky tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim. Është një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra konkrete, i matshëm me megavatorë, që ndryshojnë hartën energjetike të vendit.
E kemi nisur këtë rrugëtim të gjatë në vitin 2018, ku për herë të parë Qeveria Shqiptare filloi të fliste për një strategji që do të bazohej mbi diversifikimin e burimeve, jo më varësi nga kushtet atmosferike, të motit. Jo më varësi nga hidrocentralet e ndërtuara gjatë kaskadës së Drinit, apo edhe ato të jugut, pavarësisht se tashmë nuk i përkasin stokut të hidrocentraleve shtetërore, por një skemë e re energjetike e cila do të bazohej mbi diversifikimin, mbi krijimin e burimeve alternative, ashtu siç ishin ato të energjisë diellore, por më pas edhe ato eolike.
Ky tranzicion nuk është vetëm një ide apo një premtim, ai është një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra. Investimet e huaja direkte janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe padyshim institucional. Sot, ky besim në Shqipëri është i dukshëm dhe i matshëm, pasi vetëm në kohët e fundit, në vitet e fundit, mbi 1.5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme, si energjia diellore dhe ajo e erës, gjithashtu edhe disa hidrocentrale me impakt të ulët mjedisor.
Gjatë këtyre viteve në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme dhe sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese private fotovoltaike të instaluara dhe që ndodhen në operim, si dhe 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhuese.
Kemi gjithashtu një portofol projektesh që në vitet e ardhshme pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme të vendit më tej se 1,500 MW me teknologji fotovoltaike dhe eolike. Gjithashtu kemi mbi 1,600 MW kapacitete të reja depozituese në fazë studimi dhe vlerësimi financiar.
Vetëm në energjinë diellore, Shqipëria ka kaluar nga projekte pilot në impiante të shkallës së madhe. Parku fotovoltaik i Karavastasë, një nga parqet më të mëdha në rajon, i cili tashmë prodhon 140 MW kapacitet të instaluar, është sot një nga projektet që e bën Shqipërinë krenare dhe e kthen në një model për tu ndjekur në të gjithë rajonin.
Në energjinë e erës, për herë të parë në historinë tonë energjetike, Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete, nëpërmjet projektit të kompanisë amerikane CWP, me kapacitet të pritshëm për t’u instaluar 600 MW. Kjo nuk është një rastësi. Nuk është një rezultat i një politike të pa studiuar. Vjen në bazë të një strategjie dhe për të thënë të drejtën kur vijmë tek parqet eolike, dua ta them këtu dhe dua të përgëzoj CWP për të gjithë intensitetin me të cilin ka punuar, për bashkëpunimin që ka pasur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe padyshim edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë punës, pasi duhet thënë që parqet eolike kanë një vështirësi më të madhe gjatë studimit dhe padyshim gjatë ndërtimit të tyre, qoftë kjo për shkak të zonave, korridoret e erës në Shqipëri ndodhen mbi lartësinë 120 metra. Pra, flasim për zona kryesisht kodrinore dhe malore. Por nga ana tjetër duhet pasur parasysh që për të ndërtuar një projekt të tillë ka nevojë për një kohë ngjizje që për ju quhet koha e studimit 4 stinore, ose ndryshe 12 muaj. Pra janë projekte të cilat kërkojnë një kohë të gjatë implementimi, studimi, por nga ana tjetër sigurisht pasi ato ndërtohen ashtu siç duhet dhe me të gjithë studimet e duhura kanë impakt të jashtëzakonshëm në energjinë, dhe si rrjedhojë në ekonominë e një vendi.
I gjithë ky diversifikim na bën më të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimaterike, që për të thënë të drejtën kohët e fundit kanë qenë edhe të prekshme. Unë këtë event sot shpresoj që të jetë një ogur i mirë edhe me diellin që ka dalë, pas një 10 ditëshi shumë sfidues në të gjithë Republikën e Shqipërisë që sigurisht ka të bëjë me reshjet e shiut, ka të bëjë me prodhimet e hidrocentraleve që ne kemi në të gjithë vendin, por mbi të gjitha ka të bëjë me ndryshimet klimaterike, pasi ka prekur të gjithë rajonin.
Projekti që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP është një shembull i qartë i qasjes që Qeveria Shqiptare ka ndaj energjisë së rinovueshme dhe ekonomisë së qëndrueshme. CWP është një kompani lider në energjitë e rinovueshme në Evropën Juglindore dhe angazhimi i saj në Shqipëri do të sjellë, veç të tjerash, edhe përvojë të pasur dhe eksperiencë globale të projekteve të këtij lloji dhe të kësaj shkalle.
Me afro 6 GW kapacitete energjetike të zhvilluara ndërkombëtarisht dhe një portofol projektesh në zhvillim me një kapacitet të kombinuar prej 7 GW në të gjithë Evropën Juglindore, CWP prezantohet si një garanci e fortë për një histori të re suksesi me Parkun eolik të Tropojës.
Këto investime private kanë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorin energjetik shqiptar, duke kontribuar në rritjen e prodhimit vendas të energjisë. Ulin varësinë nga importet, veçanërisht në vitet e thata. Përmirësojnë sigurinë energjetike të vendit. Në të njëjtën kohë, këto investime private nuk janë thjesht projekte energjetike. Janë investime që krijojnë vende pune, investime që sjellin teknologji dhe “know-how”, investime që rrisin të ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale.
Nëse do ta shikonim këtë si një komponent të zhvillimit të sektorit, Shqipëria sot po investon qenësishëm në linjat e transmetimit. Linjat e transmetimit të Republikës së Shqipërisë, tashmë lidhen me të gjithë fqinjët tanë, duke shpresuar shumë që tashmë që Shqipëria pothuajse e ka përfunduar të gjithë linjën që shkon në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë shumë që të njëjtën gjë të bëjë edhe shteti ynë fqinj dhe ta sjellë sa më parë linjën në kontakt, duke krijuar kështu vijimësinë e Korridorit të VIII, Shqipëria është një nga vendet më mirë të lidhura në sistemin e transmetimit që i jep kështu një garanci investitorëve të huaj, se duke ndërtuar parqet e tyre eolike apo fotovoltaike në Shqipëri, ata e kanë të garantuar tregun e lirë, jo vetëm ballkanas, por edhe atë europian.
Sektori energjetik është gjithashtu një motor i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit, si një nga sektorët më të vlerësuar nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë, duke e klasifikuar Shqipërinë si të parën në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjetike, si dhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive, të vlerësuar në Raportin e Progresit të Komisionit Europian të vitit 2025.
Dua të them qartë që Qeveria Shqiptare është e vendosur të vazhdojë mbështetjen për investime private në kapacitete të reja gjeneruese, veçanërisht ato që janë të qëndrueshme, të përgjegjshme ndaj mjedisit dhe ndaj komuniteteve dhe të integruara me tregjet rajonale dhe evropiane. Ne nuk po flasim më për plane në letër. Po flasim për megavatorë të instaluar, për miliarda euro investime të huaja dhe projekte që funksionojnë në terren dhe që vjelin avantazhet e një shteti, i cili e ka të garantuar që prodhimi i tij energjetik vjen nga burime të rinovueshme.
Për rrjedhojë, edhe taksa e karbonit, që produktet energjetike me origjinë shqiptare, e përllogaritur nga Komisioni Europian, është zero. Kjo sepse Shqipëria ka investuar në mënyrë të zgjuar dhe me politika të qarta që garantojnë integrimin e tregut energjetik me atë evropian, të një sektori që ka garanci se do të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.
Të dhënat e sistemit energjetik sot, në të gjitha segmentet e tij, tregojnë ecuri pozitive dhe rezultate konkrete të politikave sektoriale. Humbjet në rrjetin e shpërndarjes, krahasuar me vitin 2013, kur ishin mbi 45%, kemi mbyllur vitin 2025 me 16.9%. Niveli i arkëtimeve në furnizim është 100%, krahasuar me vitin 2013 kur ishte nën 70%. Kapacitetet gjeneruese janë shtuar me 1,500 MW krahasuar me vitin 2013. Prodhimi i energjisë në vend vijon rritjen e përvitshme, duke siguruar gjithnjë e më shumë mbulim të konsumit vendas, i cili është rritur në mënyrë ekspansionale, jo vetëm për shkak të industrive të cilat vazhdojnë dhe përdorin në Republikën e Shqipërisë energjinë elektrike, por edhe të njësive të reja të banimit që tashmë ngrohjen e kanë me sisteme teknologjike të modernizuara.
Ndërprerjet e energjisë elektrike janë në minimumin historik të tyre. Zakonisht avaritë duhet vetëm disa minuta për tu rikuperuar. Përditësimi teknologjik i rrjetit të shpërndarjes vazhdon rregullisht në zonat qendrore dhe ato rurale.
Rehabilitimi i plotë i HEC-eve në kaskadën e Drinit, pra i HEC-it Koman dhe HEC-it të Fierzës dhe Vaut të Dejës vazhdojmë me negociatat përsa i përket lidhjes së kontratave financiare me partneritetet e huaja.
Investime në transmetim synojnë ngritjen e një rrjeti, jo vetëm tokësor, ashtu siç e kemi deri më sot, por edhe e një rrjeti nën ujor për të na lidhur direkt me Europën, përmes Italisë. Studimi i teknologjive të reja, padyshim edhe pompat hidrike, ato që ne i quajmë ‘pumping system’, të cilat parashikohen edhe për kaskadën e Drinit, por edhe në zonën e Moglicës, pra dhe nga Statkrafti, një kompani tjetër ekselence që operon në Republikën e Shqipërisë, do të rrisin kapacitetet tona prodhuese me 1,600 MW të tjera.
Dhe çka është më e rëndësishmja është përafrimi ligjor i ligjit të sektorit, i cili është pjesë e kapitullit 15 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ne nuk po ndërtojmë thjesht projekte për të sotmen. Ne po ndërtojmë themelet e një sistemi energjetik që do t’u shërbejë dekadave që do të vijnë, do t’u shërbejë brezave që do të vijnë, një sistem që vendos në qendër qëndrueshmërinë, fuqizon ekonominë dhe na afron çdo ditë e më shumë me objektivat tona evropiane.
Në mbyllje, dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për kompaninë CWP, për besimin e treguar dhe kontributin e saj konkret në ekonominë shqiptare, për durimin dhe punën e përbashkët që kemi bërë gjatë këtyre dy viteve dhe dua ti garantoj se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë padyshim do të jetë në krahun tuaj, ashtu siç ka bërë në këtë rrugëtim të gjatë, tani me marrjen e autorizimit për nisjen e fazës konkrete të ndërtimit të parkut eolik të Tropojës prej 600 MW prodhim.
Një falënderim i sinqertë gjithashtu shkon për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që kanë mbështetur reformimin e sektorit tonë energjetik, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin dhe nxitjen e vazhdueshme të investimeve amerikane në energji, si dhe për të gjithë suportin e posaçëm për këtë projekt për të cilin jemi mbledhur këtu sot.
Projekte si Parku eolik i Tropojës janë dëshmia më e qartë se Shqipëria nuk ndodhet më në fazën e premtimeve, por në fazën e rezultateve konkrete, rezultate mbi të cilat mund të mbështeten me besim çdo investitor i huaj në vendin tonë.
Shqipëria është një vend i hapur për investime serioze dhe partneritete strategjike. Shqipëria është një partner i besueshëm. Dhe Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme, të fortë dhe evropiane.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë