Pallat i ri për 28 familje në Gramsh, ju dëmtuan banesat nga rrëshqitja e tokës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 11/02/2022

Pallat i ri për 28 familje në Gramsh, ju dëmtuan banesat nga rrëshqitja e tokës

28 familje nga fshati Kodër Zgjupës në Gramsh janë akomoduar në apartamente të reja, pasi në zonën ku fshati ndodhet u evidentua paqëndrueshmëri gjeologjike dhe rrëshqitje e vazhdueshme e tokës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, kompania “Devoll Hidropower” dhe bashkia Gramsh nënshkruan një kontratë tri palëshe në prill të 2019-ës për zbatimin e projektit special të zhvendosjes së banorëve që jetonin në Kodër Zgjupë dhe akomodimin e tyre në një pallat të ri, të ndërtuar në qytetin e Gramshit. Tashmë punimet për ndërtimin e këtij objekti kanë përfunduar dhe ka nisur akomodimi i banorëve në apartamentet e reja.

Në ceremoninë e dorëzimit të apartamenteve të reja morën pjesë ministrja Belinda Balluku, Drejtoresha e Përgjithshme e “Devoll Hydropowr”, Rigela Gegprifti dhe kryebashkiaku i Gramshit, Klodian Taçe.

Ministrja Balluku tha se tashmë banorët kanë mundësi të nisin një jetë normale, pa ankthin e rrëshqitjeve të tokës, e cila mund të rrezikonte jetën e tyre.

“Ky është një projekt i parë i cili tregon sesi do të funksionojë edhe në vepra të tjera dhe se si ne do të vazhdojmë me proceset që kemi hapur në Skavicë apo kudo tjetër. Kështu që shumë faleminderit, jo vetëm për çfarë keni bërë për banorët, por edhe për shembullin e mirë që keni dhënë”, u shpreh Balluku.

Gjatë bisedës me banorët, Ministrja Balluku bëri të ditur se toka në fshatin Kodër Zgjupë do t’ju mbetet sërish banorëve, të cilët mund të vijojnë ta shfrytëzojnë atë për kultivimin e produkteve bujqësore, por nuk do të lejohet asnjë ndërtim për shkak të rrezikut që vjen nga gjeologjia.

“Të gjithë procesin e shpronësimeve ne e kemi bërë vetëm për pjesën e shtëpive tuaja, ndërkohë që tokat bujqësore ju i keni akoma, kushdo që ka pasur toka bujqësore. Ato toka bujqësore sigurisht do vazhdojnë të mbillen, të kultivohen nga ju, por pa të drejtë ndërtimi në to, duke qenë se ajo është një zonë që tashmë konsiderohet jo e qëndrueshme nga ana gjeologjike”, nënvizoi Balluku.

Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft për Shqipërinë në fjalën e saj theksoi: “Statkraft i vlerëson shumë seriozisht angazhimet e saj mjedisore dhe sociale. Sot jemi këtu për të treguar një shembull konkret të jetësimit të angazhimeve tona sociale me mbështetjen e 28 familjeve nga fshati Kodër Zgjupë që të kenë një banese cilësore dhe pa rreziqet që kishin banesat e vjetra në fshat. Në kaskadën e Devollit kemi treguar vazhdimisht se kur ka frymë bashkëpunimi me institucionet dhe komunitetin, problematikat mund të shndërrohen në zgjidhje dhe të gjithë së bashku mund të kontribuojmë për zgjidhjen e tyre. Jemi krenarë që kemi kontribuar në shmangien e rrezikut të banimit në fshatin Kodër Zgjupë në këtë bashkëpunim të frytshëm me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkinë Gramsh”.

Objekti i ndërtuar përmbush të gjitha standardet. Në total janë 28 apartamente të sipërfaqeve 60, 80 dhe 100 metër katror. Vetë banorët u shprehen falënderues për këtë projekt i cili bëri të mundur strehimin e tyre në ambiente të reja dhe të sigurta.