Investim 2.2 mln euro në nënstacionin e Kasharit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 23/10/2020

Investim 2.2 mln euro në nënstacionin e Kasharit

Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i zonës industriale në të dy krahët e autostradës Tiranë – Durrës është shoqëruar në mënyrë të pashmangshme edhe me rritjen e vazhdueshme të kërkesës për furnizim me energji elektrike. OSHEE i është përgjigjur kësaj situate të re, me një investim të rëndësishëm në vlerën e 2.2 milionë eurove, për fuqizimin e Nënstacionit elektrik të Kasharit.

Nënstacioni i Kasharit, ndërtuar në vitin 2004 konsiderohet një vepër strategjike e rëndësisë së veçantë pasi furnizon me energji 23 fidera 20kV të shtrira në zonën industriale përgjatë autostradës, Yzberishtit, Kashar dhe deri në zonën e Kamzës, dhe prek rreth 140 mijë banorë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela dhe Drejtori Rajonal i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), Klevis Jahja inspektuan punimet që po kryhen në këtë nënstacion.

“Ky nënstacion së bashku me Selitën dhe Autotraktorët janë tre nënstacionet më të rëndësishëm për nga kapaciteti, fuqia apo numrit të klientëve që furnizojnë, që ka aktualisht OSHEE. Faza e parë që kemi përfunduar na lehtëson shumë në periudhën e dimrit, sidomos gjatë festave të fundvitit, e cila është një nga periudhat më të ngarkuara. Faza e dytë pritet të mbarojë në muajin mars”, informoi administratori Çela.

Drejtori Rajonal i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Klevis Jahja bëri të ditur se përmes këtij investimi krijohet mundësia që të rikonfigurohet edhe i gjithë rrjeti ekzistues. “Shumë shpejt brenda këtij viti do të fillojmë dhe ndërtimin e dy linjave të reja, që heqin një pjesë të zonës 6 kilovoltsh nga ana e Kasharit. Gjithashtu na jep një mundësi që për të dy linjat për zonën industriale të kemi një pikë shpërndarje, në mënyrë që të bëjmë unazimin e këtyre, që edhe në rast defektesh përgjigja ndaj mungesës së energjisë të jetë sa më e shpejtë dhe të mos ndikojë në zhvillimin normal të aktivitetit”, u shpreh Jahja.

Duke vlerësuar rëndësinë që ka ky nënstacion, ministrja Belinda Balluku tha se është shumë e rëndësishme që ky investim jo vetëm t’ju përgjigjet kërkesave që kanë abonentët aktualisht, por të mbulojë nevojat duke ju përgjigjur zhvillimit të zonës në të ardhmen.

“Po punohet prej kohësh për të rehabilituar këtë nënstacion, i cili mban ngarkesën kryesore të gjithë pjesës industrial, në të dyja anët e autostradës Tiranë-Durrës, por sigurisht edhe pjesën e banorëve të zonës. Në këtë nënstacion ne akomodojmë rreth 140 mijë banorë. Investimi është mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për të rritur cilësinë e shërbimit, që ne u ofrojmë abonentëve tanë, por edhe për t’u dhënë mbështetje të gjithë bizneseve, që janë të lidhur në këtë nënstacion. Për më tepër investim i ri do të sigurojë edhe kapacitete të reja për të ardhmen”, deklaroi Balluku.

Edhe ky nënstacion është i lidhur me sistemin SCADA, i cili krijon mundësinë e komandimit në distancë si dhe bën të mundur ndërhyrjen në kohë për të riparuar çdo avari të mundshme.

Ministrja Balluku theksoi rëndësinë që ka ky sistem, i cili po aplikohet gjerësisht tashmë në investimet e agjencive në varësi të MIE: “Sistemin SCADA ne kemi filluar ta aplikojmë edhe në sistemin e ujësjellësave dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi jep të njëjtin efekt, na tregon momentin e avarisë ku ndodhet, na jep mundësi që të ndërhyjmë menjëherë pa marrë kohë të gjatë dhe pa i lënë abonentët tanë jashtë shërbimit. Kështu që automatizimi i të gjitha rrjeteve, qofshin atyre elektrikë, qoftë ato të furnizimit me ujë është shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Balluku.

Investimi në Nënstacionin e Kasharit është i ndarë në tre faza, ku faza e parë ka përfunduar me vendosjen e transformatorit të ri 50 MVA, traktit 110kV dhe kanaleve për kabllot përkatëse duke bërë të mundur rritjen me 50% të kapaciteteve të këtij nënstacioni.

Aktualisht është faza e dytë e punimeve, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ku përfshihet zëvendësimi të gjitha pajisjeve të brendshme të nënstacionit, me çela të reja, krijimin e infrastrukturës së sigurtë për shtrimin e fiderave deri në dalje të nënstacionit.

Faza e tretë e investimit në këtë nënstacion parashikon nga ana e OSSH Tiranë ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm 20kV që del nga nënstacioni, duke i lidhur me fiderat e nënstacioneve të tjera, me qëllim rritjen e sigurisë, krijimin e skemave unazë dhe minimizimin e kohës së defekteve.