NJOFTIM PËR MEDIA - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/09/2019

NJOFTIM PËR MEDIA

Strukturat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit në terren kanë konstatuar sot në orët e pasdites në afërsi të rrugës së Voskopojës në Korçë, një akt terrorist për rrëzimin e një shtylle të tensionit të lartë, si pasojë e të cilës ka mbetur pa energji rajoni i Ersekës.

Sot, në orën 17:05, është stakuar linja 110kV L-110-32, Korçë-Ersekë. Pas verifikimit të bërë nga brigada e njësisë operative Korçë, u konstatua se janë rrëzuar shtyllat numër 8 dhe numër 9, në afërsi të rrugës së Voskopojës.

Nga verifikimet e kryera, u konstatua që rrëzimi i shtyllave ka ardhur si pasojë e veprimeve të qëllimshme, duke dëmtuar konstruksionet metalike të tyre. Kjo linjë furnizon me energji rajonin e Ersekës, i cili për momentin është pa energji elektrike.

Menjëherë është njoftuar Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë kanë nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe zbulimin e autorëve të saj.

Nga ana e grupeve të punës të OST janë marrë masa për rikthimin e furnizimit normal me energji të këtij qyteti përmes linjave të tjera.

Gjithashtu, grupet e punës ndodhen në terren ku po punohet, në kushte jo të favorshme atmosferike, për të evidentuar dëmet e shkaktuara dhe marrjen e masave të nevojshme për riparimin e tyre me qëllim kthimin në normaliteti të situatës.