NJOFTIM PËR MEDIA - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 12/09/2019

NJOFTIM PËR MEDIA

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron opinionin publik se lajmet e publikuara sot në disa media, ku pretendohet se Kontrata e Koncesionit për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldre që do të votohet sot në Kuvend është e ndryshme prej asaj përcjellë në MFE për miratim, janë krejtësisht të pavërteta.

Ky informacion i përhapur është një spekullim dashakeqës, pasi drafti i Kontratës së Koncesionit që do të votohet sot në Kuvend është i njëjti me draftin që është përcjellë për mendim tek Ministria e Financave.

Procesi i miratimit të një akti nënligjor, siç është VKM-ja për propozimin e projektligjit për miratimin e kontratës së Koncesionit/PPP kalon në sistemin elektronik e-akte, i cila pamundëson modifikimin e përmbajtjes së vetë aktit të propozuar nga Institucioni iniciues, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gjithashtu sqarojmë se shtojca 6 e kontratës së sipërpërmendur përmban Modelin Financiar që përmbledh:

  • Propozimin financiar të paraqitur në Procedurën konkurruese nga ofertuesi fitues;
  • Deklaratën e shoqërisë “A.N.K” sh.p.k. (ofertuesi fitues) lidhur me ofertën teknike dhe ekonomike;
  • Propozimin e ri financiar, në përputhje me Deklaratën e shoqërisë.

 

Për sa më sipër, pikërisht zëri “Financime nga furnitorët” në shumën 19,500,000 Euro është i shpërndarë në vite në të njëjtën mënyrë dhe kushte, dhe më konkretisht: vitin e parë 2,500,000 Euro; vitin e dytë – 3,000,000 Euro, vitin e tretë – 7,000,000 Euro dhe vitin e katërt 7,000,000 Euro,

Ky zë është i njëjtë në të dy propozimet financiare, qoftë në kohën e paraqitur në fazën e procedurës konkuruese dhe në propozimin e ri financiar bazuar në deklaratën e shoqërisë.