Nisin punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/10/2018

Nisin punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) filloi punimet për ndërtimin e seksionit detar të gazsjellësit, me gjatësi 105 km, duke lidhur segmentin shqiptar me atë italian. Instalimi fizik i tubacionit në det të hapur është planifikuar të kryhet në 2019, sipas kalendarit të punimeve të TAP. TAP për ndërtimin dhe mbrojtjen e tubacionit po përdor standardet më të larta të industrisë. Tubat do të shtrihen në shtratin e detit Adriatik, ku pika më e thellë e gazsjellësit do të jetë më shumë se 810 metra nën nivelin e detit. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar: 2 anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba, punimet e vogla ndërtimi, rimorkimin dhe analiza. Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë, ndërsa për shtrirje në ujëra të cekëta do të përdoret një anije shtrimi për ujëra të cekëta. Do të përdoren rreth 9,000 tuba, me peshë afërsisht 100,000 ton. Gjurma e seksionit detar është përzgjedhur si më e përshtatshmja pasi janë bërë studimet dhe vlerësimet mbi ndikimin në mjedis, aktivitetin social dhe sigurinë teknike.

Për të shënuar fillimin e punimeve u organizua një ceremoni ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, si edhe drejtuesit e TAP. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga autoritetet vendore, përfaqësitë diplomatike, partnerë të TAP dhe palë të tjera të interesuara.

Kryeministri Rama dhe Drejtori Menaxhues i TAP Schieppati vizatuan gjurmën e seksionit detar, që tashmë ka nisur të ndërtohet, duke simbolizuar kështu lidhjen e tregjeve të gazit të Shqipërisë dhe Italisë.  Kryeministri Rama dhe Ministri Gjiknuri u shprehën të kënaqur për ecurinë e ndërtimit të gazsjellësit deri më tani dhe përfitimet që TAP i ka sjellë komuniteteve vendore. Gjithashtu ata theksuan partneritetin e fortë midis TAP dhe Shqipërisë dhe rëndësinë strategjike që ka ky projekt për vendin.

Më poshtë fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri:

I nderuar z.Kryeministër,

I nderuar Luka,

Përfaqësues të tjerë që na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj sot. Në fakt ky është një tjetër gur kilometrik i rëndësishëm në përfundimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm jo vetëm për vendin, për rajonin, por për gjithë Evropën. Gur kilometrik i rëndësishëm sepse në njëfarë mënyre dhe unë nuk dua ta fsheh e kam thënë edhe herë tjetër, po më jepet rasti ta përsëris prapë provon edhe njëherë atë që e kemi thënë me kohë, që Shqipëria është një vend i sigurt për investimet e huaja dhe prova më e mirë për këtë është progresi që ka ndërtimi i këtij gazsjellësi kaq të rëndësishëm  ku Shqipëria përkundër dyshimeve apo me të drejtë dobësive që dukej në plan të parë në momentin kur filloi ky projekt provoi të kundërtën, provoi që është një vend i sigurt për investime që autoritetet shqiptare jo vetëm që nuk kanë qenë pengesë, përkundrazi kanë qenë proaktive në zgjidhjen e shumë problemeve në kohë dhe bërjen të mundur të këtij investimi masiv që të ecë më mirë sesa në Greqi. Uroj që dhe në Itali shumë shpejt të kemi një zgjidhje të duhur në mënyrë që ky projekt të përfundojë. Aty ku mendohej që projekti ishte më i sigurt, qëlloi të ishte më i vështirë. Shqipëria i sfidoi të gjithë në këtë drejtim. Kjo është falë punës dhe bashkëpunimit të mirë që kemi patur mes institucioneve të ndryshme shqiptare, falë qasjes që patëm që në fillim për të krijuar një njësi të vetme të koordinimit të këtij projekti nën Ministrinë e Energjisë të asaj kohe dhe që dha një shembull të mirë që kur kemi koordinim të mirë brenda një institucioni bëhen të mundur të absorbohen edhe projekte të kësaj magnitude që Shqipëria nuk i ka parë. Realisht këto janë mësime që na kanë vlejtur ne si administratë, si shtet për të nxjerrë konkluzionet dhe mësimet tona se si të adresojmë investime të tjera të huaja në këtë drejtim.

Nga ana tjetër dua të theksoj një element tjetër. Ky projekt nuk solli vetëm përfitime direkte për investime dhe për rritje të punësimit në Shqipëri, por njëkohësisht krijoi mundësinë e krijimit dhe të lindjes të një industrie të re. Unë dua ti bëj me dije publikut edhe arritjet e fundit që kemi pasur falë bashkëpunimit të mirë me TAP, duke krijuar për herë të parë një kompani të përbashkët shqiptare dhe italiane që do të merret direkt me mirëmbajtjen e këtij projekti. Pra një kompani shqiptare do të ofrojë shërbime për këtë konsorcium në të ardhmen për mirëmbajtjen e tubacionit të gazit. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë më shumë aftësi, më shumë dije që do të transferohen dhe kapacitete që ndërtohen në Shqipëri. Kjo është shumë e rëndësishme për zhvillimin e gazifikimit në të ardhmen. Kjo na ka dhënë mundësi ti japim shpresë edhe një projekti, fatkeqësisht të vdekur, apo një mostër industriale siç ka qenë investimi i TEC-it të Vlorës, një para e hedhur dëm e cila nuk u pa asnjëherë në dritë, por me ardhjen e gazit dhe me mundësinë e përfundimit të projektit TAP kjo do të zgjojë interesin dhe realisht ne shumë shpejt do të shpallim një garë ndërkombëtare për të ftuar investitorë të huaj për ta vënë këtë në përdorim dhe për ta lidhur me gazsjellësin TAP. Edhe ky është një benefit direkt për gazifikimin e vendit dhe për sigurinë energjetike në Shqipëri.

Po ashtu dua të jap edhe një vlerësim tjetër që po e shikoj si ministër i Infrastrukturës se çfarë do të thotë të punosh me kompani të huaja të këtij niveli. Shumë kompani shqiptare, ato kompani që kanë marrë kontrata, kanë qenë nënkontraktorë në këtë projekt kanë fituar aftësi menaxheriale që nuk i kanë njohur më parë. Çfarë po ndodh sot. Sot pikërisht këto kompania po marrin përsipër projekte në partneritet publik-privat me investime masive dhe me një organizimin të një shkalle që kompanitë shqiptare nuk ishin mësuar më parë. Edhe kjo është falë standardeve të larta që ka imponuar TAP-i për kompanitë shqiptare dhe që realisht është kthyer në një përfitim për to. Dhe unë për këtë jam dëshmitar direkt sesi këto kompani po kontribuojnë në ndërtimin direkt të infrastrukturës shqiptare dhe realisht TAP-i ka një kontribut që mbase nuk e ka menduar, por realisht unë e ndjej përditë në punën time, madje këto kompani kanë arritur edhe të punojnë për kompani të tjera të huaja në vende të tjera, pse jo të eksportojnë. Edhe materiale që ju deshën ti prodhojnë për TAP-in këtu por që realisht kanë krijuar treg për eksportet shqiptare.

Këto janë disa nga drejtimet dhe benefitet direkte të prekshme që nëqoftëse do të përshkallëzohen pozitivisht në të ardhmen do të krijojnë një sektor që do ti japë të ardhme Shqipërisë, si nga pikëpamja e sigurisë energjetike, por mbi të gjitha dhe për zhvillimin ekonomik, duke thyer edhe ata skeptikë që thonë që me ikjen e projektit TAP do të ulen investimet e huaja. Përkundrazi! Ajo shkon në shkallë progresive, jo vetëm TAP-i do të kontribuojë direkt si aktivitet ekonomik që zhvillohet në territorin e Republikës së Shqipërisë, por janë biznese të tëra zinxhir të lidhura me të që do ta bëjnë investimet dhe vazhdimin e qarkullimit të parasë në Shqipëri progresiv në këtë drejtim. Mua nuk më mbetet gjë tjetër, por t’ju uroj suksese në këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme dhe jam i bindur që shumë shpejt dhe problemet në Itali do të zgjidhen dhe ky projekt kaq i rëndësishëm për Evropën do të krijojë edhe bazën që Shqipëria të kthehet nga një vend tranzit në një hab të rëndësishëm të rajonit nga pikëpamja e gazit dhe e sigurisë energjetike.