Nis fluturimet “Migjeni”, tre destiancione në ditë drejt Italisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/09/2019

Nis fluturimet “Migjeni”, tre destiancione në ditë drejt Italisë

“Migjeni” është avioni i dytë, i cili i shtohet flotës së “Air Albania”, kompanisë shqiptare të fluturimit, duke zgjeruar në këtë mënyrë destinacionet e udhëtimit për qytetarët shqiptarë. Avioni, i cili mban një tjetër emër të madh të penës shqiptare, është një Boeing, prodhim i vitit 2016, i cili çdo ditë do të udhëtojë drejt tri destiancioneve, Milano, Romë dhe Bolonja.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në aeroportin “Nënë Tereza”, në ceremoninë e mirëseardhjes së avionit të ri, së bashku Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë “Air Albania”, Sinan Dilek dhe përfaqësues të “Tirana International Airport”,

Një premtim të mbajtur, jo vetëm për zgjerimin e destiancioneve të udhëtimit, por edhe sa i takon nismës për krijimin e një flote model në standard, cilësi dhe çmim të ulët, e cilësoi ministrja Belinda Balluku, avionin e dytë i cili prej ditës së sotme ka nisur zyrtarisht fluturimet.

““Air Albania” është kompani shqiptare, që është krijuar për të ofruar çmime më të lira, të cilat ju tashmë keni pasur mundësi dhe t’i verifikoni përmes prenotimeve on line, por të ofruara me cilësinë e një kompanie ekselence. Pra çmimet e një kompanie low cost, por me cilësinë e një kompanie ekselence, duke filluar nga shërbimet, të cilat i marrin në të gjithë aeroportet ku aksesojnë qytetarët, por edhe me shërbimin e kateringut apo shërbimin e bagazheve, të cilat janë një vlerë e shtuar e Air Albanias”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se brenda këtij viti një avion i tretë do i shtohet flotës së “Air Albania”, dhe do të mbajë emrin “Naim” duke ofruar destiancione në kryeqytete të njohura të Europës, Londër, Berlin, Athinë apo qytete të tjera ku udhëtojnë më së shumti qytetarët shqiptarë.

Ministrja Balluku theksoi se krijimi dhe zgjerimi i destiancioneve që tashmë ofron “Air Albania” por edhe ndërtimi i aeroportit të Kukësit e Vlorës dhe së shpejti atij të Sarandës janë pjesë e planit të zhvillimit të Qeverisë Shqiptare për Aviacionin Civil.

“Ky avion që ka ardhur sot në Shqipëri është absolutisht një vazhdim i projektit tonë të madh dhe planit të zhvillimit për aviacionin shqiptar. Ai që përmban jo vetëm krijimin e kësaj kompanie mbajtëse të flamurit shqiptar, pra “Air Albania”, por dhe ndërtimin e rrjeteve të aeroportit duke filluar nga Kukësi, më pas Tirana, Vlora dhe Saranda shumë shpejt në të ardhmen. Aviacioni Civil është një nga strategjitë më të rëndësishme për transportin e qeverisë Rama dhe ne jemi të fokusuar për të përmbushur të gjitha premtimet dhe të gjitha kushtet që një shtet europian si Shqipëria duhet të ketë në këtë fushë”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana e tij, drejtori i kompanisë “Air Albania”, Sinan Dilek, e cilësoi ditën e sotme si një moment historik për Shqipërinë teksa falenderoi Qeverinë Shqiptare dhe ministren Balluku për bashkëpunimin e treguar. Gjithashtu, ai bëri të ditur detaje teknike sa i takon destiancioneve dhe ato çfarë përmban avioni i dytë i kësaj kompanie.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri por dhe atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë. Një kompani që bagazhet i ka gratis e ndërkohë ka dhe ushqim që shërbehet në avion, pra është një kompani me të gjitha kriteret. Me 69 euro dhe 59 euro në destiancionet përkatëse Milano dhe Bolonjë dhe më përpara Romë, besojmë që do të lejojë të gjithë njerëzit që do të dëshirojnë të fluturojnë mirë, me standard të lartë, me shumë cilësi dhe brenda një çmimi shumë të mirë”, u shpreh drejtori i kompanisë “Air Albania”.

Qytetarët shqiptarë, të cilët udhëtuan mëngjesin e sotëm drejt Romës ishin edhe pasagjerët e parë të avionit të ri të “Air Albania”, të cilëve ju ofrua mikpritja tradicionale shqiptare gjatë këtij udhëtimi. Kompania e parë shqiptare e fluturimit e nisi rrugëtimin e saj me fluturime direkte drejt Stambollit, ndërsa tashmë ofron fluturimet në tre qytete të Italisë për t’u pasuruar më tej me distiancione të reja në Europë por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.