Qeveria Shqiptare, Gjermania dhe Bashkimi Europian nënshkruan marrëveshjet për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, njërit prej burimeve kryesore të energjisë në Shqipëri. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, Drejtori i KESH, Ergys Verdho dhe Drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Tiranë, Brit Horschke si dhe përfaqësuese e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja Ibrahimi, Drejtori Verdho dhe drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Tiranë, Brit Horschke. Marrëveshja përfshin një hua prej 40 milionë euro dhe një grant prej 2 milionë euro të dhënë nga Qeveria Federale Gjermane përmes KfW-së dhe një grant prej 8.35 milionë euro të dhënë nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ky projekt është një nga projektet kryesorë të përzgjedhur për planin e investimeve ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe si rrjedhojë ka një rëndësi të veçantë strategjike në nivel kombëtar dhe rajonal. Projekti do të mbështesë njërin prej burimeve më të rëndësishme energjetike të Shqipërisë, i cili prodhon 22 % të prodhimit të brendshëm dhe jep kontributin e tij në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në nivel rajonal.
Në fjalën e saj, Ministrja Balluku tha se Hidrocentrali i Fierzës mbulon 22% të nevojave të vendit me energji, ndërsa u ndal tek ndërhyrja që parashikohet të bëhet në këtë HEC në saj të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar.
“Të katërt gjeneratorët e HEC Fierzës janë të një teknologjie tepër të vjetër dhe nëpërmjet financimit nga kjo marrëveshje që u nënshkrua sot do të bëhet i mundur zëvendësimi i tyre i plotë, pra HEC Fierza do të ketë 4 gjeneratorë të ri, ndër të tjera do të realizohet dhe rehabilitimi i dy vinçave të sallës së makinerive me kapacitet 250 secili. Të gjitha këto ndërhyrje do të mundësojnë rritjen e efiçencës të prodhimit të energjisë nga HEC Fierza, si dhe do të forcojnë rolin kyç që ka ky hidrocentral për shfrytëzimin, rregullimin dhe sigurinë e kaskadës së Drinit, rol që do të vazhdojë ta luaj deri në momentin e ndërtimit të hidrocentralit të katërt të kaskadës, atë që ne e quajmë optimizues i kësaj kaskade, hidrocentrali Skavicës”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se “me rritjen e kapaciteteve në kaskadën e Drinit, me investimin që do të bëjmë për mirëmbajtjen e HEC Fierzës, me investimet e tjera që janë parashikuar, ne jemi të sigurt që në vitet në vazhdim Shqipëria nuk do të importojë më dhe do të bëhet një vend eksportues i energjisë së rinovueshme për rajonin, por edhe më gjerë”.
Projekti ka për qëllim të sigurojë furnizim me energji elektrike afatgjatë, të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin duke rritur me të paktën 30 vjet jetëgjatësinë prodhuese të hidrocentralit të Fierzës duke rritur gjithashtu efiçencën dhe kapacitetin e tij me të paktë 10 %. Kjo do të ndikojë edhe në uljen e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike dhe uljes së CO2. Hidrocentrali i Fierzës administrohet nga KESH, i cili është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend me rreth 75% të prodhimit vendas në Shqipëri.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë