Nënshkruhet marrëveshja për Parkun e Karavastasë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 31/07/2020

Nënshkruhet marrëveshja për Parkun e Karavastasë

Nënshkruhet marrëveshja mes Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë franceze Voltalia duke i hapur rrugë nisjes së punimeve për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë. Kompania Voltalia u shpall fituese në ankandin ndërkombëtar të zhvilluar, duke ofruar çmimin rekord prej 24.89 euro për megavat.

Marrëveshja u nënshkrua mes Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe CEO-s së kompanisë Voltalia, Sebastien Clerc, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së Francës në Tiranë, Christina Vasak.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministrja Balluku u shpreh: “Ky sukses sot nuk është vetëm një sukses përsa i përket rritjes ekonomike të Shqipërisë, mbi 100 milionë euro do të injektohen në ekonominë tonë, por mos harrojmë që jemi në vitin 2020, një vit i vështirë ekonomikisht për mbarë botën dhe Voltalia ka gjetur atraktiv tregun shqiptar për të investuar këtë shumë të konsiderueshëm në vitin më të vështirë ekonomik për mbarë botën”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shtoi më tej se modeli i ndjekur në rastin e ankandit të Parkut Fotovoltaik të Karavastasë është një standard, i cili do të ndiqet edhe për projektet të tjera ndërkombëtare. “Me këtë proces ne do të krenohemi. Ne kemi hapur një rrugë të re, kemi krijuar një shembull për investitorë të tjerë francezë të cilët janë të mirëpritur në vendin tonë dhe do kenë suportin dhe të gjithë mbështetjen e qeverisë”, nënvizoi Balluku.

CEO i kompanisë Voltalia, Sebastien Clerc, në fjalën e tij vlerësoi punën dhe gatishmërinë e treguar nga stafi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. “Ekipi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer gjëra që pak qeveri në botë kanë qenë të afta të bëjnë. Voltalia është e pranishme në më shumë se 20 vende në botë, kështu që unë mund të dëshmoj sesa e rrallë është kjo si ndodhi”, tha Clerc.

Për kryeministrin Edi Rama prezenca e një kompanie prestigjioze si Voltalia në Shqipëri do të shërbejë si një ftesë edhe për kompani të tjera të huaja për të investuar në vendin tonë. “Ne do të fitojmë shumë më tepër sesa vetëm një park voltaik, sepse vendosja e flamurit të Francës, në sajë të emrit tuaj, në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri është një vlerë shumë më e madhe në sytë e mi sesa vlera jo e vogël e mbi 100 milionë eurove që ju do të investoni”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i Qeverisë i ftoi përfaqësuesit francezë që këtë eksperiencë në Shqipëri ta ndajnë edhe me drejtues të kompanive të tjera europiane: “Ajo që unë dua t’i them drejtuesit të Voltalias dhe të gjithë miqve francezë është që ju lutem, mos përtoni të tregoni historinë tuaj me Qeverinë Shqiptare sepse kjo do të na ndihmojë shumë, siç do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë me kompanitë franceze dhe me kompanitë e tjera fakti që ju tani jeni këtu dhe që do të filloni punën këtu”.

Parku Fotovoltaik i Karavastasë do të ndërtohet në zonën e Divjakës dhe të Fierit. Ai do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme ku 70 megavat do të jenë me çmim të parashikuar dhe 70 megavat do të tregtohen në tregun e lirë.