» Nënshkruhet marrëveshja me kompaninë SHELL, Balluku: Kontratë e reformuar, rrit dhe modernizon sektorin e hidrokarbureve
Postuar më: 02/05/2019

Nënshkruhet marrëveshja me kompaninë SHELL, Balluku: Kontratë e reformuar, rrit dhe modernizon sektorin e hidrokarbureve

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania SHELL kanë nënshkruar mes tyre marrëveshjen për “Amendimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes hidrokarbure për bllokun 2 dhe 3”. Marrëveshja u firmos nga ministrja, Belinda Balluku, dhe menaxheri i përgjithshëm i Shell në Shqipëri, Jan-Henk van Konijnenburg.

Në fjalën e saj, ministrja Belinda Balluku vlerësoi atë çka përfaqëson kompania SHELL, si një ndër kompanitë më të mëdha dhe më serioze në sektorin e hidrokarbureve në botë, ndërsa duke u ndalur tek marrëveshja e nënshkruar e cilësoi atë si një arritje të rëndësishme në drejtim të rritjes dhe modernizimit të sektorit të hidrokarbureve në vend.

“Shpreh bindjen se dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, do të sanksionojë një tjetër arritje të rëndësishme në drejtim të bashkëpunimit dy palësh, dhe në mënyrë të veçantë në drejtim të rritjes dhe modernizmit të sektorit të hidrokarbureve në vendin tonë”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se qeveria shqiptare e rendit si një nga prioritetet kryesore zhvillimin e hidrokarbureve duke e lidhur ngushtë me rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend, teksa shtoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar në mbështetjen dhe nxitjen e  të gjithë iniciativave të rëndësishme dhe serioze të investitorëve të huaj dhe vendas në Shqipëri.

“Jemi të sigurtë se partneritete strategjike si ky që po forcojmë sot, duke nënshkruar një kontratë të reformuar për Bllokun 2 dhe 3 me një kompani ekselente si SHELL, krijojnë elementë ftues dhe garancie për të përthithur më shumë investime të huaja”, nënvizoi Balluku.

Drejtori i Përgjithshëm i Shell Upstream Albania në Shqipëri, Rohan D’Souza në fjalen e tij ndër të tjera tha: “Teksa shohim drejt së ardhmes dhe me gjasë drejt fazës së prodhimit, Marreveshja (MNP) e rishikuar do të sigurojë që Qeveria Shqiptare të marrë një pjesë të fitimit që në krye të herës, me prodhimin e fuçisë së parë të naftës. Për më tej, Marrëveshja e rishikuar siguron qartësi të një numri procedurarash. Kjo do të sjellë rritje të sigurisë së investimit. Dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë si dhe për Shell. Ne duam të lëmë një histori pozitive në vendet ku operojmë dhe ndërsa projekti i Shell rritet më tej, kjo Marrëveshje do të sigurojë më shumë qartësi dhe përputhshmëri me qeverinë”.

Duke folur për impaktin e punës së Shell në Shqipëri D’Souza ka theksuar: “Ne jemi të angazhuar që të japim një kontribut pozitiv për Shqipërinë dhe komunitetet pranë aktiviteteve tona. Kontributi ynë kryesor është përmes taksave, prokurimeve të materialeve dhe shërbimeve si dhe punësimit lokal. Kemi investuar disa qindra milionë dollarë dhe punojmë me më shumë se 200 kompani shqiptare. Punësojmë në mënyrë direkte dhe indirekte qindra punonjës shqiptarë”.

Investimet private në fushën e kërkim-zbulimit sot arrijnë në vlerën 1.5 miliardë dollarë ku kompania SHELL zë një të tretën e këtyre investimeve. Kompania në fjalë ka punësuar dhe trajnuar rreth 300 punonjës vendas si dhe ka asistuar në një numër të madh nënkontraktorësh shqiptarë në proceset e tyre.