» Nënshkruhen tre marrëveshje të rëndësishme me Gjermaninë dhe Francën për sektorin energjetik
Postuar më: 14/12/2018

Nënshkruhen tre marrëveshje të rëndësishme me Gjermaninë dhe Francën për sektorin energjetik

U nënshkruan sot tre marrëveshje të rëndësishme për sektorin energjetik mes qeverisë Shqiptare, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe qeverisë Franceze. Të pranishëm gjatë nënshkrimit ishin Ministri i Financave dhe Ekonomisë z.Arben Ahmetaj, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë znj. Susanne Schutz, Ambasadorja e Republikës së Francës znj. Christina Vasak, Përfaqësuesi i bankës KfW z. Christoph Tiskens dhe Përfaqësuesi i Agjencisë Franceze për Zhvillim z. Dominique Hautbergue.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë z.Arben Ahmetaj gjatë fjalës së mbajtur falënderoi në emër të qeverisë shqiptare shtetin gjerman e francez për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e gjatë të transformimit ekonomik, të zhvillimit dhe të modernizimit të shumë sektorëve. Ahmetaj vuri theksin dhe tek marrëveshja e tretë për kampusin universitar për t’i përmirësuar kushtet studentëve.

“Një nga marrëveshjet që firmoset sot është edhe ajo për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjetike, faza III”. Një investim në favor të përmirësimit të ambienteve të universitetit, në favor të përmirësimit të kushteve për studentët dhe ky është patjetër një reflektim serioz për atë investim gati 18 milionë euro që qeveria Shqiptare, me ndihmën e KfW-së të qeverisë Gjermane është duke bërë me faza të ndryshme në kampuset universitare dhe sigurisht që një premtim që ky investim do të vazhdojë për të plotësuar atë premtim që ka dhënë Kryeministri për deri në fund të mandatit të dytë në lidhje me rikonstruksionin e Qytetit Studenti dhe jo vetëm, apo dhe të Kampusit Universitar,” tha Ahmetaj.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri tha se kjo paketë qe po nënshkruhet është shumë e rëndësishme për zhvillimin e sektorit energjetik.

“Është kyçe sepse vërtet ndihmon qeverinë shqiptare të rri në shinat e reformës kur vjen fjala tek sektori elektroenergjetik. Do të thotë që kjo është mbështetje direkte për Buxhetin e Shtetit për shkak të dobive që sjell reforma në sektorin elektronergjetik që është e vështirë. Realisht kemi arritur shumë, por kemi edhe shumë sfida të tjera. Diversifikimi i investimeve, përfshirë edhe investimet e huaja në këtë fushë në burime të reja të energjisë patjetër do të sjellë një impakt të ri në të gjithë sektorin elektroenergjetik në vitet që do të vijnë. Dua të them edhe një investim tjetër direkt që do të zhvillohet me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë falë mbështetjes së KfW-së prej 30 milionë euro. Këtu do të bëjmë ajo që quhet sistemi skada apo dispeçeria, siç duhet me të gjithë teknologjinë e duhur të energjisë elektrike në Shqipëri. Ky është truri energjetik që do të ndërtohet në sistemin e shpërndarjes dhe që do të vlejë për eficiencë më të mirë, për reduktim të humbjeve dhe një racionim më të mirë të energjisë elektrike në aspektin ekonomik të saj. Është një nga investimet kryesore, gjë që i ka munguar sistemit tonë elektroenergjetik dhe falenderojmë KfW-në që shprehu gatishmërinë për të na mbështetur në këtë drejtim”, theksoi ministri Gjiknuri.

Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë znj. Susanne Schutz tha se Gjermania me mbështetjen e dhënë e shoqëron Shqipërinë në rrugën e saj në drejtim të Bashkimit Europian.

“Ne kontribuojmë që Shqipëria të arrijë standardet e BE-së dhe që kushtet e jetesës të njehsohen me ato të Europës Perëndimore. Është veçanërisht impresionuese, janë rezultatet e mbështetjes sonë në sektorin energjetik dhe unë jam e lumtur që sot me nënshkrimin e marrëveshjeve vëmë më rrugë të mbarë edhe projekte të tjera. Me nënshkrimin e marrëveshjes së parë ne vëmë në dispozicion edhe 2.9 milionë euro të tjera për rehabilitimin sipas parimit të eficiencës së energjisë të rezidencës studentore numër 1 në Tiranë dhe me anë të kësaj ne mbështesim rehabilitim e rezidencës studentore numër 1 dhe numër 2 në Tiranë me një volum total prej 16.8 milionë eurosh në rezidencën studentore numër 2 u përmbyll në muajin prill rehabilitim sipas parimit të eficiencës energjetike të dy godinave. Punimet në dy godinat e qytetit studenti, duke përfshirë edhe vendosjen e kuzhinave do të përfundojë  në shkurt të vitit 2019” , u shpreh ajo.

Ambasadorja e Republikës së Francës znj. Christina Vasak u shpreh se: “Agjencia Franceze për Zhvillimin do të përdorë në këtë veprimtari një gamë të gjerë mekanizmash të cilat do të jenë mekanizma financiarë si dhe ekspertizën e saj e cila është shumë e njohur tashmë. Ekspertiza franceze është shumë e njohur tashmë si për konceptimin dhe ristrukturimin e projekteve dhe nga ana tjetër për përdorimin e të gjitha kapaciteteve vendase aty ku ajo ka projektet e saj. Veprimtaria e të cilës është dhe duhet të jetë plotësuese me ato të donatorëve të tjerë në këtë fushë. Objektivi të cilin edhe ju e thatë është i qartë, është një përfitim për zhvillimin e qëndrueshëm  për të gjithë. Ne jemi të lumtur që po e bëjmë këtë bashkëpunim sot dhe nuk është rastësi me kolegët dhe miqtë tanë gjermanë.”

 

 Tre marrëveshjet që u firmosën

1. Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”

Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është vazhdimi i angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të finalizuar reformimin e të gjithë sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri. Ky reformim do të përfshijë, ndër të tjera, hapin e parë drejt ndarjes së OSHEE – Furnizuesit Universal dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, krijimin e Bursës të Energjisë (APEX) dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues me shumicë.

Ky është një dokument thelbësor si pjesë e instrumentit “Huatë e Bazuara në Politikat e Reformës” (PBL). Reforma shtrihet ne drejtime të shumëfishta: strukturore, operacionale dhe financiare. Për më tepër, Plani strategjik shqyrton dhe ndërton angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me procesin e anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe në BE.

2. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

Qëllimi i marrëveshjes është që t’i mundësojë Republikës së Shqipërisë ose marrësve të tjerë, të cilët do të zgjidhen bashkërisht nga të dy Qeveritë, që të marrë nga KfW, për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, shumat e mëposhtme:

– një kredi të butë nga KfW, e cila jepet në kuadër të bashkëpunimit publik për zhvillim në vlerë të përgjithshme deri në 30.000.000 euro (tridhjetë milionë euro);

– një shumë financimi prej gjithsej 2.000.000 euro (dy milionë euro) për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit.

3. Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.

Ky financim (Faza III) 2,927,000 milion Euro në formën e grantit do ti bashkohet financimeve të akorduara më parë nga Qeveria Gjermane në vlerën prej 4,500,000 Euro (Faza I) dhe 2,032,179.23 Euro (Faza II). Të tre këto faza kanë të bëjnë me Qytetin Studenti Nr.1 dhe parashikojnë rehabilitimin e 9 konvikteve të Universitetit të Tiranës me parimin e efiçencës energjetike. Kosto e projektit për rehabilitimin e këtyre të konvikteve të Universitetit të Tiranës me efiçencë energjetike, vlerësohet në shumën totale prej 11.35 milionë Euro duke përfshirë edhe TVSh-në.

Ndërkaq, në fazën e përfundimit të plotë është projekti i mëparshëm i rehabilitimit me efiçencë energjetike i konvikteve të Qytetit Studenti Nr.2, siç njihen ndryshe konviktet e inxhinierisë pranë 21 Dhjetorit. Vlera e financimit për këtë projekt përfshirë kostot lokale dhe TVSH ka qenë 7.44 milion Euro. Projekti parashikonte rehabilitimin e plotë të 4 konvikteve të inxhinierisë së ndërtimit. Dy konviktet kanë përfunduar që në muajin Korrik dhe tanimë studentët banojnë në to ndërsa dy të tjerat përfundojnë brenda një periudhe 1-2 mujore.

I gjithë projekti i dakordësuar deri më tani dhe i garantuar me financim për Qytetin Studenti Nr.1 dhe Qytetin Studenti Nr.2 arrin në 18.8 milion Euro.

Ndërkaq, qeveria është në bisedime të mëtejshme për të garantuar edhe financimin për rehabilitimin e plotë të gjithë konvikteve të mbetura jashtë këtyre projekteve në Qytetin Studenti Nr.1.