Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton zyrtarisht se në tremujorin e parë të 2021, do të zhvillojë ankandin e parë për ndërtimin parqeve eolike, të cilat do të kontribuojnë në diversifikimin e mëtejshëm të burimeve energjitike të vendit, duke prodhuar energji të pastër.
Ankandi do ti japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte me një kapacitet minimal prej 30 MW dhe një kapacitet maksimal prej 75 MW, nga ku MIE do të përzgjedhë për të mbështetur me PPA projekte me një total prej 130 MW.
Ky njoftim paraprak përpara shpalljes së ankandit i vjen në ndihmë investitorëve, duke i ftuar që në ndërkohë të identifikojnë dhe zonën ku do të ndërtojnë impiantin eolik, në mënyrë që të përdorin të gjithë kohën e disponueshme nga shpallja e ankdandit e deri te hapja e ofertave për të kryer matjet e nevojshme në zonë, pasi këto matje kërkojnë 12-15 muaj.
Në ndihmë të tyre vendosim dhe një studim, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
Studimi është financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), me mbështetjen e BERZH-it. Ky raport teknik rekomandon zonat potenciale me energji nga era dhe shmang permës hartave të gjitha zonat e mbrojtura dhe ato ku nuk mund të vendosen parqet eolike.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton nga rasti për të falenderuar BERZH për mbështetjen politike, financiare dhe teknike që na kanë ofruar, jo vetëm në këtë proces, por në krejt sektorin e energjitik, me një fokus të rëndësishëm në burimet e rinovueshme.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë