Miratohen në Kuvend dy nisma të rëndësishme - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/01/2021

Miratohen në Kuvend dy nisma të rëndësishme

Fjala e ministres Belinda Balluku “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së çertifikatës së kontrollit teknik”

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar kolegë,

Në funksion të parandalimit të Covid-19, Qeveria Shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik. Ky akt synon të menaxhojë emergjencën aktuale shkarkuar nga Covid-19 si dhe të garantojë të gjithë standardet e sigurisë për të gjithë qytetarët, ashtu siç është parashikuar në një sërë aktesh e urdhrash të Komitetit të Ekspertëve dhe të Ministres të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Si të gjithë vendet e tjera të botës, edhe Shqipëria ka qenë e detyruar të marrë një sërë masash për të kufizuar shpërndarjen e pandemisë mes popullsisë, e veçanërisht mes më të rrezikuarve prej saj, duke kufizuar lëvizjen brenda vendit, duke kufizuar lëvizjen e automjeteve në zonat urbane, duke kufizuar lëvizjen brenda kufijve dhe sigurisht duke vendosur një orar policor për të kufizuar të gjithë lëvizjen në fashën 22:00 e mbrëmjes me orën 06:00 të mëngjesit.

Të gjitha këto sakrifica të përbashkëta kanë sjellë kontrollin mbi kuotat në spitale dhe rastet e rënda, por një tjetër efekt i tyre ka qenë që kanë kufizuar dhe lëvizjen e mjeteve e për pasojë edhe amortizimin e tyre përgjatë këtij viti.

Për këtë arsye, nga ekipi ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është propozuar që duke pasur parasysh këtë fakt teknik, mos amortizimin e këtyre mjeteve, por mbi të gjitha nevojën për të kufizuar rrezikun që vjen prej pandemisë, kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e afatit të kontrollit teknik me tre muaj, për të qenë në një linjë dhe konformitet të plot me të gjithë udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve si dhe për të ruajtur sigurinë  fizike si të operatorëve, të cilët e zhvillojnë kontrollin, si dhe mbi të gjitha të vetë qytetarëve, kemi vendosur të shtyjmë afatin e vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik me 3 muaj.

Për të gjithë qytetarët që kanë apo kanë patur datën e kontrollit periodik teknik të automjeteve të tyre në këto kohë ata kanë edhe 3 muaj kohë për të përcaktuar datën e kontrollit të tyre të radhës. Efekti primar i këtij vendimi do të jetë që do të ketë një ulje të grumbullimeve dhe radhëve për kontroll teknik duke ulur kështu rrezikun për jetën e qytetarëve. Sigurisht, sistemi i caktimit të takimeve është një sistem online, ne kemi prej kohësh që nuk kemi më radha në sportelet tona, por përsëri si pasojë e masave të diktuara nga standardet e sigurisë përballë pandemisë, kohët e këtij kontrolli janë zgjatur disi, duke ulur fluksin e kontrolleve mundësohet kështu menaxhimi i tyre brenda standardeve dhe domosdoshmërisë për sigurinë e secilit drejtues automjeti.

Gjatë gjithë kësaj kohe e në vijim, DPSHTRR është duke marrë të gjithë masat e domosdoshme për sigurinë, si të operatorëve ashtu edhe të qytetarëve, duke menaxhuar një fluks më të kontrollueshëm të kontrolleve, DPSHTRR garanton shërbimin në respekt të të gjithë protokolleve të sigurisë dhe të shëndetit. Pra duke votuar këtë akt normativ, të nderuar deputetë, për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik për mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre me 3 muaj, ashtu siç u kërkua, ne kemi mundësi të shtojmë sigurinë, duke siguruar një shërbim të përshtatshëm brenda të gjitha kushteve të parashikuara nga Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin e Pandemisë.

Ndërkohë mund të themi që këto 3 muaj afat do të mundësojnë si rritjen e imunizimit si pasojë e fushatës së vaksinimit të popullsisë e cila do të vazhdojë, ashtu edhe uljen e shkallës së transmetimit nëpërmjet kufizimit të kontakteve dhe ruajtjes së distancimit social.

Faleminderit!

 

Fjala e ministres Belinda Balluku, “Për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për ndërtimin e spitalit të Fierit”

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar kolegë,

Viti që lamë pas ishte një vit sprove për të gjithë globin. Pandemia Covid-19 na përballi të gjithëve me sfida të shumta, pasiguri, ankth, ndërkohë që Qeveria Shqiptare u vendos përpara vendimmarrjeve të vështira në momente kritike. Megjithatë nga kjo periudhë sprove ne kemi nxjerrë dhe mësime.

Pandemia ashtu sikurse dhe tërmeti na vërtetoi dhe një herë se kush janë miqtë tanë dhe kush na ka qëndruar pranë në këto momente kaq të vështira. Gjej rastin të falënderoj të gjithë partnerët tanë që na janë gjendur pranë gjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë me kontribut financiar e material që nga respiratorët, kitet e testimit, maskat e tashmë dhe me vaksinat.

Republika e Turqisë është një prej tyre dhe gjej rastin të falënderoj këta partnerë që përveç kontributit të dhënë deri më tani me materiale spitalore do të financojnë gjithashtu ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit. Një investim i qenësishëm i cili parashikohet të ketë një vlerë rreth 60 milionë euro.

Sikurse dhe kryeministri Rama ka theksuar, spitali rajonal i Fierit do të jetë një spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve të Republikës së Shqipërisë. Republika e Turqisë do të mbështesë spitalin e Fierit me personel mjekësor, ekspertizë dhe teknologji duke kontribuar kështu në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore, si dhe aplikimin e praktikave dhe standardeve më të mira në shëndetësi.

Ndonëse gojët e liga e etiketuan projektin e spitalit rajonal të Fierit si një premtim bosh, ne përsëri provuam me vepra dhe jo me fjalë se spitali po bëhet realitet pasi kantieri në Fier është hapur në datë 23 janar, ndërkohë që e gjithë procedura përgatitore ka nisur prej ditësh.

Ministria e Shëndetësisë, së bashku me partnerët turk, ka përfunduar detajimin teknik në lidhje me pajisjet dhe aparaturat që do të instalohen aty, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Shtetërore për Shpronësim dhe Bashkinë e Fierit ka përmbyllur procedurat paraprake të shpronësimit të 12 familjeve mbi pronat e të cilave po ndërtohet ky spital. Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet me banorët për angazhimin e ndërsjellët në funksion të kryerjes së procedurave ligjore për shpronësimin e tyre.

Kryeministri Rama është kujdesur vetë për këtë proces dhe ka pasur takime të njëpasnjëshme me të gjithë pronarët e truallit për të gjetur bashkëpunim dhe mirëkuptim nga ana e tyre.

Përmes dakortësisë së shprehur, me firmosjen e kësaj marrëveshje, banorët kanë marrë përsipër mos pengimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit mbi tokën e tyre menjëherë dhe përpara përfundimit të procedurës së shpronësimit e cila parashikohet të përmbyllet brenda 90 ditëve. Gjej rastin këtu të falënderoj të gjithë pronarët e truallit për mirëkuptimin që treguan dhe për mënyrën e shpejtë në reagimin e tyre për të mos penguar këtë projekt kaq madhor për të gjithë zonën e Fierit.

Akti normativ që Këshilli i Ministrave sjell sot përpara jush për votim vjen si një domosdoshmëri për mbushjen e kushteve të nevojshme ligjore për realizimin e investimit për ndërtimin e spitalit të Fierit. Akti normativ parashikon autorizimin e menjëhershëm të Agjencisë për Shpronësim për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme të cilat preken nga projekti i spitalit rajonal të Fierit dhe lidhjen e marrëveshjeve përkatëse për llogari të shtetit shqiptar. Theksoj se Agjencia autorizohet vetëm për negocimin e afateve dhe skematikës kohore të përfitimit të kompensimit dhe në asnjë rast për vlerën e tij, pasi pronarët do të kompensohen në bazë të çmimit të përcaktuar në legjislacionin aktual. Gjithashtu, më duhet të theksoj se ky akt normativ përforcon të drejtën e këtyre pronarëve për të ndjekur rrugën gjyqësore në rast kundërshtie për vlerën e shpronësimit.

Ky është rasti për të theksuar gjithashtu rëndësinë e Agjencisë të Shpronësimit Publik, mënyrën sesi sot ne, të bazuar mbi këtë Agjenci, mund të kryejmë veprime dhe procedura ligjore në kohë më të shpejtë dhe sigurisht përmes negocimit, fazë e cila ka munguar pavarësisht se legjislacioni e ofronte këtë mënyrë. Përmes negocimit nuk është kryer deri në krijimin e Agjencisë për shkak të pamundësisë duke qenë se e gjithë procedura e shpronësimit kryhej brenda ministrive. Kemi gjetur mirëkuptim dhe bashkëpunim në këtë rast nga pronarët dhe mendoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen, por sidomos në këtë rast, duke u mundësuar ndërtimi i këtij aseti të ri për vendin tonë.

Kantieri tashmë është i hapur, është siguruar furnizimi me energji dhe me ujë i këtij kantieri. Ka nisur puna për rrugët dytësore që do të aksesojnë spitalin, duke pasur parasysh edhe parametrat që kërkon aksesi në një spital siç është edhe hyrja e urgjencës dhe në ndërkohë mjetet e para nga Turqia, trajlerat të cilat po sjellin bazën materiale janë nisur, kanë arritur dy dhe po vijnë edhe shtatë të tjerë. Mbetet vetëm miratimi i këtij akti normativ nga Kuvendi për të vijuar punën për këtë vepër të madhe dhe të domosdoshme.

Ndaj ju ftoj të gjithëve sot që ta votoni.

Faleminderit!