Ministrja Balluku prezanton projektbuxhetin për vitin 2021 në Komisionin e Ekonomisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/11/2020

Ministrja Balluku prezanton projektbuxhetin për vitin 2021 në Komisionin e Ekonomisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin për vitin 2021, duke u ndalur tek të gjitha programet që kjo ministri mbulon. Duke pasur parasysh se po mbyllet një vit i vështirë, i cili goditi rëndë ekonominë, por edhe në ecurinë e shumë kantiereve në të gjithë vendin, ministrja Belinda Balluku bëri të ditur se projektbuxheti i hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbulon 45% të shumës financiare, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar për vitin 2021.

“Është një buxhet specifik, i parashikuar për tu përballur sërish me një vit, në dukje jo të lehtë që do jetë ai i 2021, me pandeminë e cila do të vazhdojë apo për të përmbushur të gjitha problematikat ekonomike apo financiare, me të cilat Qeveria Shqiptare është përballur në vitin 2020. Duhet pasur parasysh që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shumë kantiere të hapura, disa prej të cilave duhet të përfundojnë gjatë vitit 2021, por sigurisht ne planifikojmë që të hapin disa kantiere të rinj shumë të rëndësishëm, jo vetëm për infrastrukturën, por kantiere mbështetëse për fusha të tjera të ekonomisë kombëtare, duke nxitur ekonominë, apo duke mbështetur fuqishëm turizmin”, theksoi Balluku.

Programi për transportin hekurudhor dhe ai për transportin ajror, dy sektorë ku janë parashikuar të nisin një sërë projektesh të rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm, janë parashikuar të mbulohen thuajse plotësisht në projektbuxhetin e vitit 2021, ndërkohë që sa i takon sektorëve të tjerë, ministrja Balluku u shpreh para deputetëve se është e nevojshme rritja e financimit në disa prej sektorëve kyç, ku projektet janë drejt përfundimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi veçanërisht shtimin e fondit për transportin rrugor, veçanërisht për pjesën e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor shqiptar, por edhe për Agjencinë e Efiçencës së Energjisë, si një sektor shumë i rëndësishëm, së bashku me Shërbimin Gjeologjik.

Referuar vitit të ardhshëm, ministrja Balluku se tha se pritet të përfundojnë një sërë projektesh, ndërsa parashikohet të hapen kantiere në të gjithë sektorët, duke nisur me infrastrukturën rrugore, hekurudhën apo transportin ajror si dhe do të vijojnë investimet në ujësjellës, si një ndër pesë kolonat e strategjisë së Qeverisë Shqiptare.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ju përgjigj edhe pyetjeve të adresuara nga deputetët sa i takon projekteve, që janë duke u zbatuar aktualisht apo edhe atyre që pritet të nisin shumë shpejt nga puna.