Ministrja Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 11/05/2022

Ministrja Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Përshëndetje të gjithëve!

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe këtë herë ka pasur disa projektvendime me rëndësi të veçantë për sektorët të cilët ajo mbulon. Do e nis me projektvendimin për “Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të huasë të Republikës së Shqipërisë”, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, përsa i përket programit “Energji ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit”, e ratifikuar me ligjin 85 të 2015, nisur nga gjendja teknike e portave të mirëmbajtjes dhe të shkarkimit të këtij hidrocentrali të cilat kanë mbi 50 vite tashmë që janë në funksion. Sigurisht rezulton që kanë nevojë urgjente për rehabilitim, kjo është diçka që ne e kemi bërë në disa faza. Kaskada e Drinit është padyshim gjeneruesi kryesor i energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë dhe hidrocentrali i Fierzës është hidrocentrali më i rëndësishëm i kaskadës, deri në momentin që hidrocentrali i Skavicës do të jetë ai i cili do të kryejë funksionet e rregullatorit dhe optimizuesit të kësaj kaskade.

Një tjetër projektvendim shumë i rëndësishëm i cili është ndërmarrë sot është shtimi i huasë për segmentin Qukës – Qafë Plloçë me 56 milionë e 800 mijë dollarë të cilat do të vendosen menjëherë në dispozicion të këtij projekti për të nisur menjëherë me 5 ura, 2 në segmentin 1 dhe 3 në segmentin 2, si dhe mbrojtjen dhe stabilizimin e skarpateve, rrugët e aksesit që janë shumë të rëndësishme dhe barrierat e sigurisë. Gjithashtu, bëhet fjalë që këtij projekti ti shtohet edhe komplementimi i tuneleve me pajisjet elektromekanike, përfshirë gjithë sistemet dhe sinjalistikën elektronike që 5 urat dhe tunelet që do të ndërtohen do të kenë nevojë, ashtu siç e kërkon dhe siguria rrugore sipas parametrave të Bashkimit Europian.

Një projektvendim tjetër shumë i rëndësishëm i cili u aprovua sot është miratimi i kontratës së koncesionit me partneritet publik-privat për projektin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e portit të integruar në Triport Vlorë. Ky është një projekt që ne e kemi thënë prej kohësh, edhe në parlamentin shqiptar, por edhe në takimet që kemi pasur në zonën e Vlorës. Triporti do të jetë porti më i ri modern i ndërtuar në zonën e Vlorës, i cili do të jetë një port i integruar, ku sot ka vetëm shërbimet e peshkimit, por në të ardhmen do të ketë të gjitha shërbimet komerciale, bazuar në kalatat e reja që do të ndërtohen atje. Sigurisht, duke akomoduar edhe pjesën e peshkimit, por mbi të gjitha edhe mirëmbajtjen e anijeve, një pjesë e munguar deri më sot, që shpesh peshkatarët apo edhe subjekte të tjera duhet ti drejtoheshin Italisë për ta bërë këtë gjë. Është një nga kontratat më të mira të partneritet privat dhe publik që ne kemi nënshkruar dhe do ta vëmë në zbatim menjëherë pas zbardhjes në Fletoren Zyrtare, pasi parashikohet që ky financim të fillojë të paguhet nga shteti shqiptar vetëm në momentin kur projekti do të ketë përfunduar së ndërtuari dhe në nisjen e parë të operimeve. Kështu që nga të ardhurat që vetë porti do të krijojë do të jetë momenti që do të fillojë që të paguhet e gjithë shuma e këtij projekti. Deri atëherë Republika e Shqipërisë, Qeveria Shqiptare, nuk do të ketë asnjë detyrim financiar.

Gjithashtu sot kemi pasur një projektvendim për shpronësim për të vazhduar të gjitha punët publike që ne kemi nisur kudo në Shqipëri.

Është për tu përmendur edhe një projektvendim përsa i përket njësimit të ndërsjelltë të lejeve të drejtimit me Arabinë Sauditë, pasi ashtu siç e dini me shumë vende ne i kemi mbyllur këto procese, që lejet e drejtimit shqiptare tashmë po njohën në disa vende të botës, duke na krijuar kështu një facilitet jo vetëm brenda Europës, por edhe në vende të tjera.

Do të desha të ndaloja në projektvendimin më të rëndësishëm që kemi pasur për sot. Është projektvendimi për politikat kombëtare, për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura. Prej kohësh kemi nisur, 1 vit më parë, një strategji të re për të krijuar një reformë të thellë në sistemin e ujësjellësve. Siç ju jeni në dijeni ujësjellësat, përveç faktit që ka pasur një investim të rëndësishëm në të gjithë territorin shqiptar dhe disa prej tyre kanë arritur sot të performojnë sipas kërkesave dhe të gjithë treguesve që duhet të përmbushin, nga ana tjetër padyshim ne nuk kemi qenë të kënaqur me performancën dhe menaxhimin që është bërë nga pushteti vendor.

Për këtë arsye, pas një analize shumë të gjatë, AKUM ka bërë një propozim pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të nisur një agregim të sistemit të ujësjellësve. Nga 61 ujësjellësa që ndodhen në 61 bashkitë, të kalojmë me 15 ujësjellësa qendror, të cilët do të mirë menaxhojnë financat, do të mirë menaxhojnë të gjitha burimet natyrore të cilat kanë nën mbikëqyrjen e tyre dhe mbi të gjitha, ajo që është shumë e rëndësishme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aksioneri maxhoritar i secilit prej 15 ndërmarrjeve, duke bërë kështu një mirë menaxhim të të gjithë situatës, duke nisur nga kreditë e shumta që janë marrë gjatë gjithë kohës të tranzicionit, por mbi të gjitha për të vënë në jetë të gjitha politikat përsa i përket sistemit të ujësjellësve dhe të ujërave të ndotura. Ky është një hap i ri që ne po hedhim. Menjëherë pas zbardhjes në Fletoren Zyrtare do të nisë kjo reformë e thelluar. Hapat e parë janë hedhur, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha kryebashkiakët, me këshillat bashkiakë. E kemi sqaruar në detaj këtë politikë dhe mendojmë që tashmë është koha për implementim për të parë menjëherë rezultate brenda vitit 2022.

Shumë faleminderit për vëmendjen!