Fjala e Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile
Mirëmëngjes të gjithëve,
Situata sot paraqitet më e mirë në rang vendi.
Po e nis nga energjia, përsa i përket të gjithë menaxhimit, kanë qenë në terren më shumë se 1600 punonjës, të cilët kryesisht nga data 2 janar janë angazhuar në zonat më të prekura, që janë rajonet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Në ndërkohë, nga ana tjetër gjithashtu është menaxhuar dhe veriu, por për shkak dhe të investimeve që kemi bërë në veri, zonat kanë qenë më të mbrojtura dhe më pak problematikë.
Duke pasur parasysh dhe ndryshimin e kushteve atmosferike dje në zonat malore, qofshin këto të veriut apo të verilindjes, kemi pasur disa shkëputje në zonën e Kukësit apo zonën e Librazhdit, por që të gjitha janë kthyer në funksion në kohë rekord. OST-ja sot, Operatori i Sistemit të Transmetimit relaton në raportin e orës 8:00 që të gjitha linjat janë funksionale, nuk kemi asnjë problematikë përsa i përket transmetimit.
Ndërkohë, përsa i përket tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët, duhet të kemi parasysh që gjatë ditës së djeshme, që ka qenë edhe dita kulmore e problematikave përsa i përket kushteve atmosferike, kemi arritur një total të ndërprerjes për 38731 abonentë. Kaq kanë qenë defektet, duke e krahasuar me totalin e të gjithë abonentëve, që shkon deri në 1 milion. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme është ulur numri, kemi vetëm 19175 abonentë në këto momente, pra në raportin e orës 8:00 pa energji, të cilët ndahen në urban 4786, në rural 1030, ndërkohë që në rural i thellë 4359 abonentë. Synohet që në orët në vazhdim të gjitha këto të rikuperohen.
Përsa i përket nënstacioneve, janë të gjitha funksionale në rang vendi, përveç dy stacioneve të cilat kanë akoma prezencë të ndjeshme të ujit do të thoja që është ai i Kafarajt dhe i Poçemit. Megjithatë, me rënien e nivelit të Vjosës shpresojmë që shumë shpejt të dyja nënstacionet, pasi të pastrohen dhe të krijohen gjithë kushtet e sigurisë, të vendosen në funksion.
Përsa i përket kaskadës, kaskada ka pasur prurje të cilat mund t’i quajmë rekord. Kemi arritur edhe 3000 metër kub për sekondë në liqenin e Fierzës. Gjithashtu ka pasur prurje rreth 2500 metër për sekondë në liqenin e Komanit. Kuota e liqenit të Fierzës sipas raportimeve të orës 8:00 ka arritur në 289.77 metra, prurjet në këto momente kanë rënë, janë 1500 metër kub për sekond, ndërkohë që nuk kemi vënë në punë asnjë nga agregatët, duke ruajtur kështu nivelin.
Përsa i përket Komanit, kuota ka arritur 173.27 metra, prurjet në këto momente janë 950 deri në 500 metër kube për sekond. Ndërkohë që kemi një agregat në punë. Në Vaun e Dejës kuota ka arritur 74.94 metra, prurjet në këto momente janë nga 690 deri në 60 metër kub për sekondë. Kemi prurje të kontrolluara tashmë pa asnjë problematikë për hapjen e portave, në ndërkohë janë në punë të pesë agregatët.
Sigurisht, duke pasur parasysh edhe vazhdimësinë e kushteve atmosferike, si Forcat e Armatosura, ashtu edhe Aviacioni Civil kanë njoftuar që do të ketë reshje edhe gjatë ditës së sotme, por janë reshje mesatare dhe me prurje të ulëta. Nga ana tjetër, ne presim që gjatë mesnatës sonte të ketë një agravim të reshjeve, por kuotat na lejojnë që të menaxhojmë gjithë situatën, duke mos shkarkuar, pra në mënyrë të pakontrolluar në Fushë Shkodër.
Përsa i përket akseve rrugore, akset rrugore janë të gjitha funksionale, i referohem këtu akseve kombëtare. Jemi në dijeni gjithashtu që ka pasur problematika në akset rurale të cilat mirëmbahen kryesisht nga bashkitë. Ka pasur një angazhim për të ndihmuar edhe bashkitë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe nga të gjithë kontraktorët. Kryesisht ka pasur aluvione, ka pasur inerte, të cilat kanë zbritur nga skarpatet e maleve, madje edhe rrugë, që janë të konsoliduar prej vitesh, siç është aksi nga Gjirokastra në Tepelenë, në Shkallën e Zezë, së bashku me Mirelën, dje e kemi ndjekur gjithë situatën. Kemi pasur aty rënie inertesh nga skarpatet, mbi skarpatet e kontrolluara të rrugëve, e përmendët dhe ju. Fakti që kemi pasur shumë zjarre, fakti që ka mungesë bimësie në zonën e jugut e ka bërë shumë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve, megjithatë i gjithë territori është i aksesueshëm.
Unë do të përfitoja nga rasti për të bërë një thirrje, duke qenë se temperaturat janë ulur ndjeshëm 24 orët e fundit kërkohet që të gjithë drejtuesit e automjeteve, të cilët aksesojnë zona ku ka prezencë ngrice apo dëbore, duhet të përdorin gomat e dimrit ose zinxhirët, sipas rastit dhe kërkesës.
Policia e Shtetit ka qenë gjatë gjithë kohës në komunikim, Autoriteti Rrugor gjithashtu dhe është shumë e domosdoshme, pasi vërejmë që nuk ka një sensitivitet përsa i përket përdorimit të gomave të dimrit, sidomos në zonat ku ka prezencë të ngricës, që është akoma edhe më e rrezikshme se nga bora.
Përse i përket aeroportit të Rinasit, aeroporti i Rinasit është totalisht funksional. Vetëm gjatë datës 6 dhe 7 kemi pasur disa devijime të uljeve dhe ngritjeve nga Tirana. Devijimet kanë ndodhur për shkak të shkarkimeve elektrike që kemi pasur gjatë dy ditëve për shkak të stuhisë. Ndërkohë që me reshjet e shiut situata është komplet e menaxhuar. Vonesat kanë qenë minimale. Në ndërkohë janë bërë lajmërime të herë pas hershme për të gjithë udhëtarët për t’i mbajtur ata nën një informacion dhe për të mos pritur gjatë.
Përsa i përket Portit të Durrësit ka qenë funksional, nuk kemi pasur problematika dhe vonesa. Ndërkohë që në ditën e sotme në Ultësirën Perëndimore presim rritje të shpejtësisë së erës. Dje kemi pasur erë deri në 17 metra për sekondë, ndërkohë që pritet që sot të arrijë, pas mesditës, deri në 25 metra për sekondë, çka do ta bëjë të vështirë lundrimin. Kemi një parashikim që do të përballemi me era nga 5 deri në 6 ballë në të gjithë zonën e Adriatikut. Në të njëjtat ballë shkon dhe zona e Jonit dhe duhet të kemi parasysh që lartësia e valëve arrin nga 3 deri në 4.5 metra.
Shumë faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë