» Ministrja Balluku dëgjesë publike me banorët në Holtë: E gjithë vëmendja tek njerëzit
Postuar më: 26/01/2019

Ministrja Balluku dëgjesë publike me banorët në Holtë: E gjithë vëmendja tek njerëzit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, së bashku me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, si dhe me deputetin e qarkut Taulant Balla ishin në Gramsh, në kanionin e Holtës, ku kanë nisur me banorët e zonës një dëgjesë publike mbi çështjen e HEC-it në këtë kanion.

Ministrja Balluku u shpreh se qeveria e ka të gjithë vëmendjen tek njerëzit dhe ndaj vendosi për të pasur një bashkëbisedim të hapur për të parë sesi e shikojnë problematikën qytetarët dhe sesi mendojnë që të zgjidhet.

“Dje kam njoftuar publikun për disa masa që kemi vendosur si Ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë që të ndërmarrim. Rasti juaj është më specifiku dhe duke qenë se qeveria jonë e ka të gjithë vëmendjen tek njerëzit vendosëm që menjëherë gjëja parë ishte të vija këtu për të pasur një dëgjesë, një bashkëbisedim të hapur me ju. E kam thënë edhe dje, duhet një ekuilibër perfekt midis zhvillimit ekonomik, por edhe mbrojtjes së pasurive natyrore, sepse praktikisht ajo është pasuria më e madhe që ne kemi”, tha Balluku.

Ministrja sqaroi se ka marrë vendimin e pezullimit të të gjithë aktiviteteve të HEC-eve që janë licensuar ose janë në proces licensimi, për të bërë një skanim të pastër të statusit të tyre juridik.

”Pra sa ata kanë përputhshmëri ligjore dhe kontraktuale, pra kontratat që janë firmosur, nëse i janë përmbajtur subjektet këtyre kontratave qoftë nga ana e afateve, qoftë nga ana e kushteve teknike, por sigurisht kemi edhe një kriter shumë të rëndësishëm që është përputhshmëria me impaktin mjedisor që ata krijojnë. Ju duhet të jeni të qetë për momentin se ne kemi ndërmarrë jo vetëm për ju, por për të gjithë situatën e krijuar me HEC-et deri më sot një tur dëgjesash përsa i përket kësaj problematike. Ne kemi interes të dëgjojmë se çfarë mendoni ju qoftë edhe për zgjidhjen, qoftë edhe për impaktin që ka krijuar”, theksoi Balluku.

Duke vazhduar më tutje Ministrja deklaroi se investimet në këtë vend janë të mirëpritura, sepse nxisin ekonominë, por duhet të gjehet një ekuilibër.

“Procedura është pezulluar, sepse janë pezulluar të gjithë procedurat e HEC-eve. Ky është një aksion që do të ndërmerret për gjithë HEC-et për të parandaluar të gjitha problematikat. Siç tha edhe kolegu im z.Klosi ne jemi për të mbrojtur interesin e publikut dhe dëmi nëse është më i madh tek pasuritë kombëtare apo tek njerëzit që janë këtu, kjo për ne është shumë e rëndësishme dhe jemi sensitiv tek kjo pikë. Këtu kemi një reagim të banorëve dhe nuk është i vogël”, sqaroi ajo.

Ndërsa Ministri Klosi nënvizoi se gjithmonë do të jemi në shërbim të njerëzve dhe se do të merren qëndrime të drejta në përputhje me opinionin e tyre. “Edhe pezullimi që ne realizuam dje i investimeve në këtë hidrocentral është shprehje e dëgjueshmërisë që institucionet shtetërore kanë mbi opinionin e drejtpërdrejtë të njerëzve ku ata jetojnë. Ne nuk kemi asgjë kundra iniciativave private, por iniciativat private duhet të shkojnë me më të mirën e të gjithëve. Për ne grupi më i madh i interesit janë qytetarët dhe për ne ajo çfarë njerëzit mendojnë është grupi më i madh i interesit”, përfundoi Klosi.

Gjithashtu edhe deputeti Balla u shpreh se edhe sikur 1% të bëjë dëm ky HEC në këtë bukuri natyrore do të jetë e pa tolerueshme që të ndërtohet. “Çdo aset ekonomik të burimeve natyrore që kemi duhet ta vëmë në funksion të ekonomisë. Ne kemi ardhur këtu për të qenë në krahun e njerëzve, për ne e gjithë vëmendja jonë është për ju”, theksoi Balla.