Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Përshëndetje,
Sot në mbledhjen e qeverisë miratuam disa akte të propozuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku akti kryesor ku unë dua të ndalem është për rregullat e etiketimit të produkteve me ndikim në energji.
Ky është një akt shumë i rëndësishëm, sepse deri tani ne kemi patur rregullim të fragmentuar përsa i përket etiketimeve të produkteve me ndikim në energji. Çfarë jemi duke folur këtu?! Për të gjithë ato pajisje elektrike, të cilat kanë etiketimin sipas normave të Bashkimit Europian, ku kategoria A është me ndikimin më të ulët energjetik dhe pastaj vijon më poshtë.
Kemi rreth 17 rregulla përsa i përket këtyre elementëve të etiketimit. Përsa është i rëndësishëm ky akt?! Sepse së pari i ofrojmë për herë të parë konsumatorit një qasje të integruar të gjithë ndikimeve në energji të produkteve dhe ai është i lirë që pastaj të bëjë blerjen apo transaksionet përkatëse me informacionin e plotë të çdo produkti në energji. Së dyti, patjetër duke bërë ne një informacion të tillë kemi mundësi që të ulim konsumin e energjisë elektrike sepse incentivojmë produktet që kanë ndikim më të ulët energjetik.
Së fundmi, është një detyrim në kuadër të Bashkimit Europian dhe jo vetëm aq. Është ndër ato masa të cilat Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka të parashikuara tek plani i rritjes së Bashkimit Europian, i cili ka për çdo akt apo për çdo plan të realizuar ka edhe mbështetjet përkatëse buxhetore. Ky hyn si akt në këtë plan masash të Bashkimit Europian. Akti është shumë i detajuar, ka 17 rregulla dhe ka dhe të gjithë listën e produkteve që përfshihen në detyrimin e etiketimit, sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Akte të tjera të cilat miratuam sot nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte një listë shpronësimesh që japin vijueshmëri investimeve, aty ku kishte patur kufizime, ku një nga elementët ishte krijimi i mundësive për nënstacionin 400 kilovolt në Fier, zgjerimin e Korridorit VIII që po ecën me ritme të kënaqshme dhe përsa i përket asetit të portit të ri të Porto Romanos, një kërkesë nga Autoriteti Portual Durrës.
Faleminderit!
Përgjigjet e pyetjeve
Në fakt jo më larg se para rreth dy orësh, bashkë me Ministren e Ekonomisë dhe Kryetaren në detyrë të Bashkisë së Tiranës, ishim në takim me shoqatat e transportit interurban dhe urban.
Patjetër që situata e krizës hidrokarbure dhe çmimeve hidrokarbure është një situatë të cilën ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Ju e dini që tashmë qeveria ka njoftuar disa plane masash ku i pari është ngritja e Bordit të Transparencës, si dhe një nismë përsa i përket elementit të akcizës pas një çmimi të caktuar nëse rritet. Në vazhdën e të gjitha këtyre diskutimeve edhe masave ishte edhe takimi i ditës së sotme.
Ne e dimë që gjatë vitit 2022 janë marrë disa akte subvencioni përsa i përket shoqatave të transportit interurban dhe urban. Një element i tillë po diskutohet përsëri, pavarësisht se jemi akoma në fillimet e veta. Kur e kemi miratuar në vitin 2022 e kemi miratuar mbas disa muajsh që çmimi ishte rritur dhe në nivel shumë më të lartë seç është aktualisht, por hynë ndër ato elementë që ne jemi duke e marrë në konsideratë, bashkë edhe me propozime të tjera që na bëri shoqata e transportit.
E kemi lënë për tu ulur përsëri me to në ditët në vijim, pasi është ndër ato elementë që ne jemi duke i parë me kujdes të veçantë.
***
Në fakt do të ndalesha pak më gjatë përsa i përket nënstacionit të qendrës. Nënstacioni i qendrës hyn ndër asetet tashmë më të rëndësishme përsa i përket sigurisë së furnizimit të qytetit të Tiranës. Ne kemi një nënstacion në qendër, i cili ka kapacitet të kufizuar dhe me rritjen e zhvillimit të qytetit të Tiranës jetëgjatësia e tij është më e kufizuar.
Tashmë ne jemi në faza shumë të avancuara. Kemi bërë nënshkrimin e amendimit të marrëveshjes së financimit me BERZH. Projekti është për ndërtimin e një nënstacioni të ri në qendër, i cili do të jetë nëntokësor, do jetë me 3 transformatorë. Është ndër të vetmit nënstacione nëntokësor në rajon dhe në Europë. Pse?! Pikërisht për shkak se jemi duke folur për qendrën e Tiranës dhe një nga elementët e rëndësishëm ishte dhe ruajtja e estetikës së qytetit të Tiranës. OSHEE është në faza shumë të avancuara të procesit. Është mbyllur procedura konkurruese, është në fazën e shpalljes së fituesit, i cili në gjithë këtë proces ndiqet dhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Jemi në faza të avancuara të marrjes së lejes së ndërtimit për të filluar me procesin e ndërtimit brenda shumë pak muajve.
Ndërsa përsa i përket të gjitha masave që janë duke u marrë për të krijuar atë që quhet sovraniteti energjetik, ka shumë elemente që tashmë janë nisur, por një nga elementët bazë patjetër është diversifikimi i portofolit të burimeve të rinovueshme, ku tashmë 10% e energjisë së prodhuar në vend vjen nga burimet e rinovueshme fotovoltaike, në ndryshim, ku vetëm para 4 vitesh 100% ne vareshim nga hidro.
Patjetër jemi duke marrë një plan masash përsa i përket linjave të transmetimit që sigurojnë edhe transmetimin e energjisë elektrike. Po ecën me ritme shumë të mira linja e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, kemi projektin e lidhjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, pra një sërë masash afatgjata të nisura që para 5 vitesh që po na çojnë drejt asaj që quhet mbajtja e sovranitetit energjetik.
***
Para se të përgjigjem dua të theksoj një element. Shpeshherë vë re që ka një keqkuptim përsa i përket taksës së qarkullimit. Çdo shtet sot e ka taksën e qarkullimit, por mënyra sesi ajo taksë qarkullimi vilet është në varësi të praktikave të shteteve përkatëse. Ka shtete që taksën e qarkullimit e mbajnë me pagimin e taksave vjetore të mjeteve të transportit, ka edhe shtete, siç është Shqipëria që e ka taksën e qarkullimit në çdo litër karburant të konsumuar. Siç unë e kam thënë edhe më përpara është mbajtur qëndrimi nga ana e qeverisë, vlerësimi i Qeverisë Shqiptare është që vjelja e taksës së qarkullimit nga konsumi i litrave të naftës është më proporcional, sepse paguan më shumë ai konsumator, ai klient, i cili përdor më shumë mjetin.
Përsa i përket mekanizmave që lidhen me reduktimin e barrës fiskale të karburantit, ne e kemi shprehur që dy janë masat që janë marrë dhe që po vlerësohet marrja e tyre. E para është ngritja e Bordit të Transparencës për qytetarët, që nënkupton që kemi një bord që vendos çmimin tavan dhe pavarësisht të gjitha diskutimeve akoma nuk kam dëgjuar një element që ky bord ka marrë ndonjëherë vendim në dëm të qytetarëve. Edhe sot çmimi është 218 lekë, në fakt mund të kishte hapësirë për një rritje më të lartë me 1 lekë, i cili nuk është mbledhur bordi. Metodologjia përkatëse është shumë transparente.
Përsa i përket implikimeve fiskale, qeveria herë mbas herë ka mbajtur qëndrimin që implikimet fiskale nuk duhen prekur dhe sidomos në kohën e krizës. Megjithatë i referohem Ministres së Ekonomisë, e cila pra disa javësh ka dalë me një dalje publike, ku ka referuar planin e qeverisë shqiptare për të shikuar uljen e taksës së akcizës mbi rritjen e një çmimi të caktuar të karburanteve, i cili në dijeninë time është në faza shumë të avancuara dhe pritet vlerësimi dhe shqyrtimi i tij.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë